Fredi Beleri la qelinë, sot udhëton drejt Strasburgut për t’u betuar si eurodeputet! Çfarë diskutoi me kryeministrin e Greqisë

Jul 16, 2024 | 7:43
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Fredi Beleri la dje ambientet e burgut të Fierit, ku vuan dënimin me 2 vite heqje lirie. Ai u prit jashtë ambienteve të burgut nga familjarët dhe makina e ambasadës greke.

beleri mitsotakis

Beleri paralajmëroi se vendimin e GJKKO që e dënoi atë me dy vite burg për blerje votash do ta anikmojë deri në Gjykatën e Strasburgut, nëse nuk gjen zgjidhje nga drejtësia shqiptare. Deklarata e tij u bë nga aeroporti i Rinasit, ku është nisur drejt Athinës më pas drejt Strasburgut, ku do të bëjë edhe betimin si eurodeputet. Në aeroportin e Rinasit, Fredi Beleri u tha mediave shqiptare se të drejtën e tij për pafajësi do ta kërkojë jo vetëm në institucionet shqiptare, por edhe ato europiane. Ndërsa për zgjedhjet e Himarës tha se qytetarët më 4 gusht do të vendosin dhe dëshira e tyre do të respektohet.

“Do ta ankimoj në të gjitha hallkat e drejtësisë shqiptare dhe po nuk gjeta të drejtën edhe në Strasburg”, – tha eurodeputeti i zgjedhur nga qytetarët grekë. Beleri falënderoi Drejtorinë e Burgjeve që mori vendimin për ta liruar përkohësisht që ai të betohet se deputet i Parlamentit Evropian. Vendimet e drejtësisë, ai i quan me dy standarde, ndërsa thekson se tashmë çdo gjë do t’i kthehet normalitetit. “Po iki drejt Athinës për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të PE në Strasburg. Nesër atje ka vendime të rëndësishme. Besoj se që këtej e tutje do t’i kthehem normalitetit. Për mua ka pasur dy standarde nga ana e drejtësisë dhe vazhdojnë akoma.

Herët a vonë dëshira e sovranit respektohet. Më 4 gusht himarjotet do t’i japin akoma një përgjigje. Dëshira e tyre do respektohet dhe rezultati do pasqyrohet”, – deklaroi Beleri. Beleri udhëton së bashku me eurodeputetët e tjerë nga Athina drejt Strasburgut, ku më 16 korrik do të bëjnë betimin. Si pas lejes së miratuar, ai ka kohë deri në orën 16:00 të 20 korrikut për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri. Drejtoria e Burgjeve ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje dhe akomodimin në hotel. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale në Bruksel. Belerit i është dhënë “lejen shpërblyese”, çka nënkupton se kemi të bëjmë me një marrëveshje politike mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, lidhur me këtë çështje.

TAKIMI

Pasi la ambientet e burgut, eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, mbërriti dje në aeroportin “Eleftherios Venizelos”, ku u prit ngrohtësisht pasi leja e tij për t’u transferuar në Strasburg u miratua nga autoritetet shqiptare. Fredi Beleri zhvilloi për rreth dyzet minuta në Athinë një takim me Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Kreu i qeverisë greke tha se Shqipëria duhet t’u përmbahet rreptësisht angazhimeve evropiane.

“Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara. Kjo është ajo që duam edhe ne, dhe ju duhet ta dini përveç kësaj, unë mendoj se e kam vërtetuar këtë në praktikë se unë qëndroj pranë njerëzve të pakicës kombëtare greke. Ne kemi gjithashtu çdo arsye për të kërkuar një Shqipëri që të përparojë në këto çështje, që të afrohet më shumë me Evropën, duke iu përmbajtur rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Mendoj se ky është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë”, – deklaroi kryeministri grek.

Greqia ka mbajtur deri tani të bllokuar hapjen e kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke këmbëngulur në zgjidhjen e çështjes “Beleri”. Belerit iu dha leje 5 ditore për sjellje të mirë në burgun e Fierit nga Drejtoria e Burgjeve për të qenë fizikisht prezent në seancat e Parlamentit Evropian që nisin të martën në Strasburg, ku ai do të bëjë betimin si eurodeputet. Para mbërritjes në Athinë, Beleri u deklarua përsëri i pafajshëm. Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKOsë me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia 2 ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura