FOTOT/ Tirana ndez dritat e festave, Veliaj: Të jemi më solidarë dhe të ndihmojë njeri-tjetrin! Ftoni sa më shumë familjarë në kryeqytet

Dec 5, 2023 | 20:06
SHPËRNDAJE

Tirana zyrtarisht ka hyrë në periudhën më të bukur të vitit, atë të festave të fund vitit. Në sheshin ‘Skënderbej’ janë ndezur dritat e pemës së Krishtlindjeve.

tirana ndez dritat (2)

Ceremonia nisi me këngë festive dhe vijoi me fjalën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ftoi të gjithë të mbajnë “ndezur” dritën e mirë brenda vetes, për të çuar përpara punë të mira për familjen dhe vendin.

Veliaj tha se është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë më solidarë, më të dashur dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, sidomos këtë muaj festash.

“Përveç festave te Pazari, Kalaja, Liqeni, Kopshti Zoologjik, apo këtu në shesh, uroj që secili prej nesh ta mbajë ndezur “dritën e mirë” që ka brenda vetes dhe sa herë zgjohet në mëngjes t’i bëjë një pyetje vetes: “Sot do zgjohem dhe do bëj mirë apo keq? Sot do inkurajoj njerëzit apo do merrem me llafe e do i shaj? Sot do çoj përpara punë të mira për familjen, për vendin, për qytetin apo do bëhem pengesë e dikujt? Është shumë e rëndësishme që këtë dritë që ndezim sot, ta mbajmë ndezur gjithë kohën e festave. Dua që këto festa të jenë plot me solidaritet dhe mirësi e dashuri. Kërkesa që kam për secilin është: Nëse keni pak më shumë ëmbëlsira, ndihmoni dikë që nuk ka. Nëse natën e Viti të Ri, natën e Krishtlindjes, gjatë festave, keni më shumë ushqime se ç’ju duhet, ndihmoni dikë që ka më shumë nevojë; nëse keni mjaftueshëm pulovra e bluza, jepini edhe atij që ndoshta s’e ka mundësinë të festojë si të gjithë të tjerët””, tha Veliaj.

tirana ndez dritat (3)

Kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve të Tiranës që të ftojnë sa më shumë familjarë, që i kanë brenda apo jashtë vendit, për të kaluar festat në kryeqytet.

“Është shumë e rëndësishme që këto festa të kenë dashuri pa fund. Këtë vit Tirana ishte Qyteti Evropian i Sportit. Jam kaq entuziast që, shumë nga çunat e gocat e Tiranës merren me aktivitete sportive. Tirana ka pasur numrin më të madh të turistëve ndonjëherë, ndaj duam që edhe festat të prodhojnë ekonomi. Nëse keni kushërinj e të afërm, miq, familjarë, ftojini për të kaluar festat në Tiranë, se duke shpenzuar në Tiranë, krijojmë ekonomi për vendin tonë dhe punësim për njerëzit tanë. Ndezim sot pemën e parë dhe më të  madhe në Tiranë, për të vijuar festat gjatë gjithë këtij muaji, me solidaritet, me dashuri dhe mirësi për njeri-tjetrin!”, përfundoi Veliaj.

Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një mini-qytezë festash me një super-atmosferë për të gjithë ata që do ta vizitojnë

tirana ndez dritat (1) tirana ndez dritat (4)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura