Fshati pa rrugë, “braktisen” nga mjekja pesë mijë banorë

Feb 15, 2016 | 14:07
SHPËRNDAJE

Rreth 5 mijë banorë të fshatit Torovicë në Lezhë nuk marrin shërbim shëndetësor prej tre muajsh, pasi qendra shëndetësore e fshatit nuk ka mjek.

Infrastruktura e dëmtuar rrugore drejt Torovicës është pengesa kryesore, pasi asnjë mjek nuk pranon të shkojë për të shërbyer në këtë zonë. Po ashtu edhe godina e qendrës shëndetësore është në rrënim të plotë, me xhama të thyer dhe me lagështirë në të gjitha anët. Banorët luten që të mos sëmuren, pasi në rast të kundërt janë të detyruar që t’u kthehen metodave popullore.

TOROVICA

Ata kërkojnë që të gjendet një zgjidhje, pasi në këto kushte e ndjejnë veten të braktisur. Banori i Torovicës, Ndue Përlleshi, u shpreh se prej tre muajsh janë pa mjek dhe nuk mund të marrin shërbim as për shqetësimet më elementare. Sipas tij, ka pasur një mjeke të punësuar, e cila vinte të paktën një herë në javë, por edhe ajo është larguar.

“Në këto kushte, ne duhet t’i lutemi Zotit që të mos të sëmuremi, pasi për të marrë shërbimin shëndetë- sor duhet t’i drejtohemi Lezhës. Nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër”, u shpreh ai. Edhe banorët e tjerë kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të ndërhyjë pasi zona është e varfër dhe ata nuk kanë mundësi të shkojnë në Lezhë për çdo shërbim mjekësor që u duhet. Në lidhje me këtë situatë, drejtori i Shëndetit Publik në Lezhë, Arben Ristani, thotë se kanë bërë kërkese pranë Ministrisë së Shëndetësisë për mjek, por akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Normalisht në këtë zonë duhet të shërbenin dy mjekë. Deri para tre muajsh kemi pasur një mjeke, por ajo dha dorëheqjen, pasi nuk mund të shërbente në këtë zonë për shkak të kostos që kishte si pasojë e rrugës së shkatërruar. Kemi bërë kërkesë pranë Ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e mjekut dhe për ardhjen e një mjeku të ri. Duhet të them se askush nuk pranon që të punojë në këtë zonë për shkak të mungesës së rrugës, por gjithsesi ne jemi në pritje”, u shpreh Ristani, drejtor i Shëndetit Publik në Lezhë.

Për të marrë shërbim shëndetësor, banorët e Torovicës duhet të udhëtojnë drejt Balldrenit apo Bushatit, me kosto që jo në pak raste janë të papërballueshme për shumë familje që kanë probleme ekonomike në këtë zonë. Për raste më emergjente ata i drejtohen Spitalit të Lezhës.

LEZHE/ ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura