Gjykata: 6 muaj burg djalit të Arta Dades

Jun 3, 2011 | 8:40
SHPËRNDAJE
Lokali ku ndodhi ngjarja tek ish-Blloku

Gjykata e Tiranës dënon me 6 muaj e 20 ditë burg Besnik Dabullën, djalin e deputetes socialiste Arta Dade.Pas pesë seancave gjyqësore, Dabulla u deklarua fajtor për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Ngjarja pas së cilës Dabulla u vu nën akuzë u shënua më 5 janar të këtij viti. Mbrëmjen e kësaj dite, Edrin Lufi, nipi i ish-kryeministrit Adil Çarçani, u plagos lehtë me armë zjarri, teksa ishte një tavolinë në shoqërinë e Dabullës. Në masën përfundimtare të dënimit, Dabulla përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës. Gjykimi ndaj Dabullës u zhvillua ndërsa ai ishte i lirë. Burime pranë Gjykatës së kryeqytetit konfirmuan se Dabulla ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë.
VENDIMI
Vendimi që deklaroi të fajshëm Besnik Dabullën, u shpall pak ditë më parë nga gjyqtari Albert Meça. “Deklarimin fajtor të të pandehurit Besnik Dabulla (i biri i Gëzim dhe i Arta, i datëlindjes 1979) për kryerjen e veprës penale të ‘mbajtjes pa leje të armëve luftarake’ dhe dënimin e tij me 10 muaj burgim. Në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Besnik Gëzim Dabulla dënohet me 6 muaj e 20 ditë burgim. Në vuajtjen e dënimit për të pandehurin Besnik Gëzim Dabulla të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur arrest në shtëpi, duke filluar nga data 08.01.2011”, thuhej në dispozitivin e vendimit të Gjykatës së Tiranës.
HISTORIA
Emri i Besnik Dabullës u mediatizua në ditët e para të janarit të këtij viti, pas një ngjarjeje të ndodhur në ambientet e restorant “Liburnia”, në rrugën “Perlat Rexhepi”, pranë Fakultetit Juridik në Tiranë. Ai ishte duke ndenjur në të njëjtën tavolinë me Edrin Lufin, kur një e shtënë arme zjarri i shkaktoi këtij të fundit një plagë të lehtë në zonën e barkut. Pak ditë më pas, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Dabullës. Në këtë seancë, avokati i Dabullës paraqiti një deklaratë noteriale të Edrin Lufit. Në këtë deklaratë, Lufi shfajësonte Dabullën për plagosjen e tij, duke pohuar se “Përjashtoj çdo lloj mundësie që Besnik Dabulla të më ketë goditur”.  Ndërkohë, në vendimin e masës së sigurisë ndaj tij, gjykata pohonte se plagosja e Lufit ishte bërë nga pakujdesia.

Lufi: Po benim shaka

Pas ngjarjes, i pyetur nga prokurorët, Edrin Lufi është shprehur se pistoleta është shkrehur nga Besnik Dabulla, teksa ky i fundit po luante e po bënte shaka me të në tavolinë. Ai pohonte se ata ishim miq prej vitesh dhe se pas ngjarjes kanë shkuar së bashku në spital. Këtë ai e përforconte me një deklaratë noteriale, ku përjashtonte kategorikisht mundësinë që të ishte goditur nga Dabulla.

 

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura