“Fundi i një epoke”- Tërheqja e Biden nga gara presidenciale, reagojnë Osmani dhe Kurti: Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë

Jul 22, 2024 | 13:39
SHPËRNDAJE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar mbështetjen që Biden i ka dhënë Kosovës, pasi ky i fundit njoftoi një ditë më parë tërheqjen e tij nga gara presidenciale.

osmani kurti biden kosova

Në një reagim në “X”, Osmani shpreeht se Biden gjithmonë ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës dhe se mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë.

“Nga ditët e tij si senator amerikan deri në mandatin e tij si zëvendëspresident dhe tani si President, Joe Biden gjithmonë ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë. I urojmë Presidentit Biden një vazhdim të suksesshëm të mandatit të tij dhe gjithë të mirat për të, për Jill Biden dhe familjen e tij në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani në “X”.

Një reagim ka ardhur dhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se tërheqja e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, nga gara për rizgjedhje, shënon “fundin e një epoke”.

“Bota – e veçanërisht Kosova – është një vend më i mirë dhe më i sigurt, për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, shkroi Kurti në platformën X.

Ai tha se Biden, me dekada të tëra, ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe mbështetësit më të palodhur.

Biden njoftoi më 21 korrik se do të tërhiqet nga gara presidenciale e 5 nëntorit. Presioni nga Partia e tij Demokratike për t’u tërhequr, u rrit pas një performance jo të mirë të Bidenit në një debat presidencial me kandidatin republikan, Donald Trump.

Gjatë karrierës mbi 50-vjeçare në politikë, Biden ishte mbi tri dekada senator, dy mandate zëvendës i presidentit Barack Obama, dhe një mandat president. Si senator, ai ishte mbështetës i zëshëm i veprime ushtarake të NATO-s kundër Serbisë për të ndalur dhunën në Kosovë, si dhe më pas i pavarësisë së Kosovës.

Si nënpresident, ai vizitoi Kosovën dy herë. Viteve të fundit, nga pozita e presidentit, inkurajoi disa herë Kosovën, por edhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet me njëra-tjetrën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura