Favorizoi firmën e naftës, sa vite burg rrezikon ish-kreu i Tatimeve në Tiranë

Jan 16, 2017 | 15:53
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin për 6 persona, të akuzuar si të përfshirë në skemën mashtruese “Fullpet”, e cila i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në rreth 500 milionë lekë të reja.

Androkli-kokthi-620x358Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Tiranë kërkoi 3 vjet burg për Androkli Kokthin, ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë, që u vu në qendër të skandalit.

Ai zhbllokoi një sasi të konsiderueshme nafte që ishte nën sekuestro. Po kështu Prokuroria kërkon burg edhe për 5 bashkëpunëtorët e tij.

Kështu, dënimet që kërkohen janë si më poshtë:

Ibrahim Aktoz, të dënohet me 4 vjet burg

Ekrem Oztemel, të dënohet 7 vjet burg

Fabian Goci, të dënohet me 8 vjet burg

Aurel Preni, të dënohet me 8 vjet burg

Fiqiri Hoxha, të dënohet me 8 vjet burg

AFERA

Kreu i Tatimeve të kryeqytetit dyshohet se i ka urdhëruar lirimin dhe kthimin te pronari të një sasie malli të konfiskuar me herët, për shkak të mungesës së dokumentacionit tatimor.

Edhe pse malli me vlerë 500 milionë lekë të reja, ishte dërguar në magazinat e Rezervave të Shtetit në mars të vitit 2015, drejtori i Tatimeve Tiranë me anë të një shkrese ka urdhëruar lirimin nga konfiskimi të mallit dhe kthimin e tij subjektit privat që i ishte gjetur malli pa faturë.

Kokthi në këtë mënyrë ka vepruar tërësisht në kundërshtim me ligjin, pasi malli i konfiskuar nuk mund të rikthehet, por vetëm mund të blihet nga subjektit, të cilit i është gjetur pa faturë. Po ashtu, në bazë të procedurave administrative dhe atyre tatimore, një urdhër administrativ i nxjerrë nga një organ më i lartë, nuk mund të shfuqizohet nga një organ më i ulët. Në rastin konkret, Drejtori Rajonal ka shfuqizuar urdhrin e konfiskimit të institucionit epror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Nisur nga kjo, Prokuroria e Tiranë ka krijuar dyshimet se Drejtori Rajonal i Tatimeve Tiranë, në bazë të veprimeve të kundërligjshme, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në rreth 500 milionë lekë. Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit, i cili është zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

Androkli Kokthi, lindur në Fier dhe banues në Tiranë u arrestua gjatë operacionit “Smile 2”, rrezikon të dënohet me burgim deri në shtatë vjet apo me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. 41-vjeçari më parë ka shërbyer në Bashkinë e Tiranës si Drejtor i Taksave, në kohën kur Bashkia drejtohej nga Edi Rama.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura