Fëmijët e Ramiz Alisë, Gjykata ndan pasurinë

Mar 3, 2013 | 15:54
SHPËRNDAJE

TIRANE – Pasuria e ish-Presidentit të Republikës, Ramiz Alia, i cili ndërroi jetë në tetor të vitit 2011, do të ndahet në tri pjesë të barabarta mes fëmijëve të tij. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e vajzës së ish-presidentit, Zana Haxhimusaj, për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë së babait të saj.

Gjykata përcaktoi si trashëgimtarë ligjorë të pasurisë tre fëmijët e Alisë. “Nga aktet e gjendjes civile të administruara në dosje rezulton se në datën 07.10.2011 ka vdekur trashëgimlënësi Ramiz Alia dhe gjithashtu rezulton që më datë 12.03.1985 të ketë paravdekur bashkëshortja e tij, Semiramis Alia.

Në këto kushte, në momentin e vdekjes së tij çelet trashëgimia ligjore dhe trashëgimtarë të trashëgimlënësit Ramiz Alia rezultojnë tre fëmijët e tij, Zana Haxhimusaj (Alia), Besa Spahiu (Alia) dhe Arben Bora (ndryshuar mbiemrin me vendim Kom. Ekz. nr.6, datë 16.06.1983 nga Alia në Bora)”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Referuar provave të paraqitura në proces, gjykata shprehej se nuk rezultonte që trashëgimlënësi Ramiz Alia të ketë pasur fëmijë të tjerë jashtë martese ose të birësuar. “Gjithashtu nuk rezulton që ai të ketë lënë testament ose që ndonjë nga trashëgimtarët e mësipërm të jetë bërë i padenjë për të trashëguar”, arsyetonte gjykata. Ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura