Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e kolenel Elami Hado, i cili pasi ishte diplomuar me ‘Medalje Ari’ në Akademinë “Frunze” të Bashkimit Sovjetik dhe kishte mbajtur disa detyra të larta në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në Tiranë, në vitin 1961 u dërgua me detyrën e atasheut ushtarak në Kinë, ku në ’63-in, morri pjesë në një mbledhje të Traktatit të Varshavës që u zhvillua në Hanoi, për arsye të luftës që kishte nisur amerikanët me Vietnamin.
Dëshmia e rrallë e kolonel Hados, i konsideruar si një prej teoricienëve më të mirë të Ushtrisë Shqiptare, lidhur me bisedat që ai zhvilloi gjatë atyre ditëve që përfaqësoi Shqipërinë në atë mbledhje të ushtarakëve më të lartë të vëndeve komuniste, ku zv / ministri i Mbrojtjes së Bullgarisë, gjeneral-majori, Markov, i’u shpreh se: “Udhëheqja juaj është e shitur tek imperializmi dhe kryeministri juaj, Mehmet Shehu është agjent i amerikanëve”! Si i’u përgjigj kolonel Hado asaj akuze të rëndë dhe raportimi që ai bëri në Tiranë me poste sekrete për të gjithë bisedën me gjeneralin bullgar, gjë e cila do të bëhej shkak që, vite më vonë, ai të kritikohej, akuzohej dhe goditej nga kryeministri Mehmet Shehu, si “teoricien disfatist e frikacak” dhe të përfundonte për 16 vjet burgjeve dhe internimeve…?!
Pas akuzave tashmë të njohura që Enver Hoxha bëri ndaj ish-kryeministri shqiptar Mehmet Shehu në ‘Tablonë sinoptike’ të tij në fillimin e vitit 1982, ku mes të tjerash thuhej se: gjatë udhëtimit me vaporrin ‘Cuin Elisabet’ me rastin e vizitës së tij në New York në 1960-ën, Mehmet Shehu ishte takuar fshehurazi me Titon, një tjetër akuzë për ish-kryeministrin Shehu, si “agjent i amerikanëve”, mësohet të jetë bërë dy tre vjet më vonë, (në 1963-in), nga zv / Ministri i Mbrojtjes së Bullgarisë, gjeneral-majori Markov, akuzë e cila mbërriti deri tek Enver Hoxha në Tiranë!
Po si qëndron e vërteta rreth kësaj akuze dhe ku bazohej ushtaraku bullgar në thëniet e tij?! Lidhur me këtë na njohin dëshmitë e kolonel Elami Hado, ish-atashe ushtarak në Pekin, i cili rrëfente të gjithë historinë, se si padashur, ai u bë dëshmitar dhe protagonist i asaj bisede, ku përmendej kryeministri Mehmet Shehu, e cila do t’i kushtonte 16 vjet burg e internim.
Zoti Elami, në fillim të kësaj interviste, a mund të na thoni diçka shkurtimisht, se cila është e kaluara juaj?
Unë kam lindur në vitin 1923 në fshatin Starje të Kolonjës prej nga është dhe origjina e familjes sime. Shkollën fillore e mbarova në Ersekë, ndërsa uniken në qytetin e Korçës. Që në vitin 1941, unë u lidha me Lëvizjen Antifashiste dhe në 1942-in, u burgosa prej italianëve. Pasi u lirova nga burgu në korrikun e ’42-it, dola partizan në batalionin “Hakmarrje” dhe më pas në Brigadën e XV-të Sulmuese, me detyrën e komisarit të batalionit dhe pas Kongresit të Përmetit, m’u dha grada e togerit.
Po pas mbarimit të Luftës, në çfarë detyrash keni shërbyer?
Në vitin 1945 shkova në Bashkimin Sovjetik dhe pasi studiova një vit për Inxhineri Ushtarake në Moskë, në ’46-ën na kthyen në Tiranë, në kuadrin e riorganizimit të Ushtrisë. Në vitin 1947 më emëruan shef Xhenjo në Korpusin e Gjirokastrës dhe në 1949-ën, komandant i Brigadës Autonome në Elbasan. Në vitin 1950 më thirrën në Shtabin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes me detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Operative dhe dy vjet më vonë, në 1952-in, më dërguan në Akademinë Ushtarake “Frunxe” të Bashkimit Sovjetik, të cilën e mbarova në 1955 me ‘Medalje Ari’. Kur u ktheva në Tiranë, më emëruan përsëri në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, me detyrën e shefit të Degës së Përgatitjes Luftarake, detyrë të cilën e mbajta deri në vitin 1957, kur më ngarkuan për të punuar në organizimit të Akademisë Ushtarake në Tiranë, ku dhe u caktova zv / komandant i saj.
Po më pas ku shërbyet?
Në vitin 1961 më dërguan në Republikën Popullore të Kinës me detyrën e atasheut ushtarak në Pekin, ku qëndrova deri në vitin 1964, kur u ktheva përsëri në Tiranë, me detyrën e shefit të Punës e Përgatitjes Ushtarake e Shkencore në Shtabin e Përgjithshëm. Në vitin 1966, më goditën dhe më dërguan në Brigadën e Xhenjos në Rrëshen për t‘u edukuar, ku pas gjashtë muajsh, më transferuan Shef Shtabi në Korpusin e Shkodrës, por pa emërim. Aty qëndrova deri në vitin 1969, kur më sollën në Tiranë, si pedagog në Akademinë Ushtarake. Në atë akademi punova deri në vitin 1974, kur pas një konflikti që pata me Mehmet Shehun, më përjashtuan nga partia, më çmobilizuan si ushtarak dhe më internuan familjarisht në Vaun e Dejës, duke më akuzuar si bashkëpunëtorë me Grupin e Puçistëve të Beqir Ballukut.
Cili ishte konflikti juaj me Mehmet Shehun?
Zanafilla e atij konflikti që pata me Mehmet Shehun, i përket vitit 1963, kur unë shërbeja si atashe ushtarak në Pekin. Në verën e atij viti, do të mbahej në Hanoi të Vietnamit një mbledhje e Traktatit të Varshavës dhe qeveria shqiptare më caktoi mua të merrja pjesë aty si përfaqësues i Ushtrisë Shqiptare. Kur shkova në Hanoi, takova dhe dy studentë shqiptarë që studionin atje për frengjisht e vietnamisht, të cilët qeveria jonë m‘i kishte caktuar si përkthyes. Ndonëse Vietnami, Kina dhe Koreja nuk ishin anëtar të Traktatit të Varshavës, ishte vendosur që ajo mbledhje të bëhej atje, meqënse filloi lufta e amerikanëve me Vietnamin. Pra ajo mbledhje bëhej për t‘i dhënë një mbështetje Vietnamit.
Pasi u caktuan që të merrnit pjesë në atë mbledhje, a u dhanë udhëzime të veçanta se çfarë qëndrimi do mbaje atje?
Para nisjes për në atë mbledhje, ministri Beqir Balluku më dha orientimet politike që duhet të mbaja unë atje, sepse nga ana ushtarake, i dija vetë ato. Në atë mbledhje merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha vendet e Europës Lindore, apo siç quheshin ndryshe vendet e Demokracive Popullore dhe ato ishin ndarë në dy kampe të pashpallura zyrtarisht. Sipas orinetimeve që më kishin dhënë në Tiranë, unë duhet të mbroja Kinën, Vietnamin, e Korenë, të cilët ne i konsideronim marksistë-leninistë dhe duhet të isha kundër Bashkimit Sovjetik e vendeve të tjera satelite të tyre, që ne i quanim revizionistë
Me kë delegacion shoqëroheshit më shumë gjatë asaj mbledhje?
Unë qëndroja me të gjithë nga pak, por më shumë me përfaqësuesin bullgar, zv / ministrin e Mbrojtjes, Markov, pasi atë ma kishte rekomanduar atasheu ushtarak i Bullgarisë në Kinë, një gjeneral-major, me të cilin kishim shumë miqësi. Atasheu bullgar ishte kundër politikës që ndiqte qeveria e tij dhe dyshonte edhe për qeverinë tonë. Gjenerali bullgar më kishte rekomanduar që të flisja lirshëm me Markovin, por unë kisha frikë të shoqërohesha me të, sepse ai rrinte vazhdimisht vetëm me sovjetikët me të cilët ne sapo i kishim prishur marrëdhëniet. Me pak fjalë unë nuk kisha besim të flisja hapur me Markovin, sepse ai edhe bukë hante bashkë me gjeneralët sovjetikë që përfaqësonin qeverinë e tyre në atë mbledhje dhe më doli ndryshe nga ato që më kishte thënë atasheu bullgar në Pekin.
Konkretisht, çfarë ndodhi?
Gjatë zhvillimit të asaj mbledhje, na lindi një problem, pasi gjermano-lindorët kishin marrë detyrë që të raportonin mbi gjëndjen e ushtrisë amerikane. Mirpo përfaqësuesi i Koresë, tha aty se ai nuk donte t‘ia dëgjonte fare zërin ushtrisë amerikane dhe nuk ishte dakort që të raportonin gjermanët. Kështu ky konflikt, u bë një problem i madh dhe unë nuk dija se kë të mbështesja, përfaqësuesin e Koresë, apo Shtabin e Traktatit të Varshëvës që drejtonte mbledhjen.
Si u zgjidh kjo gjë?
Kinezët më ngarkuan mua të propozoja tre ditë pushim, në mënyrë që delegacionet të konsultoheshin me qeveritë e tyre dhe më thanë që t‘i mbushja mëndjen koreanit që të tërhiqej, pasi ashtu si unë, edhe ai kishte mbaruar Akademinë “Frunze” dhe fliste mirë rusishten. Ndonëse Shtabi kërkonte vazhdimin e mbledhjes, propozimi im u pranua me shumicë votash dhe vietnamezët na sugjeruan që gjatë atyre tre ditëve, të na shëtisnin në një vend turistik në bregdet, ku kishte 300 ishuj. Aty ishte një vend shumë i bukur që e kishin bërë francezët për turizëm dhe për të shkuar atje, duhet të kaloje një xhungël dhe një lumë me një urë që ishte prishur nga bombardimet e amerikanëve. Pasi ura ishte e prishur ne e kaluam lumin me trap, i cili mbante dy makina dhe në makinën e parë (sipas alfabetit), pas vietnamezëve që na shoqëronin, më takoi mua të kaloja. Pasi kalova unë, i dyti kaloi bullgari Markov dhe ndërsa po prisnim makinat e tjera të autokolonës që të kalonin me trap, Markovi shfrytëzoi rastin dhe erdhi tek makina ime. Menjëherë ai më tha: “Mos më shiko që unë rri me sovjetikët dhe nuk rri me ty, se po të na shikojnë bashkë, ata menjëherë më raportojnë në Sofie. Unë dua të flas me ty hapur se pse ndodhin këto gjëra. Ju na akuzoni për tradhëti e revizionizëm, ndërsa pala jonë ju akuzon ju, si të shitur te imperialistët amerikanë!
Po ju si i’u përgjigjët?
Kur unë i thashë, se lufta politike i kishte ato gjëra, ai m‘u përgjigj: “Po si gjendet e vërteta. Ne na thonë që udhëheqja juaj është e shitur tek imperializmi dhe kryeministri Mehmet Shehu, është agjent i amerikanëve”.
Si reaguat pas kësaj akuze të rëndë që i bëhej kryeministrit të Shqipërisë që e përfaqësonit ju?
Pas kësaj akuze të rëndë, që dëgjova për kryeministrin tonë, duke mos dashur t’a mbështesja, unë i thashë: ‘Të sharat nuk kanë kufi’. Pas kësaj ai vazhdoi përsëri duke më thënë: “Një gjeneral-kolonel bullgar në pension, më ka thënë se kryeministri juaj Shehu, kur ka qenë në Luftën e Spanjës, Shtabi i Brigadave Internacionaliste, e ka pasur nën survejim dhe megjithëse ai ishte shumë i aftë si ushtarak, ata nuk i jepnin pozitë se dyshonin që ishte agjent i fashizmit”.
Si i’u përgjigjët ju?
Unë i thashë: Hajde gjeji këto të vërteta, vetëm koha do t‘i provojë. Me një fjalë as nuk e mbështeta dhe as nuk e kundërshtova. Por kur bëra raportin për Shtabin e Përgjithshëm në Tiranë lidhur me mbledhjen e Hanoit, unë e shkrova dhe të gjithë bisedën që kisha bërë me përfaqësuesin bullgar, pasi nuk mund ta mbaja dot atë gjë mbi supet e mija. Kështu ishin rregullat në atë kohë dhe unë nuk kisha se si të veproja ndryshe.
Me çfarë e sollët letrën në Tiranë dhe kujt i adresohej ajo personalisht?
Raportin e solla me postë diplomatike, siç ishte rregulli dhe ajo letër duhej t‘i dorzohej në dorë ministrit Beqir Balluku, i cili e ka lexuar atë letër patjetër. Por ndonëse isha më pritje që të më thërrisnin, mua nuk më thirri njeri.
As kur u kthyet në Tiranë nuk ju thirrën për t’ju pyetur në lidhje me akuzat që ishin bërë për Mehmet Shehun si agjent?
As kur erdha në Tiranë nuk më thirri njeri për të më pyetur, por pashë një ftohtësi të madhe të Mehmet Shehut ndaj meje. Unë nuk kisha lidhje direkte dhe kontakte me Mehmetin, por e shikoja qëndrimin e tij gjatë stërvitjeve të ndryshme që bëheshin.
A i’a kishit thënë njeriu bisedën që kishit bërë për Mehmet Shehun me zv / ministrin bullgar, Markov?
Unë atë gjë e bisedova vetëm me shokun tim, Andon Shetin, Shefin e Zbulimit të Ushtrisë, i cili më tha: “Kjo gjë ka rëndësi dhe nuk mendoj se udhëheqja e lartë do ta lërë atë me kaq”.
Zoti Hado, do më falni që t’ju bëj një parantezë të gjatë. Nga disa kolegë tuaj, kolonelë e gjeneralë në pension, kam mësuar se raporti juaj i mbledhjes së Hanoit, ku kishit shkruar edhe akuzat që dëgjuat për Mehmet Shehun, është hapur fillimisht prej Kadri Hazbiut, pasi edhe pse nuk e kishte të ligjëruar, ai kontrollonte të gjithë korespodencën diplomatike. Pas kësaj Kadriu i’a ka çuar atë Mehmet Shehut nga i cili varej si ministër dhe një kopje tjetër, i’a ka çuar Hysni Kapos, nga i cili varej në rrugë partie. As Mehmeti dhe as Hysniu nuk i’a kanë dërguar atë raport Enverit, por e kanë mbajtur në kasafortat e tyre dhe thuhet se Enveri atë gjë e ka mësuar nga krerët kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pasi ata e kishin për të detyrë që ta njoftonin atë, si Komandant të Përgjithshëm. Po kështu, thuhet se pas kësaj, përveç Mehmetit, Enveri filloi që të dyshonte edhe ndaj Hysni Kapos, duke e konsideruar atë si jo besnikë të tij. Si qëndron e vërteta rreth këtyre hipotezave?
Edhe unë kam dëgjuar rreth kësaj dhe ajo gjë mund të jetë kështu siç thuhet nga ish-kolegët e mi.
Pak më lart, u shprehët se kur erdhët në Tiranë, Mehmeti filloi të mbante distancë ndaj jush, a e vazhdoi ai atë qëndrim më tej?
Jo vetëm që e vazhdoi, por e çoi deri në fund hakmarrjen, duke më goditur deri sa unë përfundova burgjeve dhe internimeve.
Më konkretisht si u hakmorr Mehmeti ndaj jush?
Goditja e parë mua m‘u bë në vitin 1966, kur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, më dërguan për edukim në Brigadën e Xhenjos në Rrëshen. Në atë kohë për mua ishte vendosur arrestimi, njëlloj si vartësi im, Dilaver Radëshi, i cili përfundoi në burg, por Beqir Balluku i’u lut Enver Hoxhës dhe unë shpëtova vetëm me transferim.
Po me çfarë akuzash u goditët në atë kohë, pra si justifikohej ky degradim po themi që u bëhej juve?
Shkak për goditjen time, u bënë ‘Tezat e Artit Ushtarak të Luftës Popullore’ që i kisha përgatitur me urdhër të Beqir Balllukut, pas porosisë së Enver Hoxhës. Enveri ngarkoi Beqirin për hartimin e tezave dhe mënjanoi Mehmetin e Petrit Dumen. Hartimi i tezave realisht i takonte Petritit si Shef Shtabi, por ndoshta, duke e konsideruar si njeri të Mehmetit, Enveri e mënjanoi edhe Petritin. Por pasi i kishim mbaruar tezat, ato ishin prishur, duke u vënë kryqe me laps të kuq dhe ishin transformuar krejtësisht.
Kush i kishte prishur ato…?
Ato ishin prishur nga Enveri pas ndërhyrjes së Mehmetit, si shenjë xhelozie që ishte spostuar nga ajo punë, pasi vetë Enveri nuk merrte vesh nga punët e ushtrisë. Unë isha hartuesi kryesor i atyre tezave dhe i thashë Beqirit, se do ta ndiqja më tej atë problem, pasi nuk e mbaja dot mbi kokë. Beqiri më tha: “Kokën tënde do hash” dhe gati sa nuk më tha hapur “Me Enverin do luftosh…”?!
Po goditja tjetër ndaj jush, kur erdhi?
Goditja tjetër ndaj meje erdhi në korrikun e vitit 1974, kur isha pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” dhe drejtoja kursin e lartë të asaj akademie. Aty mua m‘u desh që të zbatoja tezat e Mehmet Shehut mbi “Teorinë e kalimit”, të cilat ishin futur si material plotësues i tezave të mbrojtjes. Unë nuk pranova t’a jepja atë leksion, duke e quajtur aventurë disfatiste dhe ajo u dha prej Komandantit të Akademisë, Koli Mborjes. Për atë temë, më kërkoi ndihmë edhe Veli Llakaj, që e kishte për diplomë, por unë nuk pranova t’a ndihmoj. Mirpo, të gjitha këto kundërshti të miat, si duket shkonin në veshin e Mehmetit dhe kur ai erdhi për të ndarë diplomat e kursit, duke mos më parë mua që isha në rreshtin e tretë, sa u ul në presidium, pyeti: “More, po ku është ky Elami Hado”?! Unë u ngrita në këmbë dhe ai më tha: “Ti je teoricien, por je teoricien disfatist”. Teksa vazhdonte të fliste ashpër kundër meje, unë ndërhyra duke i thënë se ato gjëra nuk zgjidheshin aty, por ai nguli këmbë në të tijën dhe vazhdoi të fliste me të njëjtën gjuhë…!
Çfarë ndodhi me ju pas asaj mbledhje?
Pak ditë më pas, në korrikun e vitit 1974, mua më përjashtuan nga Partia dhe më çmobilizuan edhe nga Ushtria. Unë isha ushtaraku i dytë që u godita në Pleniumin e V-të, direkt pas Beqir Ballukut. Pas kësaj, më hoqën nga Tirana dhe më internuan në Vaun e Dejës të rrethit të Shkodrës, familjarisht, me bashkëshorten e gjashtë fëmijët tanë. Pas gjashtë vjetësh qëndrimi atje, më arrestuan e më dënuan me dhjetë vjet burg politik, të cilat i vuajta të gjitha në burgun e Burrelit.
A mendoni se në goditjen e dënimin tuaj kishte ndikuar letra që kishit bërë nga Hanoi në 1963-in, ku kishit shkruar edhe për akuzat ndaj Mehmetit?
Patjetër, që ajo ka qenë një nga primaret në dënimin tim./ Memorie.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al