“Fotot”, ambasadori Arvizu: Enver Hoxha ka qenë një monstër që ka sjellë vuajtje

Nov 19, 2014 | 23:13
SHPËRNDAJE

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi në një intervistë në “Tonight” të gazetares Ilva Tare në Ora News se SHBA ka një qëndrim të qartë për atë se çfarë ka përfaqësuar Enver Hoxha për Shqipërinë dhe për rishfaqjen e fotove ditëve të fundit në disa ceremoni zyrtare. Ambasadori Arvizu ritheksio shprehjen e deklaruar më parë prej tij se shfaqja e imazheve të Hoxhës në ceremonitë e 70-vjetorit të Çlirimit është “një fyerje për shqiptarët”.

Sipas ambasadorit Arvizu, Enver Hoxha ka qenë një monstër që ka sjellë vetëm vuajtje për popullin shqiptar.

“Po ndiqja ceremoninë dhe po e shihja në televizor dhe pashë gjithë kabinetin, Kryetarin e Kuvendit, personat qe mbanin foto të Enver Hoxhës, dhe thashe se kjo është një qeveri që ka punuar kaq fort dhe ka bërë një punë shumë të mirë përsa i përket projektimit të një imazhi pro eruopian për statusin në BE dhe arriti që të ishtë vizita e Papës dhe fjalët në fakt ishin të miat. Stafi im më tha që kjo fjala e fundit “një fyerje për shqiptarët është e forte” dhe unë thashë që ashtu dua që të jetë e fortë. Kjo është një deklaratë serioze. Kjo është e rëndësishme që SHBA të mbajë një qëndrim të qartë për një çështje të tillë. Ky ka qenë një monstër që ka sjellë vuajtje. Nuk ka asgjë për ta glorifikuar, dhe shumë prej sfidave janë trashëgimi e Enver Hoxhës, kjo quhet “Enverizëm”, këtë e shohim edhe të të majtët por edhe të të djathtët”,-deklaroi Arvizu në emisionin “Tonight” në “Ora Neës”.

Në intervistën e tij, Arvizu tha se është shqetësuese jo vetëm mbajtja e këtyre fotova nga veteranët e Luftës, por edhe nga të rinj shqiptarë.

“Është e vështirë që të mund të vlerësosh se cilat janë motivimet, unë thjesht nuk e di, por SHBA kanë besim te kjo qeveri, edhe qeveria e mëparshme që nuk kanë asnjë marrëdhënie me Hoxhën dhe trashëgimninë që ai përfaqëson. Por disa prej këtyre pleqëve shfaqen sërish, por nuk është shqetësimi i personave 80 vjeç, por janë të rinjtë. Më kujtohet imazhi i atyre fëmijëve me grushtin dhe kjo është vërtet një fyerje.”,-deklaroi ai.

Në intervistën e tij, Arvizu vlerësoi me nota të larta politikën e jashtme të ndjekur nga qeveria, ndërsa i bëri thirrje opozitës që të rikthehet në Parlament, pasi ajo sipas tij, ka një rol të rëndësishëm përballë qeverisë dhe shqiptarëve.

Lidhur me çështjen e korrupsionit, Arvizu deklaroi se niveli i korrupsioni nuk është përkeqësuar, por nuk është e qartë se sa është përmirësuar lufta ndaj tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura