Kur ndonjë mik i huaj të kërkon ta shoqërosh në ndonjë muze arti, menjëherë mendja të shkon te Galeria Kombëtare e Arteve (se mos kemi tjetër).
Fundja edhe delegacionet e huaja e kanë në protokoll një vizitë në GKA, madje edhe mbledhje të rëndësishme janë zhvilluar aty! Me një vizitë në Galeri mendon se mund të “nderohesh”. Për një vizitor të thjeshtë, një biletë për të vizituar Galerinë Kombëtare të Arteve kushton vetëm 200 lekë. Një shumë qesharake, po të mendosh se viziton një muze arti. Por pyetja është se çfarë mund të shohësh me 200 lekë në GKA?! Pasi kalon hyrjen kryesore dhe ke prerë biletën, mund të vizitosh ekspozitën e radhës, në sallën kryesore, por ajo çka është e përhershme në GKA, e ku mund të mësosh më shumë mbi historinë e artit bashkëkohor shqiptar, është linja muzeale, e ngritur vite më parë në formën e një ekspozite me titull “120 vjet histori e pikturës dhe skulpturës Shqipëri” (kuratorë R. Shima, A. Hajdinaj). Ose, më mirë të themi, linja ndjesë pastë!
PAVIJON ME DRYN
Në katin e parë, përpara do kohësh të priste pavijoni “Fillesat e Pikturës në qytetet shqiptare (1883–1930)”. Aty të priste Mona Liza e pikturës shqiptare, “Motra Tone” (1883) e Kol Idromenos, që me kënaqësi do t’ia tregoje çdo vizitori të huaj apo vendas. E bashkë me të edhe “Dasma shkodrane”, “Të korrat” e Simon Rrotës, “Skënderbeu” i Spiro Xegës etj., të cilat janë dëshmi jo vetëm e fillesave të pikturës serioze shqiptar, por edhe një pasuri etnografike. Por edhe pse në faqen zyrtare on line të GKAsë publiku njoftohet se mund ta vizitojë këtë pavijon nga e mërkura në të diel, dyert e xhamta janë mbyllur me një zinxhir të trashë me dry. Nuk ka asnjë shënim që të mund të të shpjegojë se përse ky pavijon është i mbyllur dhe ç’rrezikshëmri paraqet që është izoluar me gjithë atë zinxhir!!! “Motra” është burgosur, dasmorët janë kthyer në shtëpi e Skënderbeu ia ka dhënë vrapit… Në krah të derës së “blinduar”, një tabelë, ku një dorë me forcë dhe pa sukses është përpjekur të fshijë zhulin, të tregon shkallët, të cilat të çojnë në pavijonet e tjera. Në sallën nr. 2 të pret pavijoni “Piktura Realiste. Shkolla e Vizatimit (1930–1950)”, ku mund të admirosh elegancën dhe lirizmin e veprave të Rrotës, Kolombit, Stamos, Mios. Salla nr.3, ajo më e dukshmja, në të ngjitur të shkallëve është pavijoni “Piktura akademike dhe tabloja me temë historike (1950-1986)”. Aty vizitorët ndalin pak më shumë hapin. Menjëherë të tërheqin vëmendjet tablo me temë historiko- politike. Por edhe një lloj “provokimi” i vogël nga autorët. Përballë komisarëve dhe vetë komandantit ndodhet një tors nudo i Paços. Po aty, në një kënd të sallës, ka qenë dikur edhe një nudo e Sali Shijakut, e cila tashmë nuk ndodhet më. Në vend të gjoksit të zbuluar të nudos së Shijakut, shpaloset gjoksi i Vojo Kushit mbi tank (të dyja veprat ndodheshin bri njëra-tjetrës). Në mur, mbi tablonë, që mban po firmën e Shijakut, shquhen ca njolla të verdheme, të çuditshme (Të jetë zjarr që del nga tanku?!).
PODET BOSH
Vizita vijon në një nga pavijonet më të kërkuara nga të huajt, ku shpaloset më qartë ideologjia në art: “Realizmi Socialist. Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960–1986)”. Sapo hyn, në krahun e majtë shkëlqen me mungesën e saj një tablo e përmasave të mëdha. Mungesën e saj e bëjnë edhe më të dukshme konturet e errëta që ka lënë tabloja në mur. Prej shenjash të tjera nëpër mure, lënë nga vizitorë apo zhvendosje veprash, mund të kuptosh se Galeria nuk është lyer qysh prej kohës kur kjo ekspozitë është montuar në Galeri. Pasi vazhdon vëzhgimin më tej, te portretet e ushatarkëve- klonë, punëtorëve e punëtoreve të fizikshme, që ndërtojnë socializmin, përballesh me një tjetër mungesë: dy pode të drunjta bosh, në mes të sallës. Mbi to dikur ndodheshin dy skulptura të Kristaq Ramës dhe Myrteza Fushekatit, të cilat për momentin nuk ndodhen më. Dhe podet bosh i ngjajnë epitafeve: “Këtu prehet metalurgu…”. Dy pilotët e tablosë, metalurgu e punëtori me lopatë në krahë, kanë zbritur në kat të parë, tek ekspozita “Punëtorët dalin në studio duke mos parë më realizëm socialist” (Që ata janë aty, e dinë vetëm ata që i njohin, pasi mungesën e tyre nuk ta shpjegon kush). Salla nr. 5 të fton në një tjetër periudhë interesante të artit shqiptar: “Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969–1974)”, ku në punët e piktorëve si Edison Gjergo, Alush Shima, Isuf Sulovari, Eduard Hila, Bajram Mata etj., vihet re një lloj devijimi nga kornizat e realizimit socialist. Nuk është e vështirë të dallosh se mbi kokën e mjelëses dhe metalurgëve varen vurrata që ka lënë uji i futur nga superluçet dhe pufka lagështie të dala në mur. Kushdo që ka vizituar muzeume jashtë vendit, do tronditej nëse do të shihte një pamje të tillë.
PROVAT E PROKURORISE
Pavijoni përmbyllës është “Piktura dhe Skulptura Moderniste (1989–2001)”. Por sa merr për të ngjitur shkallët që të çojnë atje, të ndalon hapin një shirit i kuq, por edhe një punonjës sigurie që qëndron aty gjatë gjithë kohës. Pavijoni në fjalë nuk është i disponueshëm për vizitorët, pasi prej tetorit të vitit 2013 aty janë vendosur ikonat e sekuestruara gjatë një aksioni policie. As ikonat nuk janë të vizitueshme, pasi janë në statusin e provës së krimit dhe i përplasin Prokurorisë. Prej kohësh artistë të ndryshëm kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me ruajtjen e këtyre objekteve në GKA, për faktin se ato nuk janë të konservuara e të restauruara, dhe me shumë gjasë bartës të insekteve të rrezikshme edhe për veprat e tjera që ekspozohen e ruhen në Galeri. Pikërisht aty, tek ai shirit i kuq, përfundon vizita në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në dalje, si të mos mjaftonte boshllëku që të lë gjysmëlinja, një rrjetë merimangash në një kënd ta shton edhe më shumë trishtimin dhe ndjenjën e braktisjes. Pavijone të mbyllura, vepra të hequra, mure me lagështi dhe të palyera… dhe premtime nëpër media për një linjë të re muzeale në GKA. Kjo është ajo çka mund të shohësh me 200 lekë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Si thamë, ishin pak?!
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al