Fitorja/ Gjiknuri falënderime PS e PDIU për Dibrën, ‘harron’ LSI-në

Sep 15, 2016 | 8:24
SHPËRNDAJE

Koordinatori i PS-së për qarkun e Dibrës, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, vlerësoi kontributin e PDIU-së për fitoren e kësaj Bashkie, por pa përmendur aleatin kryesor të koalicionit, LSI-në.

gjiknuri diber

“Dua të falënderoj të gjithë shokët, shoqet, të gjithë ata që kanë qenë në fushatë, në veçanti drejtuesit e Partisë Socialiste, drejtues të PDIU-së, të gjithë shokët që kanë qenë bashkë me ne, gratë, vajzat, të cilët në mënyrë sistematike punuan natë e ditë në një garë që ishte e vështirë. Në një garë që ne vërtet vinim pas një problemi, por populli qe i mençur dhe diti ta vlerësojë”, tha Gjiknuri gjatë fjalës së tij në mitingun e djeshëm. Ai i kërkoi Kryeministrit të mbajë të gjitha premtimet e dhëna pas këtij rezultati, raporton “Panorama”.

“Ne jemi të sigurt në ato që themi. Unë e kam thënë edhe një herë, fitorja mbi të gjitha ju dedikohet juve, i dedikohet kandidatit, na dedikohet të gjithëve ne, por mbi të gjitha dibranëve, që ditën të peshojnë mirë kush është realja dhe kush është falsja. Kush është beteja e Dibrës dhe kush është halli i Tiranës. Prandaj ata zgjodhën që problemet e Dibrës të zgjidhen nga vetë dibranët. Unë i kërkoj këtu Kryeministrit solemnisht të mbajë angazhimet e tij dhe të mbështesë Dibrën, sepse Dibra ka dhënë sinjalin më të mirë mbas 3 vitesh qeverisje”, tha Gjiknuri.

Ai shpjegoi edhe arsyet e fitores. “Ne bëmë fushatë me dibranët dhe nuk morëm njerëz të huaj që t’u mbushnim mendjen dibranëve se për kë duhet të votojë dibrani. Përkundrazi! Ne folëm thjesht ulur, fshat më fshat, lagje më lagje me dibranët, për dibranët, prandaj fituam”, tha Gjiknuri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura