Pasi Eridon Qardaku rezultoi pozitiv me koronavirus, të parët që iu nënshtruan testit ishin dy shokët e dhomës së shkodranit. Stivian Janku dhe Majkëll Peçi rezultuan negativë dhe kjo qetësoi disi klubin ballshiot. Megjithatë, dje gjatë paraditës shërbimi epidemiologjik ka bërë tamponë edhe për 18 futbollistë të skuadrës ballshiote.
Në listën zyrtare që “Panorama Sport” ka siguruar, bie në sy mungesa e bërjes së testeve nga futbollistë të rendësishëm të Bylisit, pikërisht sulmuesi Saliu Guindo, braziliani Visente Mercedez, argjentinasi Fabian Munoz dhe qendërmbrojtësi lezhjan, Ditmar Bicaj.
Tamponë kanë bërë edhe trajneri Veljko Dovedan dhe bashkëshortja e tij që jetojnë në Ballsh, gjithashtu zv.trajneri Polizoi Arbri dhe trajneri i portierëve, Arbër Sino.
Për të qenë të sigurtë, testet janë kryer edhe për punonjësit e hotelit ku qëndrojnë të grumbulluar lojtarët e Bylisit në Ballsh.
E rëndësishme është që të gjithë kanë rezultuar negativë dhe sot ndeshja Bylisi-Tirana, e programuar për në orën 17:00 në Ballsh, do të luhet normalisht. I vetmi lojtar që sipas rregullave duhet t’i nënshtrohet karantinës 14-ditore është pikërisht Eridon Qardaku, i cili ka shkur që dje pranë familjes në Shkodër.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al