NIKOLETA KOVAÇI/ Vetëm 41 vjeç dhe me një aktivitet kriminal monstruoz që ka shfaqur dhe mbartur prej plot 20 vitesh! Të paktën në moshën 20 vjeçare ka nisur prangosja e tij.
Në fokus është dhuna në familja, përdhunimet në familje dhe mbajtja peng. Që atëherë ka nisur të arrestohet dhe të lirohet, ku pas këtyre akteve të rënda kriminale, kuksiani që jetonte në Vaqar bashkë me nënën e tij të vetme, ka shkuar më tej. Pas daljes nga burgu për përdhunimet dhe pengmarrjen, në harkun kohor të tri viteve ai vret vajzën me të cilën jetonte.
Ajo ishte vetëm 22 vjeç. E masakron me thikë, armë të cilën e përdori edhe dje kundër të tjerave femra që kishin qenë në jetën e tij. Por në atë kohë, që daton vitin 2007, ai mendoi ta shiste aktin makabër si vetëvrasje të vajzës me të cilën jetonte. U dënua! U çua në burgje të sigurisë së lartë dhe tentoi disa herë arratisjet duke u kapur pas emrave më të shkuar kriminale me profil vrasësish të fuqishëm dhe më mbështetje edhe nga gardian të vendburgosjes së tij. Më pas lirohet, s`dihet se si, por ai ka mbajtur në memorie një emër vajze, që pretendohet se pas hyrjes në burg ajo e “braktisi”.
Arrestohet për dy raste vjedhje banesash në Durrës dhe sërish lirohet, ndërkohë që arrestimin e fundit e kishte vetëm një vit më parë. Sërish ushtron mbi femrën e cila ishte bërë gruaja e tij. Ajo ikën nga shtëpia e tij dhe kthehet në shtëpinë e saj, ndërsa burri i ëndrrave të saj arrestohet. Me vendim gjykate, ai lirohet me 14 shkurt të këtij viti dhe iu deshën dy javë që ai të hartonte strategjinë e një masakre të pashoqe në vendin tonë, merr një makinë me qira, shkon në zonën e Unazës së Re dhe i kërkon një të njohurës së vet para, ajo refuzon dhe ai e godet me thikë! Ora shënon 12.15 minuta. E plagosura, një bashkëmoshatare e tij dërgohet në spital, ndërkohë që në zonën e Kodër-Kamzës, më saktë në Institut, pak metra mbi tregun e vogël të Institutit, ai masakron me kallashnikov gratë e një familjeje.
Kishte shkuar në shtëpinë e femrës që e denoncoi për dhunë një vit më parë dhe kishte qëlluar me breshëri mbi të, nënën, motrën dhe nusen e vëllait të saj; dy vdesin në vend ndërsa dy të tjera çohen me pak shenja jete në spital! Akti ndodh fiks 20 minuta pas plagosjes së parë me thikë! Nga aty, kalon në rrugët e lagjes dhe kapet në rrugën kryesore të Bathores, zbret në Kamzë dhe shkon në shtëpinë e vajzës që dikur e kishte braktisur, e qëllon me breshëri kallashnikovi në oborrin e banesës, duke e lënë të vdekur në vend. Akti i tretë ndodh pas 13 minutash, më pas zhduket pa gjurmë bashkë me mjetin e tij, një “Benz” i zi.
DJE
Ky është rrugëtimi i “serial killer”-it që tronditi dje Tiranën dhe që quhet Dan Hutra. Një emër që thotë shumë për policinë e dy dekadave, për prokurorinë e disa rretheve e për gjykatat e te tria shkallëve të gjyqësorit, por që askush nuk ia vuri veshin profilit vrasës të një të rrituri që kishte përdhunuar dhe mbajtur peng femra që në moshë 20- vjeçare! Duke mos iu ndarë krimit dhe tentativave të arratisjes në asnjë ditë të jetës së tij, Dan Hutra u arrestuar në orën 18.45 minuta në Sharrë, afër Landfillit, që askush nuk e di se nga ka përfunduar atje pa rënë në sytë e policisë që tha se ishte ngritur e gjitha në këmbë pas krimeve të njëpasnjëshme!
Po ndërkohë që policia merr informacion te masakra në Institut se autori që qëlloi mbi gratë e familjes Hysa ishte Dan Hutra, vrasja e vajzës vetëm 31 vjeç në Kamzë pështjellon Policinë, pasi viktima ishte motra e një të dënuari për jetë. Ishte ky i fundit, i cili telefonoi dhe lëshoi dyshimin e tij se motrën mund të ia kishte vrarë pikërisht personi me të cilin kishte një konflikt të vazhdueshëm në burgje.
Ai madje pretendoi se disa herë kishte dashur ta vriste atë në burg dhe për të vrarë të motrën kishte paguar njerëz por që nuk ia kishin marrë përsipër. Policia në të dy vendngjarjet bashkoi viktimat dhe gëzhojat dhe në fund tha: Kanë dalë nga e njëjta armë! Ndërkohë që vendi ishte në ankthin e sjelljes së lirë të një “killer”-i të armatosur me kallashnikov dhe thikë, policia merr një tjetër njoftim i cili listonte një tjetër grua të plagosur e cila gjendej në spital. Plagët ishin thike! Më pas ajo tregoi se personi që e kishte qëlluar ishte pikërisht autori i masakrave në zonën e Kamzës!
Bllokimi i rrugëve kryesore, identifikimi i mjetit me të cilin lëvizte, vënia në media dhe rrjetet sociale të fotos së tij bën që sinjali i parë të vinte: Autori i masakrave ishte në zonën e Sharrës. RENEA dhe policia rrethojnë zonën. Ai nuk bën asnjë kundërshtim, dorëzon kallashnikovin dhe dorëzohet edhe vetë në duart e efektivëve të policisë tashmë nën morinë e vrasjeve që s’mund ta shpëtojë asnjë gjykatë e asnjë gjykatës.
Vrasja e parë e Dan Hutrës
Dan Hutra në vitin 2007, ka vrarë me thikë bashkëjetuesen e tij, Dafina Havalja. Por, Hutra, veç vrasjes rezulton të ketë kryer veprime stimuluese duke e paraqitur ngjarjen e vrasjes së gruas, si vetëvrasje. Kjo pasi Hutra thikën me të cilën krye krimin ja ka vendosur në dorë gruas së tij, dhe më pas është larguar në drejtim të Kukësit, ku dhe është arrestuar pas një jave. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Dan Hutra, ka përfituar ulje dënimi, duke u dënuar përfundimisht me 16 vjet heqje lirie. Ky vendim në datën 20 janar 2010, është lënë në fuqi nga gjyqtari Seit Xhoxhaj, i cili ka miratuar dënimin, duke e cilësuar ngjarjen të mbyllur. Hutra i është drejtuar gjykatës së Lartë me një rekurs me qëllim rishikimin e vendimit të dënimit të tij, por gjyqtarja Shpresa Beçaj, nuk e ka marrë fare në shqyrtim çështjen e tij. Sipas dosjes hetimore në 10 dhjetor 2007 në katin e parë të një ndërtese private, Dan Hutra ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij! Pasi ka kryer vrasjen, i pandehuri është përpjekur të mbulojë gjurmët e krimit, për të krijuar përshtypjen që ngjarja është vetëvrasje, duke i vendosur thikën në dorën e viktimës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al