Panorama TV ka siguruar foton e momentit të arrestimit të Ramazan Rrajës, nipit të deputetit socialist, Rrahman Rraja.
Ai shihet me pranga në duar mbas shpine dhe me armën në brez, me fishek në fole, gati për qitje.
Ramazan Rraja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij ishte dhënë masa e sigurisë arrest në burg në mungesë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
30 vjeçari u arrestua në një lokal në zonën e Fushë Krujës mbrëmjen e së mërkurës (19 prill).
“Në vijim të operacionit policor të koduar “Komploti”, të zhvilluar në janar të vitit 2023, nga Policia e Shtetit, për kapjen e 30-vjeçarit, strukturat operacionale dhe ato hetimore të Policisë së Shtetit dispononin informacion se shtetasi R. Rr. aktualisht fshihej në zonën e Krujës.
Bazuar në këto informacione, mbrëmjen e sotme, në vijim të operacionit policor të koduar “Komploti”, u kap në një lokal në zonën e Fushë Krujës dhe u vu në pranga shtetasi i shumëkërkuar R. Rr., 30 vjeç”, njoftoi policia.
I riu, i cili ishte i shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj ndodhej në Dubai, por pasi është kthyer në Shqipëri, është mbajtur nën vëzhgim nga autoritetet.
Përmes informacioneve të siguruara nga SPAK ai është arritur të lokalizohet dhe më pas është vënë në pranga në Urën e Gjolës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al