FOTOT/ Turistë kthehen mbrapsht sepse nuk kanë ku të kalojnë

Jan 4, 2017 | 19:54
SHPËRNDAJE

Bora tradicionale e këtij fillim viti nuk e ka bllokuar ende rrugën e Qafë Thores. Të paktën edhe për disa orë. Por turistët nga frika janë kthyer mbrapsht. Edhe pse me një fuoristradë dhe me zinxhirë në gomat e saj, frika se mund të bllokoheshin nën mbretërinë e borës i ka detyruar që të marrin sërish rrugën për në Malësinë e Madhe e më pas në Shkodër. Andej nga kanë ardhur.15902741_1797760827131919_15650124_o

Qafë Thorja është një prej segmenteve që lidh fshatin Theth të njësisë Shalë të Dukagjinit, me Shkodrën ose më saktë Malësinë e Madhe. Rruga deri në Qafë Thore është e asfaltuar dhe udhëtohet në mënyrë komode. Sigurisht kur nuk ka reshje bore. Ama llogaritë janë bërë gabim sepse gjysmën e vitit orteqet me borë bllokojnë rrugën. Jo vetëm se banorët nuk mund të kalojnë andej por një humbje e madhe janë edhe qindra turistë që në sezone të ndryshme si shkak i bllokimit të rrugës nga bora detyrohen të kthehen mbrapsht. Kështu ndodhi edhe kësaj here. Histori që përsëritet.15878348_1797760780465257_1909906873_o

Për të mos mjaftuar, marrja e masava apo gatishmëria që institucionet pretendojnë për banorët atje që përjetojnë vështirësitë janë një përrallë e bukur. Vendalitë, ata që kanë zgjedhur të mos e braktisin Thethin as në dimër thonë se nuk ka asnjë mjet për të pastruar borën. Në rrugë nuk është hedhur kripë dhe se do të mjaftojnë pak orë për t’u bllokuar totalisht. Në këtë rast nuk mund të thuhet si për t’ju shmangur në formë L-je “në mëshirë të fatit” por mund të thuhet sy më sy “në papërgjegjshmërinë e shtetit shqiptar dhe çdo institucioni në këto 25 vite”.15878158_1797719517136050_1564574572_o

Justifikimi tradicional i përgjegjësve që nuk janë të zotë të zhbllokojnë një aks rrugor është se “nuk ke ça i bën, ka shumë borë”. Në fakt ke ça i bën nëse fadromat dhe borëpastrueset vihen në efiçencë dhe janë pjesë e teknologjisë të viteve të fundit. Në të kundërt në 70% të Europës nuk do mund të kalohej dhe bora do bënte kërdinë.

Në mos ky justifikim klasik, ka edhe një tjetër se mund të kalohet nga ana e lumit Kir. Aty ku direkt lidhet Shkodra me njësinë Shosh dhe më pas Shalë të Dukagjinit. Është e vërtetë se mundësitë janë më të mëdha për të kaluar andej por e gjithë rruga nga fundi i Prekalit apo fillimi i Shoshit dhe deri në Theth është një vuajtje më vetë. Një dramë 6-7 orëshe e për ata që nuk dinë rrugën edhe 8-9 orëshe. Një segment i amortizuar totalisht dhe që duhet kaluar veç me mjete të larta. E po të mos kesh fat, nga rrezikshmëria e rrugës, duke qenë se është e ngushtë apo ka edhe ngrica në këtë mot bore si pista për ski, atëherë përfundon dhjetra metra apo edhe qindra metra në humnerat e pafundme ku nuk ka shpëtim. Tragjedi që kanë marrë dhjetra jetë njerëzish në këto 25 vite. Në rast se bora tregohet e pamëshirshme dhe bie me intensitet ditët në vijim atëherë edhe ky aks bllokohet siç ndodhi në 2014-ën apo edhe 2012-ën. Dhe në rast të bllokimit atëherë i gjithë Dukagjini me tre njësitë e tij, Shosh, Shalë dhe Pult izolohet.  15877839_1797760733798595_1718220640_o

U ndërmor një nismë nga një grup biznesmenësh për të mbledhur para por kaloi me zhurmën e pak ditëve dhe sot thuajse është harruar. Historia se një projekt për rrugën e Dukagjinit është “rrëmbyer” në jug nuk ngushëllon askënd sepse nuk zgjidh asgjë veçsa krijon një tymnajë debatesh jo konstruktive. Qeveritë vijojnë të flenë gjumë e ndërsa banorët në Dukagjin përpëlitën si pinguinët në Alaskë kurse turistët si zogjtë në bat (të zënë në borë) si rasti i grupit francez vite më parë. Janë bërë me qindra premtime dhe nga votat e dukagjinësve kanë dalë dhjetra deputetë por gjithçka mund të ketë ndodhur veç asfaltimi i rrugës jo. Një shpresë e venitur në 25 vite. Një rrenë që përsëritet krye dy vitesh, sa herë ka fushata zgjedhore.

E tash historia përsëritet aq sa dikujt nuk i bën më përshtypje. Turistë që kthehen mbrapsht sepse s’kanë ku kalojnë, banorët që kthehen në aventurierë duke sfiduar orteqet që mund t’i zënë në çdo moment e të tjerë që dimërojnë nën jorganë se s’kanë asnjë mundësi tjetër.15857461_1797760283798640_2015389892_o

Të vetmet që mbijetojnë janë kullat stoike të zonës, fytyrat epike të të vegjëlve si figurantë filmash të Ridley Scot, pak të rinj qëndrestar dhe të moshuarit që po t’i takosh ngjajnë me personazhe legjendash skoceze. Nuk është kapitulli i një historie lufte të padëgjuar por një realitet i gjallë i zhytur në mjerim në plot dy dekada e gjysëm.

Harrojnë të kurdisin orën sa herë shkelin Dukagjinin! E bora që nuk pyet për orën që i ka ngecur politikës tëhu e 25 vite ma parë! Ata të shkretët duan veç rrugën!

Panorama/ S.N.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura