Gjuha shqipe dhe teatri i Gjergj Fishtës në dëshminë e Gjon Kamsit! Për herë të parë hyri si gjuhë mësimi në shkollën françeskane

Jul 8, 2024 | 12:10
SHPËRNDAJE

FRANO KULLI/ Ma se dy dekada më parë, me rastin e përvjetorit të lindjes së Fishtës, jemi në një sallë të Kuvendit françeskan të Lezhës. Flavio Callini, asokohe dekan i Kishës “Zoja Nunciatë”. I ftuemi ma i randësishëm i asamblesë përkujtimore, ndër ne të tjerët pjesëmarrës ishte zotni Willy Kamsi. Për së pari i jepet fjala zotni Willyt dhe ai e fillon atë me këtë gjest; nxjerr nga xhepi i mbrendshëm i xhaketës një stilolaps, një diçka jo e gjatë që rrezëllinte si e láme n’ar. Në të vërtetë, ashtu ishte.

gjergj fishta

-Ket e kam dhuratë prej pader Gjergjit – na thotë.- Kam kenë fëmijë asoskohe e jetojshim në Bari të Italisë. Pader Gjergji, i ndodhun në Bari do të ishte i ftuemi i mirëpritun në shpinë tonë. Baba (Gjon Kamsi) e kishte mik. Siç kishte ndodhë e ndodhte sa herë që Ai víte në Bari del dhe e pret prej nga vinte e nisen me ardhë në shpi. Në nji moment, siç na e tregote baba- vijonte të rrëfente Villy- pader Gjergji ndalon në nji dyqan.

-M’prit pak Gjon, i thotë babës, se s’mund t’ju shkoj pa gja n’dorë fëmijve. Veç kur mërritën në shpi, bashkë me përqafimet e ledhatimet pader Gjergji na lëshoi në dorë mua edhe motrës këto dhurata… dhe e i jep dorës pak ma sipër për t’jua bá të mundun të gjithëve në atë sallë ta shihnin e soditnin dhuratën relike. Pastaj vijon rrëfimin me detaje të tjera zotni Ëilly; disa prej tyre të jetuara e shumë të tjera të dëgjuara prej të tijve e të tjerëve për Fratin e Madh. Kurse motra, Míriami përballë të vëllait dhe rrëfimit të tij, e kredhur në kujtime të bukura, e vetmja gjendje që i lexohej në fytyrë, pohonte me lëvizjen e butë të kokës. Si me dashtë me na thanë, poo, njashtu ka kenë…

Ëilly i ndjerë, posë punëve të tjera të vlerta sa s’ka, pati mbledhë edhe kujtimet e të atit e që tash i kemi në një libër: “Njerëz dhe ngjarje të lirisë së Shqipnisë”, Shkoder 2024, përkujdestar për botimin e të cilit, shoqëruar edhe me një parathanie të thukët është profesori ditunar Ardian Ndreca, puntori i shumë punëve të tilla të fisme.

Ajo çfarë Gjon Kamsi na rrëfen në librin e tij lidhur me fillesën e shkrimit të gjuhës shqipe në entet mësimore të Shkodrës, këtu e më se një shekull më parë, është dëshmi që plotpërputhet me të dhënat e deritashme. E njohur është se për herë të parë gjuha shqipe hyri si gjuhë mësimi në shkollën françeskane (në vitin 1902), kur aty u emnue drejtor Gjergj Fishta. Përkundër sundimtarëve, por përkundër edhe mendësisë e modës së atëherëshme kur në rangjet qytetëse përdorej italishtja, frëngjishtja a turqishtja e shqipja xéhej (quhej) si gjuhë kuzhine apo gjuhë e malësorëve analfabetë. Kurse një tjetër herë e parë në historinë e qytetit por edhe në historinë e Shqipnisë gjithashtu, ishte atëherë kur …”në nji çfaqje shkollore, në teatrin e shkollës françeskane, emërtue me shkrola të mëdhá:”Gjuha Shqype”, shkrue me atë zjarm kombëtar të Gjergj Fishtës, të jetë i pranishëm (1911) nji Valí i Stambollit dhe të përgëzojë drejtorin e shkollës, qi ishte po ai, At Gjergj Fishta, për nxanësat qi aq mirë mësoheshin e rriteshin n’at shkollë në gjuhën amtare.”

Gjon Kamsi, nuk ishte vrojtues së largu, po mbrenda për mbrenda gjithë veprimit kombëtar ai ishte në rendin e parë përkrah prijësve më të shquar. Jemi në periudhën e shkërmoqjes së Perandorisë otomane dhe është vepra kombëtare e At Gjergj Fishtës e atdhetarëve si vëllezën, që edhe shfaqjet artistike morën hov e përparim të madh. Me një synim e platformë të mirëmenduar; që në thelbin e vet kishte shërbesën për lirinë e pavarësinë e kombit shqiptar. Në këtë hulli ishte edhe miqësia që Fishta i madh krijoi me Valinë e Shkodres, Hasan Riza Pashën, veprimi guvernant i të cilit në Shkodrën e Perandorisë u gjind në krah të mbrojtjes së saj prej lakmisë së ringjallur të Malit të Zi e Serbisë, por edhe prej megallomanisë fodulle të shtetit të vogël sllav. Për nderin e tij e për nderin e armëve të ushtarakut trim e të sprovuar, më së pari. Porse edhe tradhëtia e hjeksia e një feudali turkoshak shqiptar, Esat Pasha që çoi në vrasjen e tij e ndihmoi “shpalljen” e valisë turk hero të mbrojtjes së Shkodrës (1913). Por pararendja e përpjekjeve, që zen fill qysh me 1900-en na bën me kujtue se asht një përpjekje shumëplanëshe e atdhetarëve të shënjuem. Bashkë me At Pashko Bardhin e At Shtjefen Gjeçovin u gjinden në krah të tyne edhe mësues “të shkolluem n’Institutet pedagogjike t’Austris, nder të parët qi dolen të diplomuem: Gasper Mikeli, Gasper Beltoja, Kolë Kodheli, Ndoc Lezhja e Luigj Muzhani. Dhe nga rregulltarët e Kuvendit françeskan: Vinçens Prendushi, Ambroz Marlaskaj e Justin Rrota. Por së bashku me ta edhe mësuesi veteran i Kosovës , shkodrani “gjurmues i palodhun i gjuhës shqipe” , atdhetari Mati Logoreci”.

Përkundër rrjedhës kur në shkollat e hapuna prej organizatave të huaja të Austrisë e të Italisë dhe të financuara prej tyre, qe vendosë që gjuha e shkruar në to të ishte italishtja, ndërsa shqipja të ishte vetëm si gjuhë e folur dhe e lejueme me u shkrue vetëm në komunikimin ndërmjet tregtarëve shkodranë (!) Ngulmimi i parreshtun i “françeskanëve të Mdhaj” ia mbërriti ta instalojë si gjuhë mësimi shqipen në shkollën e tyre. Njëherësh me vendosjen si gjuhë mësimi të gjuhës shqipe u synua që kjo arritje siprore të kapërcente përtej shkollës e të shpërndahej në “aulen” e gjanë të qytetit. Kështu dhe vjen në rend teatri. Më së pari aty në sallën e Kuvendit françeskan të Gjuhadolit. Prej aty qarkullonte masandej limfa (lëngu i jetës) qytetëse; prej aty gjuha shqipe fitonte legalitetin e gjuhës së shkruar, por edhe përdorimin e saj si gjuhë qytetëse dhe jo vetëm si “gjuhë kuzhine e gjuhë e malësorëve analfabetë” edhe padashjen e fuqive të huaja sunduese në qytet. Prej sallës së teatrit aty në Kuvendin e françeskanëve, fjala shqipe mori ngjyrimin artistik, mbas letargjisë së gjatë të errësirës otomane dhe invadorëve pasues, si në komedinë Dredhitë e Patukut, të shkruar prej Fishtës, “qi e luejtën mësuesa aktorë: Kolë Kodheli me Ndoc Lezhën e Kolë Kamsin dhe Ejëll Çeka me Zef Hilen, [Zef Hilë Gega 1864- 1948, që më vonë do të bëhej komiku më i famshëm shkodran i kohës] i cili për herë të parë delte në skenën e nji teatri, i shenjuem për atë pjesë komike nga Gjergj Fishta, qi zbuloi në té vetitë komike”.

Jemi në Gjuhadolin, e Kuvendit të françeskanëve ku në atë ag lirie kishte nisë e po luëzonte krahas shkollës së zanateve (Scuola d’Arti e Mestieri) edhe banda muzikore që ngrihej në atë shkollë nën drejtimin e Palokë Kurtit. Edhe arti i pikturës me Simon Rroten, që kthehej i lauruar nga Akademia “Brera” e Milanos apo piktorë të mjeshtruem të Shqipnísë, të njoftun edhe në Paris si Ndoc Martini-Camaj. Simon Rrota, siç do të kumtonte vetë në shënimet e mbajtuna, do të ishte edhe skenografi i teatrit, bashkë me Fishtën, autorin e dramave të shkruara enkas, apo të përshtatura prej kryeveprave të kohës e shumta prej të cilave përbënin repertorin e zgjedhur me pjesë kombëtare të teatrit të françeskanëve, por edhe njërin prej zhanreve të lëvruar me kualitet të lartë prej Fishtës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura