Flet Niazi Jaho, delegati: E vërteta e Konferencës së Tiranës në prill 1956

Sep 4, 2013 | 15:36
SHPËRNDAJE

Niazi Jaho
Flet Niazi Jaho, ish-sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit.

Rrëfimi i delegatit: E vërteta e Konferencës së Tiranës e prillit ’56

Të papriturat e zhvillimeve tragjike në sallën e Estradës së Shtetit në vigjilje të Kongresit III të Partisë

Balluku, i deleguari i KQ, ishte jashtë situatës gjatë tërë Konferencës.

“Raporti memec i Fiqretes vuri në gjumë delegatët”

…vijon nga numri i kaluar

“Konferenca e Partisë së Tiranës ishte beteja e humbur e komunistëve idealistë që aspironin më shumë demokraci, së paku në jetën e brendshme të Partisë”.

Enver Hoxha duke u përqafuar me Hrushovin, gjatë vizitës të tij në Shqipëri, Maj 1959
Më pak rreshta, juristi i njohur, Niazi Jaho, një nga dëshmitarët dhe viktimat e mbijetuara të kësaj ngjarjeje që u stigmatizua nga regjimi si njollë e zezë në historinë e Partisë së Punës, mundohet të shpalosë perceptimin e tij duke i qëndruar besnik asaj që ka parë e dëgjuar në sallën e Estradës së Shtetit gjatë ditëve tragjike të prillit të largët të vitit ‘56. I privilegjuar nga kujtesa brilante dhe pozicioni i veçantë që ka pasur në radhët e organizatorëve të Konferencës, përgjegjësi kjo e ndërvarur nga funksioni si sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës, ish-zëvendësi i Fiqrete Shehut rrëfen për gazetën “Panorama” rrethanat e ngjarjes së pazakontë, befasinë e pyetjeve për kultin e individit dhe privilegjet e udhëheqjes që tronditën Komitetin Qendror, revanshin e Enverit ndaj delegatëve rebelë, prapaskenat me njerëzit e besuar për të shtypur reagimet kritike dhe mendimin e lirë, kryqëzimin e papritur të kundërshtarëve me persekutime, internime e arrestime etj. Ndryshe nga dëshmitarë dhe studiues të tjerë për të cilët shpërthimi në Konferencën e Tiranës mbetet vepër e agjenturës jugosllave dhe e diplomatëve të Titos rezidentë në Shqipëri, Jaho ka bindjen se ajo fund e krye ishte zhvillim i brendshëm, produkt i debateve të komunistëve të thjeshtë që mendonin se kishte ardhur koha për më shumë liri, se Enver Hoxha ishte i sinqertë në ato që thoshte fill pas Kongresit XX të PK të BS kundër frymës staliniste, salltaneteve të lidershipit, nepotizmit në administratën dhe sektarizmit të luftës së klasave etj. “Por gjërat rrodhën krejt ndryshe nga sa shpresonim”, shton ai, duke kujtuar se mbeti edhe vetë viktimë e atyre iluzioneve duke humbur përfundimisht besimin te komunizmi alla-shqiptar, i përfaqësuar nga njerëz dritëshkurtër, fanatikë, puthadorë dhe karrieristë, ndryshe nga brezi i tij që e përqafoi kauzën e komunizmit në barrikadat e luftës dhe aspiroi liri e progres për të gjithë…  

 Zoti Niazi! Ju keni qenë i pranishëm në Konferencën tragjike të Tiranës, që u zhvillua në prill të vitit 1956. Me çfarë cilësie morët pjesë në të?
Isha njëri nga delegatët e Konferencës, i zgjedhur si i tillë nga organizata e partisë e Tiranës. Unë sakaq isha sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit që mbuloja sektorin e propagandës.

Kur nisi punimet Konferenca e Partisë dhe si u procedua me seancat e saj?

Fiqrete Shehu
Konferenca e Partisë së Tiranës filli në paraditen e 14 prillit në sallën e Estradës së Shtetit dhe u mbyll në mesditën e 20 prillit 1956. Pra, plot një javë. Ajo vinte si një përmbyllje e fushatës së zgjedhje në Parti që kishte nisur disa muaj më parë. Rreth 200 e ca organizata partie në kryeqytet kishin zhvilluar mbledhjet llogaridhënëse dhe kishin zgjedhur organet e tyre drejtuese, delegatët e Konferencës, përfaqësinë e saj, një strukturë përgjegjëse kjo për rendin e procedurave në Konferencë. Komiteti i Partisë së rrethit që kishte drejtuar këtë aksion politik, kishte evidentuar problematikën e konstatuar dhe mbi bazën e tij, së paku në aspektin formal, kishte përgatitur raportin zyrtar, i cili pasi u miratua në Byronë e Partisë, iu paraqit Konferencës. Pak a shumë kjo ishte një lloj kronologjie strikte për të tilla raste. Konferenca startoi me leximin e raportit nga sekretarja e Parë, Fiqrete Shehu. Pastaj u procedua me pyetje e diskutime. Pyetjet këtë radhë, fryma fshikulluese e tyre, sollën një klimë të paparashikuar, duke i futur punimet e Konferencës në një rrjedhë pa krye…

Para se të shkojmë te pyetjet, për të cilat është folur gjatë vitet e fundit, të kthehemi pak te situata politike në të cilën zhvilloi punimet Konferenca e Tiranës…
Konferenca e Tiranës mblidhej në vigjilje të Kongresit të Tretë të Partisë, që vlerësohej si aksioni politik më i madh i vitit. Kongresi zhvillohej një herë në katër vjet dhe ishte forumi më i lartë i Partisë, i cili zgjidhte piramidën drejtuese të saj. Kuvendet lokale që bëheshin në vigjilje të tij, parashikonin bilance, kuptohet pozitive dhe një entuziazëm në rritje për të marrë përsipër detyra të rëndësishme për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë. Kjo për sa i përket aspektit zyrtar, atij propagandistik të çështjes, ndërkohë që në brendësi, në ecurinë ekonomike, në zhvillimet sociale, ashtu siç u evidentuan edhe nga mbledhjet e organizatave të partisë, kishte një problematikë kritike. Shqipëria në atë periudhë përjetonte një krizë të rëndë, që kishte keqësuar mirëqenien e qytetarëve. Pak a shumë ky ishte   konteksti i zhvillimeve të brendshme. Faktori i jashtëm sakaq dominohej më së shumti nga fryma që kishte shkaktuar Kongresi XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që ishte distancuar përfundimisht nga Stalini dhe kishte krijuar një klimë të re në qëndrimin ndaj kultit të individit, bashkekzistencën paqësore, raportet e udhëheqjes me bazën e Partisë etj. Konferenca e Tiranës mblidhej kështu vetëm pak javë pas Kongresit të Partisë më të madhe të bllokut komunist…
A mund të themi që fryma e Kongresit XX të PKBS ishte gjeneratori i protestës masive që u demonstrua në Konferencën e Partisë së Tiranës?
Në analizën retrospektive që i bëhet shpesh Konferencës së Partisë së Tiranës, janë shfaqur dy qasje të ndryshme. Pjesa më e madhe e dëshmitarëve, por edhe studiues të shumtë janë shprehur se Konferenca e Tiranës dhe shpërthimi i protestës aty nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Kongresin XX. Ka një pjesë tjetër, më të vogël në numër, që nuk e njeh gjendjen e atëhershme dhe mendon se Konferenca e Tiranës është reflektim i frymës së punimeve të Kongresit XX të PKBS. Gjykime të tilla subjektive janë jashtë realitetit dhe autorët e tyre paragjykojnë kritikat e guximshme të ish-komunistëve të ndershëm, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, intelektualë, nëpunës e punëtorë, duke dashur kështu të krijojnë përshtypjen se në atë regjim totalitar askush nuk pipëtinte, se të gjithë ishin mësuar të thoshin lepe-peqe.
Sidoqoftë, impakti i frymës së Kongesit XX nuk mund të përjashtohet…
Kongresi XX u zhvillua në shkurt të vitit 1956, ndërkohë që  pakënaqësitë e heshtura ose me gjysmë zëri kishin nisur qysh më parë. Komunistë e kuadro të ndryshëm kishin filluar të reagonin për mjaft çështje, që gjykonin se stononin në realitetin politik. Le të kujtojmë këtu goditjet kundër Sejfulla Malishovës, Tuk Jakovës, Bedri Spahiut etj., orientimet për ashpërsimin e luftës së klasave, gjë që cenoi unitetin në popull, sepse shikohej me syrin e armikut dhe ai që nuk ishte i tillë. Flitej natyrisht për parime të mira, madje etiketoheshin edhe demokratike, por nuk zbatoheshin. Mbeteshin vetëm fjalë e mesazhe të bukura. Thuhej se organet e drejtësisë ishin të pavarura, por në fakt në komandë ishte partia, madje kjo shprehej zyrtarisht me moton “Politika në plan të parë”. Ndihej kjo gjendje kritike, jo vetëm në parti, por edhe në popull. Zhgënjimi shfaqej kudo, por njëherazi vazhdonin të forta edhe iluzionet. Situata ekonomike që rëndohej dita-ditës, ishte një faktor kokëfortë, që nuk mund t’i anashkalonte konferencës, pavarësisht konsekuencave që ishin të pashmangshme…

Pra, ju e përjashtoni efektin e Kongresit XX, ndërkohë që, fill pas tij Enver Hoxha botonte te “Zëri i Popullit” një shkrim, që fund e krye mishëronte frymën dhe idetë e reja të këtij Kongresi…
Është e vërtetë që Enver Hoxha vetëm pak ditë para Konferencës së Tiranës botoi te “Zëri i Popullit” artikullin “Marksizëm-leninizmi mëson se populli është krijuesi i historisë”, ku binte në sy një qasje tjetër, disi më liberale e tij, por përsëri nuk mendoj se ajo frymë në Konferencë ka lidhje me Kongresin XX dhe refleksionet e Enverit mbi vendimet e këtij të fundit. Këtë, ndër të tjera, e vërteton mënyra si reagoi ai në Konferencë, duke iu kundërvënë brutalisht çdo mendimi ndryshe, sidomos kritikave për shkëputje të udhëheqjes nga baza dhe problemet e saj. Enver Hoxha në atë artikull shkruante se “Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik e dënoi me të drejtë kultin e individit të Stalinit”, madje bënte thirrje që mbi këtë bazë, partia jonë “të shtojë përpjekjet për të vendosur kolegjialitetin si parim udhëheqës të partisë”, por përballë atij uragani kritikash e vërejtjesh në konferencë, mbajti një qëndrim katërçipërisht të kundërt, sa sektar, aq edhe brutal. Porositë e Hoxhës për të hapur gojët pa ndrojtje para partisë, siç e vërtetoi edhe Konferenca e Partisë së Tiranës, ishin vetëm demagogji. Ai ishte mjeshtër për gjëra të tilla. Enveri në artikullin e mësipërm pohonte se në “mjaft raste janë dhënë dënime të fryra, sidomos në periudhën deri në Kongresin e Parë të Partisë, në nëntor 1948”, madje përmendte edhe raste konkrete, por kur kjo çështje u shtrua në Konferencë, ai ngriti një kryqëzatë shfarosëse, sidomos ndaj atyre që kërkuan rishqyrtimin e Tuk Jakovës, Bedri Spahiut, Sejfulla Maleshovës e ndonjë tjetri që ishin shpallur më herët elementë antiparti dhe ishin degdisur ose në burg, ose në internim. Pra, ideja e Hoxhës e shprehur te “Zëri i popullit”, në Konferencë nuk funksionoi. Nuk funksionoi se autori i këtyre mesazheve u bë vetë kundërshtari më i flaktë i tyre…

A mund të themi që mesazhet e Enverit në artikullin për luftën kundër kultit të individit, ishin kurthi i radhës, ku ranë shumë prej jush?
Në pamje të jashtme, sidomos në vështrimin pas kaq dekadash, mund të duket kështu, por nuk është e vërtetë. Shkrimi i Enverit te “Zëri i Popullit”, fill pas Kongresit të XX dhe kryqëzatës që i bëri ky i fundit Stalinit, kishte tjetër destinacion. Nëpërmjet tij, Hoxha kërkonte t’u krijonte përshtypjen liderëve të rinj të Moskës, se mbetej në sinkron me gjykimet dhe vijën e tyre politike. Pra, kreu i Partisë në këtë rast nxitonte të merrte bekimin e aleatëve strategjik. Sa për situatën e brendshme, siç ishte rasti i Konferencës së Tiranës, Enveri e kishte në kontroll absolut dhe, në këtë kuptim, nuk kishte nevojë për kurthe e gracka. Mënyra si operonte ai në krye të partisë e të shtetit, së paku në atë periudhë, nuk lejonte as hapësirën më të vogël për t’i rrezikuar pushtetin. Pastaj çështjet që u konsumuan në Konferencën e Tiranës, sado kritike, nuk pretendonin ndryshim kursi, por rregullime të pjesshme brenda sistemit. Fakti që Enveri nuk u pajtua as me to, madje ndëshkoi rëndë autorët e tyre, tregonte vendosmërinë e tij për të vazhduar rrugën staliniste…

Ka bashkëkohës që pohojnë se fryma kritike e Konferencës së Tiranës u inkurajua nga një klimë disi më liberale që vërehej në atë periudhë në kryeqytet, por jo vetëm…
Ka diçka të vërtetë në këtë pohim. Zhvillimet e fundit në vend, dhe në arenën ndërkombëtare, sidomos në bllokun e Lindjes, kishin sjellë një klimë më të lirshme. Një frymë e re kishte filluar të ndihej në radhët e komunistëve, por edhe të qytetarëve. Madje, aty këtu vëreheshin shenja të zbutjes së luftës së klasave. Pati kufizime në procesin e internimeve, u lirua disi e drejta e studimit për fëmijët me biografi të keqe, u frenua deri diku përjashtimi nga puna për çështje politike etj. Ndërkohë pati zhvillime të reja në sektorin e kulturës dhe artit. U përkthyen disa vepra të huaja, u vunë në skenë drama e shfaqje të ndaluara më parë, u rikthyen disa krijues që u ishte ndaluar e drejta e botimit, u hoqën një pjesë e kufizimeve në aktivitetet e rinisë etj. Megjithatë, përballë këtyre ndryshimeve, nëse mund t’i quajmë të tilla, vendi ishte mbërthyer nga një krizë e thellë ekonomike, që e varfëronte gjithnjë e më shumë jetesën e qytetarëve. Ndodhte kjo kur lidershipi politik me krejt nomenklaturën komuniste ishte shkëputur totalisht nga realiteti  dhe jetonte në bollëk, me privilegje të shumta jo vetëm për vete, por edhe rrethin e ngushtë. Është kjo periudha kur nisi të institucionalizohej blloku i udhëheqjes në Tiranë dhe strehëzat e bllokmenëve lokalë në rrethe. Kontrasti i thellë në mënyrën e jetesës së udhëheqjes dhe masave punonjëse filloi të ndihej në formën e pakënaqësisë në radhët e qytetarëve, por edhe të komunistëve të thjeshtë. Gati në të gjitha mbledhjet e organizatave të partisë së Tiranës që u zhvilluan para Konferencës së prillit ’56, u ngritën probleme të shumta, ku herë drejpërdrejt e herë tërthorazi viheshin në dukje salltanetet e drejtuesve të lartë…

Pra, pakënaqësitë që ngritën delegatët në Konferencë, ishin shprehur më parë në mbledhjet e partisë. A pati reagime nga udhëheqja dhe të deleguarit që ndoqën këtë situatë të pazakontë në vigjilje të Konferencës?
Në të gjitha mbledhjet llogaridhënëse që zhvilluan organizatat e Tiranës, dolën probleme nga më të ndryshmet që atakonin zhvillimet politike e ekonomike të vendit. Unë, si sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës për propagandën, isha i deleguar në mjaft syresh dhe gati te çdonjëra dolën probleme të tilla, ku veçoheshin ato për kushtet e përkeqësuara të jetesës së punëtorëve, nepotizmin, familjaritetin e sëmurë etj. Pa dyshim ato evidentoheshin hap pas hapi dhe i bëheshin prezent udhëheqjes. Ishte kjo një gjendje e njohur për kupolën e partisë dhe Enverin, madje prej tyre pritej që do të ngriheshin edhe në Konferencë, por jo me atë forcë dhe egërsi. Kjo ishte tërësisht e papritur për ta.

Në këtë sfond pak a shumë u mblodh Konferenca. Sa delegatë morën pjesë në të, kush e çeli, cili ishte i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë?
Me sa më kujtohet, bëheshin gati 250 delegatë që vinin nga 200 organizata partie. Ata ishin zgjedhur nga mbledhjet e zhvilluara në të gjitha qendrat e prodhimit dhe institucionet shtetërore sipas një formule përfaqësimi që ishte standarde për raste të tilla. Punimet e Konferencës, me sa mbaj mend, i deklaroi të hapura njëri nga sekretarët e Komitetit të Partisë së rrethit. Pastaj u procedua sipas rendit të ditës, që ishte miratuar më herët nga përfaqësia e Konferencës. I deleguar ishte Beqir Balluku, asokohe ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër. Punimet e ditës së parë përfunduan diku në mbrëmje të 14 prillit, për t’u riçelur të nesërmen, aty rreth orës 10:00 të mëngjesit…
vijon nesër

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura