Fetë kundër Censusit, bektashinjtë: Nuk u pyetëm

Dec 15, 2012 | 12:51
SHPËRNDAJE
Krerët e komuniteteve fetare

Komunitetet fetare kundërshtojnë të dhënat e censusit në lidhje me përkatësinë fetare të popullatës. Në reagimet e tyre, përfaqësuesit e myslimanëve, ortodoksëve dhe bektashinjve kanë shprehur të gjithë të njëjtin qëndrim. Arsyeja kryesore pse ata kundërshtojnë shifrat e fundit është, sipas tyre, lënia jashtë anketimit të një pjesë të madhe të besimtarëve. Dy ditë më parë, Instituti i Statistikës publikoi të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë. Sipas tyre, 56.7% e popullsisë i përket besimit mysliman, 10.03 besimit katolik, 6.75% fesë ortodokse dhe 2.9% atij bektashian. Fill pas raportit, qëndrimi i përfaqësuesve të besimeve fetare nuk ka qenë aspak pajtues me rezultatet.
Ortodoksët
Më të ashpër në qëndrimin e tyre kanë qenë ortodoksët. Sipas peshkopit Andoni, përfaqësues i Kishës Ortodokse, rreth 50% e besimtarëve nuk janë pyetur fare nga anketuesit e censusit. “Kjo është vetëm një nga arsyet pse ne i quajmë joreale të gjitha këto shifra. Po kështu, pyetjet për fenë në census kanë qenë diktuese. Mënyra sesi ato janë hartuar, ka bërë që një pjesë e ortodoksëve të refuzojnë të përgjigjen”, tha peshkopi Andoni. Ai theksoi se Kisha Ortodokse nuk do të pranojë se vetëm 6.75% e popullsisë i përket kësaj feje. Kryepeshkopata pritet të dalë në një reagim publik në lidhje me këto të dhëna. “Për këtë do të kemi edhe një reagim zyrtar. Statistikat që ne disponojnë janë kryekëput të ndryshme nga ato që janë paraqitur. Nuk mund të ketë asnjë argument për këtë tkurrje të besimtarëve tanë. Censusi është i pasaktë. Kjo shifër është befasuese”, u shpreh peshkop Andoni.
Myslimanët
Komuniteti mysliman, ndonëse nuk i pranon të dhënat e censusit, i quan ato aspak shqetësuese për besimtarët. “Ne si Komunitet Mysliman i Shqipërisë nuk kemi bërë dhe s’kemi pse të bëjmë përpjekje që ta tregojmë sa më të lartë numrin e myslimanëve dhe mendojmë se futja në një garë shifrash mes besimeve fetare apo pakicave etike e kulturore nuk do t’i shërbejë askujt, dhe në një garë të tillë me fryrje e shfryrje shifrash artificialisht, askush nuk do të dalë i fituar, por të gjithë mund të humbasin diçka”, tha Agron Hoxha, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median pranë KMSH-së. Ai shtoi se çështja më e rëndësishme që preokupon KMSH është që ata që e quajnë veten myslimanë, të jetojnë në përputhje me besimin e tyre, në paqe me veten, me njerëzit, me botën. “Sipas kalkulimeve tona, bazuar edhe në sondazhe të ndryshme të organizuara nga institucione ndërkombëtare, numri i besimtarëve myslimanë në vend është mbi 70%. Gjithsesi, thelbësore për ne është që njerëzit të njohin Zotin, Profetin, t’i besojnë gjykimit në botën tjetër dhe të jetojnë të qetë e të sigurt në këtë jetë, dhe të lumtur në tjetrën”, tha Hoxha. Sipas tij, janë lënë jashtë regjistrimit edhe drejtues të lartë të Komunitetit Mysliman.
Bektashinjtë
Edhe besimtarët bektashinj janë kundër shifrave të censusit. Megjithatë, sipas tyre, këto shifra nuk kërcënojnë aspak këtë komunitet fetar. “Ne kemi rreth 73 mijë besimtarë dhe rreth 30% e tyre nuk janë bërë pjesë e anketës, pasi nuk i ka shkuar askush në shtëpi për t’u marrë të dhënat”, tha Syrja Xhela, përfaqësues i këtij besimi. Sipas tij, bektashinjtë nuk pajtohen me këto statistika, dhe qëndrimin e tyre e kanë shprehur edhe përpara ndërkombëtarëve, të cilët ishin të pranishëm në konferencën përmbyllëse të censusit.

Te dhenat e censusit

  • 56.7% myslimanë
  • 10.03% katolikë
  • 6.75% ortodoksë
  • 2.9% bektashinj
  • 15% nuk janë përgjigjur
  • 0,15% gjuhë amtare greqishten

Gjermeni: Berisha hoqi papunësinë nga censusi
Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, akuzoi dje Kryeministrin Berisha se ka hequr nga censusi kapitullin për papunësinë. “Kryeministri urdhëroi heqjen nga censusi të kapitullit të papunësisë, për të fshehur se papunësia në vend prek më shumë se 1 milion të papunë, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve për një realitet që e jetojnë përditë. Ky është një tjetër skandal madhor që i duhet faturuar këtij pushteti të korruptuar”, tha ajo. Sipas saj, “në të gjithë Tiranën është rritur papunësia dhe krimi po rritet në nivele kritike. Problemet e qytetit sa vijnë e shtohen, si pasojë mospërfilljes kriminale të pushtetit”.

Reagimi i PDIU
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndeti rezultatet e censusit, duke theksuar se nxjerr edhe një herë në pah se pretendimet greke në Shqipëri nuk kanë asnjë bazë reale, por mbështeten thjesht në orekset shoviniste të frymëzuara nga “Megali Idea”. “PDIU shpreh kënaqësinë dhe krenarinë që amendimet e saj ia kanë prerë rrugën skenarëve të Athinës dhe shërbëtorëve të saj në vendin tonë, për të sajuar të dhëna të rreme për pakicën etnike greke”, tha dje sekretari Politik i PDIU, Adri Nurellari.

MEGA e OMONIA: Regjistrimi, nën presion
Partia MEGA dhe organizata e minoritetit etnik grek, OMONIA, deklaruan dje se nuk e njohin censusin. Në një deklaratë për shtyp të publikuar në gjuhën greke, OMONIA denoncoi rezultatet. “Popullsia greke në Shqipëri, me këshillimin e “OMONIA”-S, e abstenoi këtë census në masën 90%.  Rezultatet e censusit janë provokim i hapur ndaj minoritetit etnik grek në vend, si dhe komunitetit ortodoks”. Ndërsa MEGA nga Saranda deklaroi se “zhvillimi i censusit U bë në një klimë frike e presioni, me bazë kërcënimin ligjor për vendosje gjobash për ata që do deklaronin kombësinë ndryshe nga çfarë ishte regjistruar”.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura