DHORJELA ÇULE/ Për të rritur efikasitetin nëpërmjet ekonomisë së shkallës, Enti Rregullator i Ujit (ERRU) në një raport të fundit propozon dy variante konkrete për agregimin (bashkimin) e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve.
Në shkrimin e revistës “Monitor” thuhet se një prej alternativave që do të aplikohet një faturë e unifikuar për sektorin në vlerën prej rreth 1400 lekë/muaj, ndërsa aktualisht vlera mesatare e faturës mujore varion nga 350 deri në 2,000 lekë në muaj.
Kjo automatikisht do të çonte në një katërfishim të faturës për ata që sot paguajnë me vlerë minimale.
Vetë ERRU-ja e pranon se kjo do të krijonte kosto të mëdha sociale, sidomos për zonën verilindore.
Në raportin “Alternativat e agregimit të sektorit të ujësjellës kanalizimeve”, ERRU-ja thekson se një ndër opsionet është që sektori të agregohet në mënyrë të menjëhershme dhe të jetë i organizuar në nivel kombëtar me një ose 3-4 shoqëri UK, ose alternativa tjetër për agregim gradual pilot të ujësjellës-kanalizimeve brenda qarkut.
Për t’i paraprirë këtij procesi dhe në zbatim të rekomandeve të Rezolutës së Kuvendit për vitin 2020, ERRU-ja ka vlerësuar edhe tarifën e agreguar, për rastin e bashkimit të menjëhershëm të 57 ndërmarrjeve të ujësjellëskanalizimeve në 3 ose 4 shoqëri.
ERRU-ja vlerëson se për mbulimin e kostove do të duhet të aplikohet një faturë e unifikuar me vlerë 1,400 lekë/ muaj.
“Në vendin tonë çdo shoqëri UK aplikon tarifat e veta specifike për çdo kategori konsumatorësh në zonën e saj të shërbimit. Aktualisht në vendin tonë janë në fuqi rreth 57 sisteme tarifash shërbimi UK që duhet të unifikohen. Vlera mesatare e faturës mujore në të 57 shoqëritë luhatet nga 350 deri në 2,000 lekë/ muaj.
Për mbulimin e kostove aktuale në sektor duhet të aplikohet një faturë e unifikuar për sektorin në vlerën prej rreth 1,400 lekë/muaj. Vlera relativisht e lartë e faturës se unifikuar do të krijonte probleme sociale për bashkitë në të cilat aktualisht aplikohen tarifa mjaft të ulëta sidomos për zonën verilindore, ku procesit duhet t’i paraprihet me një politikë subvencionimi të tarifave”, thuhet në raportin e ERRU-së.
Metodologjia aktuale e vendosjes së tarifave nga ERRU-ja përcakton për çdo shoqëri nëntarifa që i referohen çdo kostoje të shërbimeve. Të pesë nëntarifat janë të ndryshme për secilën nga tri kategoritë e konsumatorëve, përkatësisht, konsumatorë familjarë, institucione publike dhe ato private. Sistemi i faturimit i unifikuar do të duhet të përfshijë të gjitha specifikat e veçanta të shërbimeve për çdo ndërmarrje ujësjellës-kanalizimesh.
“Rrjedhimisht, ndërtimi i një sistemi faturimi i centralizuar (software) për të gjithë vendin do të ishte i vështire për t’u realizuar teknikisht dhe do të kërkonte mjaft kohë. Nga ana tjetër, ky sistem do të ishte subjekt i një dinamike mjaft të shpeshtë përditësimi për shkak të ndryshimit të kushteve të shërbimeve në çdo rajon apo njësi të veçantë administrative”, nënvizon ERRU-ja mbi vështirësitë që do të hasen në rast të zbatimit të opsionit të parë të bashkimit të shoqërive.
Për alternativën tjetër, agregim gradual mbi baza vullnetare dhe me iniciativë nga qeveria qendrore, ERRU-ja rekomandon se për seleksionimin e 2- 3 shembujve pilot rekomandohet që të kihen parasysh 5 kritere, si:
Të synohen agregime të shoqërive brenda një qarku, ku kryetarët e pushteteve vendore mundësisht të jenë të një krahu politik dhe që mirëkuptohen ndërmjet tyre;
Përgjithësisht agregimi duhet të behet ndërmjet një shoqërie financiarisht të qëndrueshme me një ose disa shoqëri me performancë financiare të dobët; Ndërgjegjësimin dhe angazhimin paraprak të kryetareve të bashkive në lidhje me avantazhet e agregimit (ekonomi e shkallës), si mënyra më e përshtatshme për të përmirësuar performancën financiare të shoqërisë dhe cilësinë e shërbimeve ndaj konsumatorëve;
Agregimi duhet realizuar me vullnet të lirë dhe shoqëruar me iniciativa nga qeveria qendrore;
Incentivat do të konsistojnë në kompensimin/subvencionimin për një periudhë tranzitore të deficitit financiar të kostove të shoqërisë së dobët financiare të agreguar, si dhe me incentiva investimesh fizike për zonën e re të shërbimit të shoqërisë së agreguar;
Me iniciativën e qeverise qendrore (MIE) bashkitë/shoqëritë UK e seleksionuara për agregim të suksesshëm të firmosin marrëveshjet paraprake të dakordësisë për agregim, sipas një draft modeli të parapërgatitur.
Studimi i bëshmërisë i vitit 2008 për agregimin e sektorit të ujit në Shqipëri, financuar nga Banka Botërore, rezultoi se agregimi duhet realizuar mbi baza vullnetare dhe me incentiva nga qeveria qendrore.
Në të njëjtin konkluzion është arritur edhe në draftin e studimit për agregimin e sektorit në prill 2020 financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), studim i realizuar me kërkesë të Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës. Më herët financat propozuan që borxhet që ujësjellësit kanë për energjinë të futen në faturën e ujit.
Ndërmarrjet e ujësjellësit, të cilat janë në administrim publik kanë rikrijuar një borxh prej 17 miliardë lekësh ose 138 milionë eurosh ndaj OSHEE-së deri në fund të vitit të kaluar. Por, kjo faturë detyrimesh më shumë se sa ndikon në përkeqësimin e bilancit të OSHEE-së rrezikon të çojë në rritje të mëtejshme të çmimit të ujit në të gjithë vendin, pasi Ministria e Financave në një prej alternativave për zgjidhjen e situatës propozon që të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit, ku do të reflektohet kosto e energjisë elektrike në tarifën e ujit në kuadër të rishikimit të metodologjisë të tarifave të ujit.
Ministria e financave dhe Ekonomisë dhe ajo e infrastrukturës kanë dhënë dy zgjidhje për të pagesën e faturave të energjisë nga ndërmarrjet e ujësjellësit. E para është automatizimi i pagesave të faturave të energjisë elektrike përmes garancive bankare (overdraft).
Kjo mënyrë do të pilotohet në 1 – 3 ndërmarrje ujësjellësi me financa të shëndosha, ndërsa do të shtrihet më tej te ndërmarrjet e tjera që mund ta përballojnë financiarisht.
Së dyti, do të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit, ku do të reflektohet kosto e energjisë elektrike në tarifën e ujit në kuadër të rishikimit të metodologjisë të tarifave të ujit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al