Djali i deputetes përfiton nga bashkimi i dy dënimeve në një.
Tiranë – Gjykata e kryeqytetit i fal dy muaj burg Kostandin Xhuvanit, djalit të deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani. Me një vendim të datës 4 qershor 2012, Gjykata e Tiranës ka vendosur bashkimin në një të dy dënimeve të dhëna nga togat e zeza ndaj Kostandin Xhuvanit. Bëhet fjalë për dënimin e tij me dy vjet burg për vrasje dhe po kështu ndëshkimin me dy muaj burg për “goditje për shkak të detyrës” ndaj efektivave të Policisë në ambientet e Burgut 302 në Tiranë. Sipas vendimit të gjykatës, firmosur nga gjyqtari Arben Micko, të dyja dënimet, dy vjet dhe dy muaj burg janë bashkuar në një dhe masa e dënimit ndaj Kostandin Xhuvanit në përfundim të procesit është dy vjet burg. Në këtë mënyrë, gjykata ka lënë në fuqi vetëm dënimin me dy vjet burg për vrasje ndaj Xhuvanit, duke i hequr dënimin me dy vjet heqje lirie për kundërshtim e goditje për shkak të detyrës ndaj efektivave të Policisë. Gjykata ka vendosur “pranimin e kërkesës dhe bashkimin e dënimeve në masën 2 vjet burg”, thuhet në diapozitivin e vendimit. Më 6 shkurt 2012, Kostandin Xhuvani u dënua me dy muaj burg për incidentin me efektivat e Policisë në Burgun 302. Në nëntor 2011, shtetasi Kostandin Xhuvani u dënua me dy vjet burg për akuzën e vrasjes në kushtet e kapërcimit të vetëmbrojtjes së nevojshme. Sipas akuzës, vepra penale ka ndodhur nga Kostandin Xhuvani në dëm të shtetasit Alfred Musabelliu, më 12 shkurt 2011, në Qytetin Studenti në Tiranë. Prokurori i çështjes në Prokurorinë e Tiranës fillimisht pati ngritur akuzë për vrasje me dashje, mirëpo më pas ndryshoi interpretimin e fakteve e provave dhe vendosi që ta çojë dosjen në Gjykatë me akuzën e “vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes”.
Ministria kontrolloi dosjen
Ndryshimi i akuzës dhe dënimi me dy vjet burg për vrasje u bënë shkak që Ministria e Drejtësisë të ushtronte kontroll në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me punën e organit të akuzës. Një inspektim u krye në lidhje me ngjarjen, ndërsa Ministria e Drejtësisë akuzoi Prokurorinë për qëndrim të zbutur në Gjykatë, edhe pse vepra penale e ndodhur kishte qenë e rëndë.