Në dhjetorin e vitit 1981, piedestali i një prej grave më të pushtetshme në Shqipëri do të shembej. Me gjasë e dinte se nuk do të ngrihej më kurrë. I shoqi, njeriu nr. 2 i Shqipërisë, ish-kryeministri Mehmet Shehu, ishte vetëvrarë. Ndoshta më shumë se askush tjetër, Fiqret Shehu, gruaja e një prej njerëzve të njohur si më të pamëshirshmit në Shqipëri, e dinte se si funksiononte mekanizmi i diktaturës. Kishte qenë i shoqi që kishte eliminuar sa e sa drejtues të lartë të shtetit e Partisë, e tanimë ishte radha e tyre. Mehmeti u vetëvra apo u vra në kushte gati misterioze dhe po e tillë do të ishte edhe vdekja e Fiqretes. Brenda një periudhe 7-vjeçare do të provonte internimin dhe burgun, deri në vdekjen e saj në vitin 1988. Një ndër njerëzit e fundit që e ka parë dhe ka komunikuar me të është Zana Ibrahimi, gardiane e Burgut 313. Ibrahimi e kishte njohur së pari Fiqreten në Belsh të Elbasanit e më pas në Burgun e Tiranës. Sot, pasi kanë kaluar 25 vjet qysh atëherë, Ibrahimi kthehet pas në kohë dhe tregon për vitet e Fiqret Shehut në burg, që nga përditshmëria e saj me gratë e tjera të dënuara, tek ushqimi, librat që lexonte, seancat e marrjes në pyetje dhe shëndeti që u bjerr nga dita në ditë, deri te dita e vdekjes.
Për ju, znj. Zana, karriera me uniformën e policisë nuk nis në Tiranë, por në Belsh të Elbasanit, aty ku do të kishit pikënisjen e detyrës si gardiane, apo jo?
Përpara se të vendosesha në Tiranë, kam jetuar në Elbasan, aty ku edhe do të nisja punën si gardiane. Për herë të parë kam hyrë në burg në moshën 19-vjeçare, sapo kisha mbaruar gjimnazin. U caktova në këtë detyrë, pasi në ato vite vajzat me arsim të mesëm ishin të rralla. Ishte rastësi, më pas m’u desh të vazhdoja shkollën e Akademisë së Rendit, e kursin e policisë, për t’u specializuar si gardiane. Në fillim kam qenë në Burgun e Kosovës, në Elbasan. Ky burg kishte specifikë faktin që më së shumti aty ishin të dënuara politike me kombësi të huaja, ato ruse, bullgare, të cilat kaluan vite të tëra në izolim.
Kujtoni ndonjërën prej tyre?
Kujtoj sot emrin e njërës, Ina Shaje, e një tjetër që punonte në Radio Moska. Anxhela quhej një e burgosur tjetër e martuar në Pogradec, i shoqi ishte inxhinier në profesion, dhe ai i dënuar kuptohet për martesat me gra të huaja, të cilat konsideroheshin nga regjimi si spiune. Ato ishin gra të edukuara, dhe në ato letrat që u dërgonin familjarëve, për të m’i dorëzuar më pas mua në dorë, më merrnin shpesh leje nëse mund të shtonin edhe dy rreshta më shumë, edhe pse e dinin që përpara dërgimit, çdo letër e tyre hapej dhe lexohej.
Aty në Belsh të Elbasanit ka pasur disa familje të njohura që kanë qenë të internuara, mes tyre dhe ajo e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Si e keni njohur për herë të parë Fiqrete Shehun?
Me të nuk jam njohur vetëm gjatë kohës së qëndrimit në internim, sepse fillimisht Fiqrete Shehun e sollën në Burgun e Kosovës, aty ku isha caktuar si gardiane. Por, ajo nuk u mbajt aty sepse nuk kishte dhoma të veçanta, e kishte kontingjente grash të ndryshme… Pra, për një trajtim më të veçantë, si gruaja e ishkryeministrit, donin që të mos e linin në burg të hapur. Kuptohet, që duke qenë e dënuar gjatë regjimit, ndonjë privilegj edhe mirëkuptohej. E zhvendosën më pas në internim, në Belsh të Elbasanit. Aty ishte Fiqretja, me dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin, dhe një nga nuset e tyre, Marjetën, e cila kishte dhe një djalë të mitur që e shoqëronte kudo.
Në ç’kushte jetonte familja Shehu në internim?
Ata nuk jetonin në kamp, por në një apartament, domethënë në pallat parafabrikat të atyre viteve. Jetonin në kushte shumë të mira, ushqeheshin mirë, dhe këtë e shprehnin edhe ata që jetonin më afër tyre. Nuk u mungonte gjë… Unë i rastisja sa herë më caktonin për të çuar ndonjë të dënuar të burgut, në spital ose në maternitetin që ishte afër shtëpisë, ku jetonin Fiqretja me familjen.
Punonin si gjithë të internuarit e tjerë?
Nuk punonin tokë bujqësore, por djemtë që ishin krahu i punës angazhoheshin me punë të ndryshme aty në Belsh. Familja Shehu frekuentonte edhe kafenenë e internimit, e madje kujtoj një ditë, ata ishin ulur në lokal dhe djali i vogël i Bashkimit ia ngul sytë një fotografie të varur në mur, bardhezi, me disa fshatarë me shalqinj nëpër duar, dhe fëmija kthehet nga e ëma dhe i thotë: Mami, dua shalqi… Edhe pse thuhej që nuk vuanin për ndonjë gjë, më erdhi keq në moment, pasi kuptohet kushtet në të cilat ishin rritur ata, e në internim mund të kishte edhe mungesa, vështirësi.
Si dukej gjendja shëndetësore e Fiqretes?
Fiqreten e shikoja shpesh, dhe kujtoj që ajo ka qenë e sëmurë nga mushkëritë, nuk e ndante nga dora një shami të lagur me raki o alkool, të cilën e mbante përpara gojës dhe kjo e ndihmonte për frymëmarrjen. Më bënte përshtypje sjellja e saj me nusen e Bashkimit, Marjetën… Një herë i foli pak ashpër pasi, sipas Fiqretes, e tepronte me veshje të ekzagjeruara, ndaj dhe e kritikonte.
Sa kohë qëndruan aty në internim?
Nuk ndenjën gjatë, afërisht një vit.
Pse u vendos më pas transferimi i Fiqretes në Burgun 313?
Sepse Fiqretja do të dilte në gjyq, do të merrej shpesh në pyetje nga Hetuesia e Tiranës, ndaj dhe futja në paraburgim të 313-s deri në vendosjen e masës së dënimit, bëri që ajo të qëndronte disa vite këtu.
Ju u ritakuat me të. Si e kujtoni të venë e ish-kryeministrit Shehu? Ndodhi që në atë periudhë të transferohesha me vendbanim, bashkë me familjen time, në Tiranë dhe qëndrova sërish në punë si gardiane. Kam lëvizur në disa prej tyre, nga 313-ta tek ai i grave, 325 etj. Në qelinë e paraburgimit të 313-s, Fiqreten e caktuan në një dhomë të veçantë, ku i vendosën për t’i shërbyer edhe dy gra të tjera, të cilat ishin më të reja se ajo në moshë, por që ishin dënuar për vepra më të rënda. Këto gra ndërroheshin çdo vit, fillimisht ka qenë një grua nga Elbasani, një tjetër Liri Meçe nga Lezha, e më pas Sose Demiraj, një grua shtatlartë nga Tropoja, ndërsa tjetra quhej Vjollca Leka nga Elbasani. Në qelinë e Fiqretes nuk hynte askush tjetër përveç saj dhe dy grave të tjera, madje në shumicën e kohës ajo nuk dilte fare nga qelia.
Si e kalonte kohën?
Lexonte shumë, romane, por edhe libra ideologjikë. Një herë, këmbënguli që t’i sillnin në qeli librin e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Donte ta rilexonte thanë… Bënte shpesh edhe punime dore, me shtiza, dhe këtë më tepër për të kaluar kohën, por edhe për të ndihmuar dy gratë e tjera të qelisë, pasi Fiqretes nuk kishin për çfarë t’i duheshin punët e dorës.
Thatë se edhe në burg i shërbenin gra të tjera…
Thuajse nuk prekte gjë me dorë. Të gjitha ia bënin gati dy zonjat e tjera. Ato i lanin rrobat, dhomën, pastronin dyshemenë e i ndërronin çarçafët, kujdeseshin shumë për të.
Po ushqimin e burgut, e konsumonte?
Natyrisht, por kishte edhe shumë raste që e refuzonte, që kërkonte gatime shtesë. Dhe dy gratë në qeli, duke qenë se kishin edhe sobë gatimi, i përgatisnin gjëra të tjera, që i pëlqenin asaj.
A fliste ajo për vetëvrasjen e të shoqit, Mehmet Shehu?
Kurrë. Dhe këtë fakt ma kanë pohuar edhe të burgosurat e qelisë së saj. Dukej sikur i ruhej diçkaje, o kishte frikë të shprehej në lidhje me vdekjen e Mehmetit. Ishte shumë e mbyllur si natyrë. Për mua kishte respekt të veçantë dhe vetëm një herë të vetme, edhe pse nuk më lejohej, ia hapa si bisedë…
Çfarë tregoi?
Unë ia nisa bisedën duke e pyetur se pse ishte aq e shqetësuar dhe e rënduar nga gjendja shëndetësore. “Mos ndoshta nga ajo që i ndodhi Mehmetit?”, iu drejtova… Ajo ma ktheu: Kam respekt për ty, por nuk mund të flas dot. Dhe kyçi gojën, duke vënë dhe gishtin mbi buzë si për ta mbyllur këtë bisedë. Nuk fliste kurrë për këtë çështje.
Kishte te 313-ta të burgosura që ishin dënuar nga ish-kryeministri? Në dijeni time, ishin dy të tilla, por me emra nuk i kujtoj dot saktësisht.
Flisnin ato me mllef për Fiqreten?
Nuk zhvilloheshin të tilla biseda gjerësisht, sepse edhe rastet e problemeve apo zënkave ishin të izoluara. Nuk bëhej fjalë për provokime, sepse Fiqretja nuk arriti kurrë të krijonte afrimitet me gratë e tjera të dënuara, për aq vite sa qëndroi te 313-ta, sepse ua theksova që rrinte më shumë në dhomë.
Nuk ishte natyrë e komunikueshme?
Unë e kam njohur si tepër të vrazhdë, të rreptë. Njësoj sillej edhe me të dënuarat e tjera, me personelin, kështu që komunikimi me të ishte i paktë. E shfaqte tipin e saj të sertë. Fiqretja ishte shumë natyrë e mbyllur, ndaj dhe nuk krijonte situata të ndryshme.
Cilët ishin vizitorët më të shpeshtë të saj?
Nuk vinte njeri shpesh për ta takuar, sepse familja e saj ishte e gjitha në internim, djemtë në Burgun e Spaçit. Ndaj, tepër rrallë, kur mund të siguronin lejet përkatëse nga burgjet, mund të vinin për ta takuar nënën e tyre. Di që djemtë i kishte pikë të dobët, i përmendte edhe në bisedat me dy gratë e tjera të qelisë, edhe me ne gardianet ndonjëherë… Na thoshte që djemtë i kishte të mirë e punëtorë.
Gjatë qëndrimit në Burgun 313 Fiqretja merrej shpesh në pyetje nga hetuesit. Cili prej funksionarëve të lartë e kërkonte më shpesh në takime?
Normalisht që ajo thërritej në dhomat e veçanta, ku merreshin në pyetje të dënuarit. Fiqreten e kërkonin disa funksionarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, mbi të gjitha njëri, Hekuran Isai.
A është ushtruar dhunë ndaj saj?
Këtë nuk di ta them me siguri, sepse ne gardiane ishim, bënim punën tonë. Shkonim e lajmëronim në qeli për takimin, dhe sapo vishej, e merrnim e shoqëronim në hyrje të dhomës, ku e prisnin njerëzit e hetuesisë. Se çfarë ndodhte më pas, nuk e di.
Po si dilte ajo nga këto takime? Thuhet se videoja, ku ajo pranon fajësinë e saj dhe të të shoqit, i është marrë nën efektin e narkotikeve…
Nuk jam në dijeni të videos, por di që kur dilte nga këto takime, ajo ishte e dërrmuar nga ana shpirtërore, por siç duket edhe fizike. Çdo ditë që kalonte, ajo dobësohej shumë, ishte e hequr në fytyrë. Gjendja e saj shëndetësore ishte e rënduar, dhe shpesh vizitohej nga mjekët në ambientet e burgut. Aq sa kohët e fundit, ajo nuk e çonte deri në fund një bisedë… Domethënë, nëse diskutonim diçka, fjalët i mbeteshin në mes. Unë u shqetësova dhe një herë pyeta gratë e tjera të qelisë, a ishte mirë, a hante ushqim dhe pse ishte aq e rënduar. Ato thoshin që ushqehej, pinte çdo darkë ilaçet e tensionit, dhe kaq.
Cilët ishin mjekët që e vizitonin?
Ishin specialistët më të mirë, të cilët vinin direkt nga Ministria e Shëndetësisë. Fiqretja është vizituar gjithë kohës brenda burgut, asnjëherë jashtë. Vinin doktorë specialistë, një kardiolog dhe një tjetër për mushkëritë, i kujtoj vetëm emrin Engjëll…
Po sa i takon vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985, si e mësoi Fiqretja lajmin?
I shkuan në qeli gardianët e turnit atë ditë dhe i dhanë lajmin, dhe ajo ishte pikëlluar shumë… Nuk arrita të komunikoja për këtë ngjarje, por shoqet e turnit më thanë që u mërzit, i erdhi keq, e madje kishte thënë që: Gjynah, iku koka e vendit…
Fliste për marrëdhëniet me të?
Një herë të vetme ajo kishte shprehur habinë për armiqësinë e papritur që lindi mes Enverit dhe Mehmetit, pasi ata kanë qenë tepër të lidhur me njëri-tjetrin, aq sa edhe emrat e dy djemve të Mehmetit ua ka vendosur Enveri.
Njësoj si Mehmet Shehu, edhe vdekja e Fiqretes në burg është rrethuar nga dyshimi. Është folur për eliminim nga Sigurimi i Shtetit. Ç’dini ju për këtë variant?
Fiqretja, disa kohë përpara se të vdiste, është transferuar për në Burgun e Zejmenit të Lezhës. Ditën që ajo ka ndërruar jetë, në Burgun 325 të grave në Tiranë, sjellin dy gratë e tjera që e shoqëronin në dhomë. U ishte thënë që Fiqretja vdiq për shkaqe natyrale, nga një sëmundje e rëndë e mushkërive.
Po për çfarë arsye u spostuan bashkëvuajtëset e tjera në qeli me Fiqreten?
Sipas asaj që thanë ato gratë, të cilave nuk ua kujtoj emrat, trupi i Fiqretes kishte qëndruar në qeli, për t’iu bërë ekspertiza, ndaj dhe nuk mund të kishte gra të tjera rrotull. Madje, dhe rrobat e trupit të saj ia kishin mbledhur në një qese, por nuk dihet ku përfunduan…
Më pas u varros në Lezhë?
Nuk di shumë detaje për këtë pjesë. Aty në varrezat afër burgut të Zejmenit të Lezhës është varrosur nga personeli i burgut, pasi familjarët ishin të internuar të gjithë.
ERMIRA ISUFAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al