Gjobë 3.6 milionë euro ndaj “Birra Tirana”, Ish-ministri i PS, Arben Malaj: Kërkon dëmtimin e biznesit

Mar 14, 2023 | 7:47
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Financave i PS-së, Arben Malaj, e cilëson të gabuar gjobitjen e “Birra Tirana” nga tatimet me 3,6 milionë euro si një përpjekje për të falimentuar bizneset prodhuese shqiptare.

malaj-1

Në një intervistë në “News 24”, ish-ministri socialist theksoi se gjobat janë një instrument që mund të keqpërdoren në luftën tregtare dhe se e lënë në dorën e një njeriu të papërgjegjshëm që mund të jetë një inspektor tatimor i krijon situata jashtëzakonisht të vështira biznesit.

Po e përqendrojmë vëmendjen tonë tek ajo gjobë e majme, që i është vendosur “Birra Tirana”, 3.6 milionë euro, e cila ngriti në këmbë një protestë, një protestë të punonjësve të “Birrës Tirana”, të cilët patjetër e konsiderojnë atë të padrejtë dhe thonë se ndikon tek përditshmëria dhe jetesa e tyre. Ata kanë gati 4 muaj pa punuar për shkak të kësaj situate që mbizotëron në fabrikën e birrës së parë të kryeqytetit. Për ta analizuar këtë gjobë do të kemi një komunikim me ish-ministrin e Financave, z. Arben Malaj.

Faleminderit për këtë mundësi dhe sinqerisht dua t’iu kërkojë ndjesë punonjësve të “Birrës Tirana”, për situatën e krijuar ndaj tyre. Ajo që dua të ndaj në fillim dhe me opinion publik është fakti që gjobat janë një instrument që mund të keqpërdoren në luftën tregtare dhe fatkeqësisht siç e kemi konstatuar edhe më përpara legjislacioni shqiptar fiskal është bazuar gjithnjë e më tepër te gjobat, ndryshe nga legjislacioni evropian që bazohet gjithnjë e më tepër tek lehtësitë, madje më Institutin për Mirëqeverisjen Publike dhe me Dhomën e Tregtisë së Tiranës, shkuam deri në Gjykatën kushtetuese që hodhëm poshtë gjoba të mëdha. Një gjobë e madhe e lënë në dorën e një njeriu të papërgjegjshëm që mund të jetë punonjës i tatimeve apo doganave, i krijon situata jashtëzakonisht të vështira biznesit.

Në këtë aspekt, e gjithë vëmendja e Administratës Publike shqiptare në nivel vendor dhe qendror nuk duhet të mendojë si të vendosë gjoba por si të lehtësojë që kompanitë shqiptare të mbijetojnë dhe të rriten.

Sa më shumë të rritet prodhimi vendas, aq më shumë rriten në mënyrë të natyrshme dhe të ardhurat. Në këtë aspekt kam qenë gjithmonë kundër gjobave të larta dhe vazhdoj të këmbëngul se lehtësitë tatimore duhet të jenë në themel të administrimit fiskal dhe jo gjobat.

Në rastin konkret bëhet fjalë për një kompani e cila ka një emër të jashtëzakonshme në treg, është një “logo” e Tiranës, dhe e Shqipërisë.

Në të gjitha vendet evropiane me një kulturë moderne të mbledhjes së taksave, krijohen mundësi të pafundme që kompanitë të mbijetojnë kur përballen me vështirësi në likuiditete apo në tregjet konkurruese.

Pra do të thotë që jo vetëm të mos vendosen gjoba të renda, por të shtrihet detyrimi i pagimit te gjobës dhe penaliteteve në afate kohore sa më të gjata. Është e trishtueshme si ekspert që kjo kompani emblemë e industrisë shqiptare, tashmë katandiset në riskun e mbijetesës së saj. Nga 300 punëtorë që kishte pak kohë më parë tani ka vetëm 150, edhe këta kanë 4 muaj që nuk punojnë. Ajo nuk prodhon, nuk paguan pagat e sigurimet shoqërore për punonjësit, nuk derdh detyrime tatimore ne buxhet. Kompania duhet të ndjekë rrugën e apelimit administrativ dhe penal. Si ish-politikëbërës dhe studiues nuk e mirëkuptoj faktin dhe nuk besoj se ka argumente të logjikshëm e të mjaftueshme që një kompani të vihet përballë falimentimit. Duhen lehtësira, duhen magazina doganore, për lëndët e para, duhen shtrirë më mirë në kohë mbledhja e të ardhurave. Bashkimi Evropian ka edhe politika të cilat japin ndihmë shtetërore për kompani që janë të suksesshme por që në momente të caktuara mund të gjenden në vështirësi ristrukturimi, për shkak të tregut për shkak të pandemisë, tërmetit apo edhe elementë të tjerë. Pra gjithë përkushtimi duhet të jetë, se cilat janë ato hapa që e lehtësojnë një kompani, që të strukturohet në mënyrë konkurruese dhe të vazhdojë punën, të prodhojë, të shesë të paguaj pagat dhe sigurimet shoqërore. Kompanitë punojnë dhe ndihmohen të punojnë.

Kur kompanive u mbetet si alternativë e vetme falimentimi i sforcuar krijohen kosto shumë të rënda sociale, rriten numri i të papunëve. Kosto ekonomike sepse bie prodhimi vendas rriten importe. Kosto financiare, e para sepse rriten pagesat për të papunët e rinj dhe të varfrit nga punonjësit e kompanisë që falimenton. E dyta sepse bien te ardhurat buxhetore kur një kompani i madhe në prodhimin e birrës gjendet përballë falimentimit të detyruar nuk krijohen të ardhura dhe nuk derdhen detyrime ne buxhet. Për tregjet e konkurrencës së ashpër të mallrave të akcizës gjobat mund të synojnë edhe largimin nga tregu të ndonjë kompanie dhe krijimin e një tregu të ri nëpërmjet gjobave të larta për kompanitë e tjera prodhuese apo importuese. Tregu i mallrave me akcizë e ka këtë lloj konkurrence. Duhet parë arsyeja e vërtetë se përse nuk janë ofruar masat lehtësuese, por menjëherë aplikohet masa penalizuese.

Pra, ju thoni se në çdo rast, edhe në raste kur kompanitë e mëdha kanë një shkelje, një gjobë e këtyre niveleve do të ishte jo e udhës në gjykimin tuaj. Por, ne këtu kemi të bëjmë jo me shkelje, së paku duke iu referuar administratorit të kompanisë, duke iu referuar të gjithë punonjësve të fabrikës së birrës, ata thonë se motivacioni për gjobën është i padrejtë, sepse aty shkruhet për disa produkte që nuk janë lëndë e parë e birrës dhe nuk përdoren për prodhimin e saj. Pra, kemi të bëjmë me shkelje?!

Pikërisht, unë e preka atë shqetësim, nuk mund ta marrim dot rolin e gjyqësorit, pasi në momentin që është njoftuar gjoba ka fazat e saj të apelimit administrative, brenda administratës tatimore, ministrisë së financës dhe organeve gjyqësore. Por ajo që mua më shqetëson është fakti që aplikohet një gjobë kaq e madhe dhe pastaj që të ankohesh për gjobën duhet ta parapaguash atë. Ajo që kemi diskutuar dhe është e nevojshme që në legjislacion të hiqet detyrimi për ta parapaguar gjobën. Por mund të lësh edhe një pasuri hipotekare në kundra vleftën e saj. N.q.s. biznesit për të drejtën e ankimit i merren si parapagese shuma e gjobës dhe penalitet e saj, kompania natyrshëm do të gjendet në krizë likuiditetesh. Kjo krizë mund të zgjasë disa vite, pasi afatet ligjore janë shumë të gjata, duke kaluar në shkallën e parë dhe të dytë. Pra, me një gjobë dhe me detyrimin për të papaguar atë, çdo kompani në Shqipëri do të ndodhej në krizë likuiditetesh prandaj theksoj këtu detyrimin që ka administrata fiskale dhe Ministria e Financës, që çdo kompani të asistohet nga afër edhe kur ka një shkelje do të paguajë një penalitet. Penaliteti mund të jetë deri në 5 fish. Nuk ke pse të shkosh në ekstremet më të larta. Ose të gjenden format për të ulur likuiditetin për fillimin e procesit ankimor pa paguar me likuiditet gjobën por me forma të tjera garancie. Pra, varet nga këndvështrimit, ti si poltikëbërës dhe administrator i Tatimeve apo Doganave, si e shikon biznesin privat. E shikon si një lopë që duhet mjelë, e shikon si burim të ardhurash që duhet ndihmuar, pra është një situatë kritike.

Nuk bëhet fjalë vetëm për rastin konkret. Tregu i mallrave të akcizës është kritik, ka konkurrencë të pandershme. Janë kapur disa raste anijes me 22 500 tonë kontrabandë. Në rastin e fabrikës së Birrës nuk është vetëm ai rast, para disa vitesh televizioni juaj ka pasqyruar një rast identik në Vlorë ku përmbaruesit privatë vajtën dhe shkulën panelin teknologjik të fabrikës së birrës “Norga” dhe unë publikisht e dënova dhe e ndaluam atë masë ekstreme, pasi depozitat ishin plot me birra të gatshme për t’u hedhur në treg.

Kjo është një gjobë tepër e lartë, apo jo?

Shtetet japin subvencion për të futur njerëzit në punë, ndërsa ne fabrikën e “Birrës Tirana” që nga 300 punonjës, kanë mbetur vetëm 150 të cilët edhe këta kane 4 muaj pa pune. Shkurtimi i 300 punonjësve është një barrë e rëndë sociale, prandaj duhet t’i dridhet dora çdo tatimori që vendos një gjobë kaq të madhe, ushtron forcë administrative për të mbledhur atë sa më shpejt të jetë e mundur. Kur mendon që pas firmës tënde qëndrojnë 300 familje, pra janë 1200 veta (4 veta për familje) që ndodhen në riskun e varfërisë ekstreme, sepse familjaret e tyre humbasin punën thjesht nga arroganca që aplikohet gjoba dhe mbledhja e tyre. Pa folur këtu që ka edhe veprime selektive. Pra, administrata tatimore e doganore nën influencat për përfitime politike të tolerojnë për sa kohë ti je mbështetësi i tyre dhe të penalizojnë në momentin që të klasifikojnë armik të tyre. Ne jemi një vend që kërkojmë standarde evropiane dhe fakti që kanë reaguar edhe institucioni ndërkombëtar për një lloj ekstremiteti në raport me kompanitë e këtij grup biznesi, jo vetëm dëmtohen punonjësit por edhe shqiptarët, pasi në momentin që me veprime të tilla arbitrare krijohet një armiqësi midis medias dhe pushtetit, i cili tregon arrogancën e tij ndaj medias, perceptimi për vendin përkeqësohet shumë dhe krijohen vonesa në procesin e integrimi. Krijohet perceptimi i qeverisjes me dorë të fortë dhe jo me mendje dhe zemër. Nëse nuk ndryshon ky lloj mentaliteti vendi do të bëhet gjithnjë dhe më i vështire për biznesin e ndershëm dhe bizneset e ushqyera nga paratë e papastra do të marrin pjesën më të madhe të ekonomisë së vendit dhe bëhen më ambiciozë për të përcaktuar dhe ndikuar pushtet politik.

Punonjësit nga “Birra Tirana” jo vetëm që deklaruan se kjo gjobë, është e padrejtë pasi nuk ka shkelje, por thanë se nëse ne kemi bërë shkelje do të marrim përgjegjësitë tona dhe jemi të gatshëm të përballemi në komisionet parlamentare të Kuvendit. Por ama, nëse këtu kanë faj zyrtarët e Tatimeve, ata duhet të mbajnë përgjegjësi. Në cilësinë e ish-ministrit të Financave çfarë domethënie ka për ju ky deklarim publik i bërë nga drejtuesit e “Birrës Tirana”?

Unë e mirëkuptoj shqetësimin e tyre dhe përsëri po e them. Ekonomia sapo ka dalë nga goditjet e njëpasnjëshme, tërmeti, pandemia, bizneset patën një goditje të rëndë, qeveria aplikoi disa forma për të ndihmuar si punonjësit edhe kompanitë. Në këtë rast ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me biznesin. Sa më shumë biznese prodhuese të ketë vendi, aq më lehtë mblidhen të ardhurat dhe aq në mënyrë të përballueshme paguhen pagat, sigurimet shoqërore, paguhen pensionet. Ta zëmë se e drejta është në krahun e administratës tatimore që ka vendosur gjobën. Punonjësi pavarësisht nga letrat që do i drejtojnë Presidenti, Kuvendit, Kryeministrit nuk duhet të shkelin asnjë afat të ankimit administrativ, sepse në momentet që shkelen afatet, bëhet më i vështirë rikthimi i normaliteti në marrëdhëniet për gjobën. Në këtë aspekt unë do të këshilloj që të mos shkelin asnjë afat në gjykimin administrativ në të gjitha nivelet saj, deri në gjykatë, pasi gjoba është vënë dhe nuk mund të hiqet me një urdhër. Edhe sikur ekzekutimi i plotë i arkëtimit të gjobës dhe penaliteteve të “ngrihet” përkohësisht bizneset e penalizuara nuk mund të varen nga humori i administratës shtetërore, nëse ta merr me forcë gjobën apo ta lë ta paguash me këste dhe të ndihmon të hapësh vende pune.

Ju thoni që kompania duhet të ndjekë të gjitha rrugën ligjorë

Po të ndiqen hapat dhe afatet e ankimit administrativ dhe ligjor.

Por, kush mban përgjegjësi, për gjithçka paguhet nga taksapaguesit?

Sigurisht ky mund të jetë një rast, dhe kompanisë nëse ka ekspertizën e nevojshme mund të kërkojë edhe ajo ndjekje penale për ata që kanë vendosur gjobën në konceptin e shpërdorimit të detyrës.

Kompania ka vendosur cash kolateral, kush mban përgjegjësi nëse Tatimet kanë gabuar?

Ne akoma nuk e kemi kulturën juridike por përgjegjësitë do të përcaktohen vetëm në mënyrë juridike, pra Tatimet kërkojnë të marrin paratë dhe kompania kundërshton ligjërisht. Nga përvoja që unë kam pasur me këtë grup biznesi ata kanë pasur ekspertë shumë të mirë të taksave, të tatimeve dhe kontabilitetit. Besoj që oponenca e tyre do të jetë thellësisht profesionale dhe në këtë rast hapi i parë mund të vijë nga drejtori i përgjithshëm i tatimeve për ta shqyrtuar gjobën Hapi i dytë mund të vijë nga Ministria e Financave, dhe hapi i tretë nga gjyqësori.

Patjetër që do të ndiqet dhe do të shkohet deri në Strasburg, por ndërkohë kush do të mbajë përgjegjësi nëse rezulton se kjo gjobë është vendosur në mënyrë jo të drejtë?

Punonjësit kanë bërë një propozim konkret për t’u ballafaquar në Komisionin e Ekonomisë. Do të ishte shumë e mirë që palët të përballeshin në Komisioni Ekonomisë. Por, ai nuk ka fuqi administrative thjesht do të bëjë disa rekomandime. Ndërsa pezullimi i gjobës deri në gjykim të thellë të saj dhe mos detyrimin e kompanisë të paguajë penalitet përpara se të fillojë ankimin, mund të bëhet në hapin e parë dhe gjëja më e mirë, të bëjnë hapin administrativ, sepse hapat gjyqësore zgjasin shumë. Ministria e Financës dhe Ekonomisë shpresoj të kenë kurajën dhe detyrimin real që kompanitë prodhuese vendase të mos dalin nga tregu vendas dhe eksportet. Falimentimi i sforcuar i kompanive prodhuese do zëvendësojë prodhimin vendas me importet. Të mbështesësh importuesit qoftë edhe indirekt dhe aq më keq nëpërmjet gjobave të rënda ndaj prodhuesve vendas, duke luftuar prodhimin vendas është politika ekonomike më e keqe që mund të ndiqet. Kjo qeveri trumbeton produktet “made in Albania” dhe “Birra Tirana” është e para e Kryeqytetit por ka 4 muaj pa prodhim, duke mos përmendur edhe punonjësit që preken nga kjo situatë. Duhet të kemi parasysh integritetin e atyre që marrin përsipër të drejtojnë institucione të rëndësishme. Duhet kurajë dhe përgjegjësi që të lehtësohen të bërit biznes qoftë edhe duke ristrukturuar gjobat. Biznesi duhet ta paguajë tatimin në kohën që e ka më të mundshme nga pikëpamja e likuiditetit jo kur të realizohet plani. Mendoj se është e domosdoshme të ndërhyhet, për një ballafaqim të palëve. Raporti i kontrollit i shkon kompanisë, ajo bën oponencën e saj mbi raportin dhe titullari i tatimeve ose doganave vendos për gjobë apo jo.

A do të duhet të pranohej kërkesë për ballafaqim në një komision parlamentar?

Procesi i ballafaqimit i jep kredibilitet parlamentit. E dyta, një rezolutë e Komisionit bëhet e detyrueshme për t’u marrë parasysh dhe nëse do të dalë se ka nevojë për një thellim të hetimi tatimor ata mund të japin rekomandimin për të riparë procesin deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, pra për të mos e nxjerrë një kompani nga tregu.

Nuk e di nëse ju duket tendencioze apo jo kjo gjobë?

Po marr rastin sikur gjoba ka një bazament, por më shqetëson fakti që nuk ndajmë pronarët si individë dhe fabrikën si një mundësi punësimi. Mbani mend rastin e fabrikës e “Parmalat” në Itali. Të gjitha masat synuan ristrukturimin dhe shmangien e falimentimit. Kompanitë duhet të lejohen të punojnë. Por edhe nëse ka një gabim nuk duhet të çojë deri në nxjerrjen nga tregu për një kompani më një histori 100 vjeçare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura