Fqinjë

Jul 23, 2024 | 8:28
SHPËRNDAJE

NGA LEONARD DEMI leonarddemi

“Ne i zgjedhim miqtë dhe armiqtë, por jo fqinjët” – G. K. Chesterton

Më 18 korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë me të cilën fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të bashkëpunojnë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, duke shfrytëzuar çdo instrument ligjor. Me këtë rast, dëshiroj të risjell në vëmendje të lexuesit një shkrim, që kam botuar te gazeta “Shekulli”, më 7 qershor 2006, të cilin po e trajtoj në këndvështrimin e arritjeve të vendit tonë gjatë procesit të integrimit euroatlantik (NATO dhe BE), me besim se ndihmon në qartësimin e njohurive mbi këtë ligj, i cili, midis të tjerave, vë nën sekuestrim konservativ pasuritë e shqiptarëve anembanë Greqisë dhe i jep shtetit grek të drejtën për administrimin e tyre.

I

Dekreti i Qeverisë greke me numër 2636/40 i vitit 1940, si dhe dekreti i Mbretërisë së Greqisë, nënshkruar më datë 10 dhjetor 1940 e cilësojnë Shqipërinë si një vend armik me të cilin Greqia është në luftë. Ky vendim i kundërpërgjigjej “dekretit mbretëror shqiptar” Nr. 194, të datës 9 qershor 1940 –XVIII, ku neni 1 i të cilit (fjalë për fjalë) thotë: “Mbretnija e Shqipnis njifet e hyme në luftë me ato shtete me të cillët Mbretnija e Italis ka me qenë në Luftë”.

Kur themi dekret mbretëror shqiptar, kemi parasysh dekretin e Viktor Emanuelit III, i cili më 1939 u shpall mbret i Italisë dhe i Shqipërisë (këtu është fjala për dekretin mbretëror italian mbi gjendjen e luftës, të datës 8 korrik 1938-XVI, Nr. 1415, neni 3). Për të marrë firmën e qeverisë shqiptare mbi këtë dekret, Musolini përdori Françesko Jakomonin, mikun e tij të besuar dhe mëkëmbësin e mbretit italian në Tiranë. Kështu, në qershor të vitit 1940, Jakomoni detyroi Qeverinë shqiptare të Vërlacit ta miratonte këtë ligj. Qeveria shqiptare e realizoi këtë kërkesë, më 9 qershor 1940 (Gazeta Zyrtare e vitit 1940).

II

-Më 28 tetor 1940, pas një ultimatumi që Qeveria italiane i drejtoi Athinës, ushtritë fashiste italiane sulmuan Greqinë në drejtim të Janinës dhe Follorinës. Pas disa sukseseve të para, trupat italiane u kundërsulmuan nga forcat greke, u zmbrapsën dhe u thyen.

-Në këtë luftë u detyruan me forcë të merrnin pjesë edhe dy batalione shqiptare: “Tomori” dhe “Taraboshi”. Ushtarët shqiptarë nuk pranuan të luftonin kundër forcave greke dhe një pjesë e tyre u bashkua me luftëtarët grekë.

-Më 22 nëntor 1940, në një letër që Musolini i dërgon Hitlerit shtrëngohet të pranonte: “Gati të gjitha trupat shqiptare lëshuan luftën. Ato ngritën krye kundër reparteve tona…”.

Më tej, ai e cilëson këtë element si një nga tre faktorët kryesorë të disfatës italiane. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe mareshalli Badolio në kujtimet e veta. Gjatë Luftës Antifashiste, 1939-1944, populli shqiptar luftoi kundër dy okupatorëve të huaj: fashistëve italianë dhe kundër nazistëve gjermanë, të cilët pushtuan vendin tonë njëri-pastjetrit. Shqiptarët, si pjesëtar aktivë të koalicionit antifashist, dhanë kontributin e vet në fitoren historike mbi fashizmin dhe i siguruan vetes të drejta të plota e të barabarta krahas anëtarëve të tjerë të këtij koalicioni.

III

Pas çlirimit të Shqipërisë nga fashistët dhe nazistët, një çështje me rëndësi teorike dhe praktike është edhe fuqia juridike që patën normat juridike të nxjerra gjatë pushtimit italian dhe gjerman, si dhe normat juridike, që organet përkatëse të shtetit shqiptar nxorën përpara pushtimit fashist. Më 24 maj të vitit 1944, në Përmet, u formua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, trup ligjvënës dhe ekzekutiv, dmth., një organ me atributet e një qeverie provizore. Më 17 maj 1945, ky organ miratoi ligjin Nr.61, i cili shfuqizonte dhe shpallte si të paqena të gjitha normat juridike, që kishin dalë gjatë kohës së pushtimit italian dhe gjerman. Normat juridike, që ishin në fuqi përpara 7 prillit 1939 mbeteshin të vlefshme edhe për një kohë të ardhshme, në qoftë se ato nuk ishin në kundërshtim me frymën dhe me normat e reja të nxjerra nga Këshilli Antifashit Nacionalçlirimtar dhe nga Qeveria Provizore (Gazeta Zyrtare Nr. 12, 1945).

Nga analiza e nenit 1 të këtij ligji vëmë re se ky nen shpreh qartë dy momente:

(i) shfuqizimin (abrogimin) e normave juridike të periudhës së pushtimit (shfuqizimi i referohet periudhës së ardhshme, që nga dalja e ligjit) dhe

(ii) deklarimin e tyre si të paqena.

Siç është argumentuar edhe në literaturën tonë juridike (Meksi, V., Gjendja juridike e politike e Shqipërisë gjatë pushtimit fashist italian, Drejtësia Popullore, Nr. 5, 1967), pushtimi ushtarak italian, solli edhe zhdukjen e shtetit sovran dhe të pavarur shqiptar. Gjatë gjithë kohës që zgjati pushtimi fashist, lufta kundër pushtuesve nuk pushoi dhe organet e krijuara nga pushtuesi, natyrisht, nuk ishin veçse vegla të tij, që nuk përfaqësonin asgjë.

Më 11 janar 1946, në Tiranë, u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila doli nga zgjedhjet parlamentare të 2 dhjetorit 1945. Ky parlament, me vendimin e vet Nr. 191, shpalli Shqipërinë Republikë Popullore dhe me vendimin Nr. 192 miratoi: “Aprovimin e të gjithë ligjeve dhe vendimeve të dala nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar qysh prej Kongresit të Përmetit deri në ditën e mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese”. Në këtë kuadër, një element tjetër me rëndësi në dy plane: në planin e brendshëm dhe veçanërisht, në planin e jashtëm është Traktati i Paqes me Italinë, nënshkruar në Paris më 10 shkurt 1947, midis shteteve ndërluftuese të Koalicionit Antifashist dhe Italisë. Më 9 tetor 1947, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi aderimin e Shqipërisë në këtë Traktat dhe autorizoi Qeverinë e RP të Shqipërisë që të aksedojë në të. Me depozitimin e aktit të aksedimit pranë qeverisë franceze, Shqipëria hyri në radhën e “fuqive shoqe” (Traktati i Paqes me Italinë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botimi i parë, 1985). Traktati i Paqes me Italinë jo vetëm që e detyron Italinë të njohë e të respektojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e shtetit shqiptar, duke përfshirë edhe ishullin e Sazanit; të heqë dorë në favor të Shqipërisë nga të gjitha të drejtat, koncesionet, interesat e përfitimet e çdo lloji në Shqipëri të fituara si rrjedhim i agresionit të 7 prillit 1939 etj., por nga pikëpamja juridike ndërkombëtare bën të pavlefshme Gjendjen e Luftës me Greqinë, e cila ripohohet në nenin 31 të Traktatit të Paqes me Italinë, që thotë: “Italia njeh se janë nul e të paqena të gjitha marrëveshjet ose traktatet e arritura në mes Italisë dhe autoriteteve, që ajo kish ngritur në Shqipëri që prej 7 prillit 1939 e deri më 3 shtator 1943 (3 shtatori 1943 është dita e nënshkrimit të armëpushimit midis Italisë dhe aleatëve)”.

Më 22 qershor 1957, Republika Popullore e Shqipërisë dhe Republika e Italisë arritën marrëveshjen për rregullimin e çështjeve që rrjedhin nga Traktati i Paqes me Italinë, e cila hyri në fuqi më 30 tetor 1957, kur të dyja vendet shkëmbyen instrumentet e ratifikimit. Deklarimi i nulitetit të marrëveshjeve të lidhura midis Italisë fashiste dhe Qeverive të Tiranës gjatë kohës së pushtimit vërteton plotësisht tezën e nulitetit edhe të akteve me karakter të brendshëm, të nxjerra nga Qeveritë fashiste të Tiranës dhe nga organet e tjera në shërbim të pushtuesit. Kështu, nuliteti i të gjitha akteve me karakter të brendshëm ose ndërkombëtar të shpallura nga këto organe përfshijnë, midis të tjerave, edhe “vendimin” e Qeverisë të Shefqet Vërlacit për t’i shpallur luftë Greqisë pas agresionit të Italisë fashiste kundër popullit grek. Duke u bazuar në nulitetin e të gjitha normave dhe vendimeve të nxjerra nga Qeveritë shqiptare të kohës së pushtimit fashist, bie poshtë pretendimi se midis Greqisë dhe Shqipërisë ekziston “gjendja e luftës”. Në thelb, të qenit “në luftë” tregon një formë të ashpër dhe të përshkallëzuar konflikti midis dy shteteve, që përfshin: dimensione ushtarake, ligjore, ekonomike dhe humanitare. Elementët kryesorë apo karakteristikat, që zakonisht shoqërojnë gjendjen e luftës janë: aktivitetet luftarake, operacione dhe angazhime ushtarake aktive ndërmjet forcave të armatosura të dy shteteve; njohjen ndërkombëtare, dmth., komuniteti ndërkombëtar mund ta njohë gjendjen e luftës dhe kjo ndikon në marrëdhëniet diplomatike dhe mund të përfshijë të drejtën ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare; pasoja ligjore, gjendja e luftës prek statusin ligjor të vendeve dhe qytetarëve të tyre, duke përfshirë zbatimin e ligjit humanitar (siç është Konventat e Gjenevës); ndikimi ekonomik: tregtia, udhëtimi dhe forma të tjera të ndërveprimit ndërmjet dy shteteve zakonisht ndërpriten; sidoqoftë, në disa raste, një ose të dy shtetet mund të shpallin zyrtarisht gjendjen e luftës, por kjo jo gjithmonë shoqërohet me karakteristikat e gjendjes së luftës.

IV Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë, që të dy vendet kanë nënshkruar më 21 mars 1996 dhe Traktati i Uashingtonit e kanë rinovuar dhe sanksionuar anakronizmin dhe skizofreninë historike të ekzistencën të ligjit luftës me Shqipërinë (cilësime të Ministrave të Jashtëm të Greqisë, Nikos Denidas, më 20 Tetor 2020 dhe Nikos Kotzias, më 11.05.2018). Traktati i Uashingtonit, i cili themeloi Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) më 4 prill 1949, nuk trajton në mënyrë të qartë rastin e pranimit të dy shteteve, që janë në luftë apo në gjendje lufte me njëri-tjetrin. Neni 10 i traktatit thotë se anëtarësimi është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit të Atlantikut të Veriut” dhe se pranimi kërkon miratim unanim nga të gjithë shtetet anëtare, dmth., që Greqia ka votuar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në praktikë, konsideratat politike dhe të sigurisë të qenësishme në parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s (neni 5) do ta bënte pothuajse të pamundur që NATO të pranonte dy shtete, që janë në konflikt aktiv me njëri-tjetrin. Një situatë e tillë do të ndërlikonte unanimitetin e mbrojtjes të Aleancës (mbrojtjes kolektive) dhe mund të minonte kohezionin dhe efektivitetin e saj.

Neni 8 i Traktatit të Uashingtonit përcakton parimin që çdo marrëveshje ose traktat ndërkombëtar i lidhur nga anëtarët e NATO-s nuk duhet të bie ndesh me detyrimet e tyre të parashtruara në të. Kësisoj, sipas këtij neni, angazhimet dhe detyrimet e anëtarëve të NATO-s ndaj njëri-tjetrit kanë përparësi mbi çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare, që mund të kenë. Kjo ndihmon në ruajtjen e integritetit dhe unitetit të Aleancës duke parandaluar konfliktet e interesit, që mund të minojnë sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e ndërsjellë.

V. Epilog

Të gjitha Qeveritë greke që kanë ardhur në fuqi pas datës së nënshkrimit të “Ligjit të Luftës me Shqipërinë” e deri më sot nuk i kanë kërkuar Parlamentit grek ta abrogojë absurditetin apo skizofreninë e “Ligjit të Luftës me Shqipërinë”. Pyetja e thjeshtë është: PSE?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura