Siç e gjithë Kruja pohon, muzeun e këtij qyteti e ka realizuar zbatuesi i projektit, Robert Kote dhe jo projektuesja Pranvera Hoxha. Pasi e kishin shtyrë për vite të tëra realizimin e këtij muzeu, Enver Hoxha vendosi më në fund që ta ndërtonte pikërisht atëherë kur e bija të diplomohej në Arkitekturë. Kjo do të ishte mbrojtja e saj e diplomës, sado që nota ishte e padiskutuar. Arkitekti Robert Kote dhe gurgdhendësi Kurt Murati na tregojnë sot të vërtetën.
Inxhinieri e arkitekti Robert Kote
Enveri s’mori pjesë në përurim, u hapën fjalë për atentat
Inxhinieri e arkitekti Robert Kote, punën që bëri në muzeun e Krujës do ta bënte patjetër, për sa kohë ishte me urdhër nga lart. Vetëm se urdhri i kishte ardhur shumë vite përpara realizimit. Askush nuk po e kuptonte se çfarë ndodhte, pse po vonohej puna, pse po lihej pezull… papritmas, një ditë e thërrasin sërish, tashmë për ta përfunduar…
Profesor, si është historia e Muzeut të Krujës?
Historia e muzeut ka nisur shumë vite përpara se të punohej vërtet me të. Në vitin 1967, Enver Hoxha bëri një vizitë në Krujë, gjatë së cilës vizitoi edhe muzeun e vjetër. Pas kësaj bëri një letër në të cilën e kritikonte, duke thënë se nuk i kishte pëlqyer ky muze. Në këto kushte, sinjali ishte i hapur që “merrni masa të bëni një tjetër”. Kjo ka qenë koha kur unë, bashkë me një mikun tim që jetonte në Krujë, nisëm të bënim projektet e hamendësimet e para. Si mund të ishte, ku mund të ndërtohej?! Letra thoshte vetëm që s’i pëlqente, por nuk jepte indikacione të tjera. Si përfundim, asgjë nuk u bë. Kaluan disa vite. Unë isha pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, kur më thërrasin sërish. Në një takim me ministrin Thoma Deliana dhe Aleks Budën vendosim të shkojmë në Krujë për të parë terrenin.
U ndërtua këtë herë?
Jo. Shkuam të tre bashkë me Foto Çamin, që ishte sekretari i parë i Krujës dhe asnjëri nuk merrte përsipër të thoshte një mendim, donin ta anashkalonin, sepse u druheshin fjalëve të Enverit. Kështu u larguan nga vendi të gjithë me radhë dhe nuk u mor asnjë vendim. U kthyem sërish në Tiranë pa bërë asgjë. Ngeli sërish varur kjo çështje për disa vite deri sa një ditë na vjen papritmas lajmi se do të ndërtohej muzeu.
Nga kush erdhi lajmi?
Nga Enver Hoxha, projekti i atij muzeu, unë e kam thënë gjithnjë që ka lindur në shtëpinë e tij. Sidoqoftë, neve na erdhi kaq papritur të gjithëve, por kuptohet askush nuk guxonte të fliste.
Çfarë kishte ndodhur papritmas?
Pranvera, e bija, studionte për Arkitekturë dhe kishte ardhur koha të mbronte diplomën. E bëri me këtë projekt.
Ishte studentja juaj?
Jo, të gjithë fëmijët e udhëheqësve kanë qenë studentët e mi, e bija e Hysni Kapos e me radhë, por Vera jo. Më duket kam qenë në Kinë në vitin kur i takonte t’i jepja lëndën.
Kurt Murati, një nga punëtorët e muzeut, na ka thënë se megjithëse në letër ishte emri i Pranverës, nuk ngelën shumë gjëra nga plani. Pra, u tjetërsua. Thotë se në fakt e keni bërë ju…
Në Krujë kështu thonë të gjithë. Në fakt, zyrtarisht unë isha zbatuesi i projektit, pavarësisht se projekti ishte fare diletant për ta lënë ashtu. Kur ma dhanë, unë ia thashë këtë gjë Xhemal Dymylisë, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Krujë. Përgjigjja e tij ishte shih e bëj vetë, rregulloji gjërat.
Ju çfarë bëtë? E tjetërsuat?
Bëra shumë ndryshime. E para sepse zbatimi i projektit do bërë në përputhje me terrenin, me gjetjet arkeologjike. Gjatë punimeve mund të dalin shumë gjëra të paparashikuara, që të bëjnë të ndryshosh planet. Por, përveç tyre, bëra ndërhyrje të tjera.
Si reagoi Pranvera ndaj kësaj, puna e saj s’po bëhej ashtu siç e kishte dhënë…
Ndryshimet po bëheshin për mirë, kështu që s’kishte pse të reagonte.
Vinte i ndiqte punimet?
Po mund të ketë ardhur rreth 5 herë në ato 4 vite e dy muaj që u ndërtua muzeu, jo më tepër. Një herë ishte për një intervistë që ka dhënë në muze për Alfons Gurashin. Unë nuk e kam parë kurrë atë intervistë, ama e di që është bërë. S’di pse nuk e kanë shfaqur kurrë. Nejse… Në fillim, kur sapo nisi puna, Pranvera ishte më duket në Francë dhe nuk erdhi, pastaj kur u kthye erdhi e pa. Ndërkaq, unë kisha bërë 2 metra mur, të cilin e prishën sepse nuk u pëlqente. Kaq. Por në mënyrë të vazhdueshme ata i ndiqnin punimet përmes filmimeve dhe fotografive që u shkonin përherë. Ishte një person i ngarkuar enkas me këtë punë, të fotografonte e filmonte.
A patët ndonjë “konflikt” gjatë kësaj periudhe? Jo se ju mund që t’i kthenit fjalë, por pakënaqësitë duken…
Jo, nuk pati pakënaqësi, për fat përfundoi me sukses, përveçse u vonua ca në kohë.
A nuk ishte kjo pakënaqësi për ta?
Edhe mund të ishte, por nuk kishte alternativa të tjera. Për kohën raportohej vazhdimisht. Merrej me këtë punë Ramiz Alia, i cili kur më pyeti një herë, i thashë të vërtetën se nuk mund ta përfundonim siç ishte parashikuar. Pas kësaj, ai na mblodhi bashkë me Pranverën dhe ministrat. “Pse jepni informacion të gabuar?,- tha”. Ndërkaq i kishte shkuar Enverit një letër nga banorë të Fierit për një sallë teatri, që ishte shumë e vogël. U tërhoqi vërejtje për këto dy gjëra, muzeun dhe sallën. Përfundoi 1 vit e pak më vonë, sepse edhe po të arrihej si ndërtim, nuk do mund të arredohej. Dhe në fakt, edhe ashtu siç u arredua, ishin sajesa, sepse ai quhet vërtet Muzeu i Skënderbeut, por prej tij e kohës së tij aty nuk ka asgjë. Sidoqoftë, pas mbledhjes u dhanë disa fonde shtesë, në mënyrë që të realizohej.
Çfarë reagimesh kishte pasi e përfunduat punën?
Reagimet ishin të mira, muzeu u pëlqye, megjithatë qëndrimet e tyre ndaj meje, nuk di pse, qenë gjithnjë jo të mira. Mua më kishin qarkulluar në Krujë përpara kohës së muzeut dhe, në përfundim të tij, Pranvera më kishte premtuar se do të më transferonte në Tiranë. Ishte premtim që ajo e bëri publikisht në sy të të gjithëve, por nuk e mbajti. Edhe Ramiz Alia, sado që i thashë disa herë, nuk e bëri. Nuk e kam kuptuar këtë reagim, megjithatë, ndaj ne ‘punëtorëve’ që realizuam muzeun, ngeli gjithnjë një qëndrim jo fort miqësor, meqenëse ishim të gjithë si me biografi jo të mirë. Prandaj edhe vendosën të mos na përfshijnë as në fotografinë përfundimtare, që u bë pas inaugurimit. Morën pjesë në të vetëm artistët, ne jo.
Erdhi Enver Hoxha në inaugurimin e veprës së vajzës së tij?
Mbaj mend se Sulo Gradeci erdhi me një makinë të vogël në ngjyrë portokalli, me të cilën tentoi të hynte në Kalanë e Krujës. Por Enver Hoxha nuk erdhi. Të gjithë u çuditëm përse Enver Hoxha nuk kishte ardhur për në inaugurimin zyrtar.
Si është e mundur, u kujdes kaq gjatë për ta realizuar?
Jo vetëm u kujdes, por faktikisht ajo quhet vepër e Enver Hoxhës. Ne pritëm deri më datë 1 nëntor të vitit 1982 që të vinte Enver Hoxha, shikonim të gjithë se kur do të vijë, por asgjë. Nga Byroja Politike erdhën të gjithë, që nga Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia etj., por ai nuk erdhi. Kjo ngelet një enigmë, që nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete. Ai ndoshta mund të ketë qenë i sëmurë. Më vonë u hapën dhe fjalë që donin ta vrisnin, pasi e kishin parashikuar se do të vinte atje. Por këto ngelen vetëm fjalë. Kujtoj se në atë kohë u arrestuan disa njerëz me origjinë kosovare në Laç dhe në Fushë-Krujë, por a kishin lidhje me të apo jo, kjo nuk dihet
Gurgdhendësi Kurt Murati: Projekti i Pranverës i ngjante një bunkeri
Kanë kaluar aq shumë vite, saqë Kurt Murati nga ndërtimi i Kalasë së Krujës kujton vetëm “ngjarjet kryesore”. Ai vetë ka qenë gurgdhendës për 3 vite. Do ta çonte punën deri në fund po ta lejonin. Si çdo ndërmarrje, rrugë a shtëpi, edhe aty ishin të dërguarit e posaçëm për të marrë e çuar zëra. Jo se dëgjohej ndonjë gjë, kush të pipëtinte, po ngjarjet mund të krijoheshin edhe vetë. Ndër gurgdhendësit, Kurti ishte më i vjetri, përvoja e të cilit njihej jo vetëm në veprat e qytetit ku banonte. Për këtë, përveçse të skaliste gurin, shkëmbente shpesh mendime me zbatuesit e projektit. Zbatuesi nga ana e tij marrëdhëniet i kishte me realizuesin. Zyrtarisht, Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu mban firmën e arkitektes Pranvera Hoxha dhe të Pirro Vasos. Emri i këtij të fundit nuk kishte pse të lakohej kaq shumë. Fundja, asokohe, të gjithë përmendnin vetëm Pranverën. Në fund të viteve ’70, e bija e Enver Hoxhës po i dhuronte vendit një vepër të madhe. Por cila është e vërteta e këtij muzeu? Me aq sa kujton, Kurt Murati, ai që e ka bërë me dorën e tij muzeun, na tregon…
Kush e ka bërë projektin e Muzeut të Krujës?
Përveç rëndësisë që ka ai muze, si ndër pak më të rëndësishmit në Shqipëri, në kohën që nisi ndërtimi, u bë dyfish i rëndësishëm për shkak të emrit të arkitektes, asaj që bëri planin e parë të Muzeut, Pranvera Hoxha.
Pse planin e parë, pati të dytë?
Në letra jo, d.m.th zyrtarisht jo, që të dihej nga të tjerët.
Çfarë duhet të dinin të tjerët?
Që pavarësisht të gjithave, vlerave të arkitektes e të tjera, atë muze e ka bërë zbatuesi i planit. Arkitekti Robert Kote, që si edhe unë ishte me “njollë” në biografi, thuajse e ka ribërë projektin e parë. Natyrisht këto gjëra nuk thuheshin lart e poshtë, askush nuk merrte vesh se ç’bëhej, por ata që kishin parë planin e parë të punës, e kishin shumë të thjeshtë më pas të bënin ndryshimin.
Si ishte plani i parë?
Ishte një projekt i ngjashëm me bunkerin, por asgjë nuk u bë nga ajo, u tjetërsua e mori pamjen që mund të shihni sot.
ANI JAUPAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al