Gjyqi i Beqir Ballukut, si iu sulën oficerët “ta hanin të gjallë”

Apr 4, 2011 | 12:20
SHPËRNDAJE
Beqir balluku ne sallen e gjyqit, Çaste para komunikimit te vendimit per denimin me vdekje, pushkatim

Beqir Ballukun e kam njohur pak, madje me të nuk jam takuar asnjëherë. Por them se si njeri ka qenë i mirë. Nga shumë njerëz kam dëgjuar se ka qenë babaxhan. Me sa më kujtohet, kishte kërkuar edhe dorëheqjen rreth vitit 1972-1973, por nuk ia pranuan. Në Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë komandant çete e më pas komandant brigade. Njihej si një nga atentatorët më të mëdhenj të Tiranës, bashkë me Lym Ketën dhe Adnand Qatipin. Thënë shkurt ishte burrë trim. Në shumë shkrime kam lexuar se Balluku ishte ndoshta më besniku i Enver Hoxhës dhe e çmonte jashtë mase. Në këtë pikë bashkohen të gjithë. Në vitin 1960, kur Enver Hoxha e Mehmet Shehu ishin në Moskë, atij iu la në dorë Shqipëria. Pra, në qoftë se do të dyshohej se ishte armik, ai i kishte mundësitë që të çonte në fund dëshirat, apo idetë e tij. Por jo, ai ishte besnik dhe i qëndroi me ndershmëri besimit të drejtimit të shteti,t për sa kohë Enveri dhe Mehmeti ishin në Moskë.
Mbledhja në Durrës, prill 74
Kam qenë prezent në gjyqin që iu bë para kuadrove kryesorë të ushtrisë, në prill të vitit 1974, si “armik e agjent”. U mblodhëm në Durrës, me vendqëndrim në Golem të Kavajës, me çadra me fjetje, ushqim e përgatitje për tre ditë. Mbledhja për diskutime e gjykime bëhej në vilën e Zogut, në kodrat e Durrësit, për tre ditë të tjera. Gjithsej 6 ditë. Merrnin pjesë komandantë e komisarë korpusesh, nga një komandant brigade për çdo Korpus dhe drejtorët e Ministrisë, Drejtoria Politike e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet.
Materiali i Beqir Ballukut

Veli Llakaj dhe Beqir Balluku

Që në ditën e parë na dhanë një material afro 100 faqe, pa emër dhe na thanë të përgatiteshim për diskutim, se ku qëndron mospërputhja e këtij materiali me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. (Materiali ishte një studim, lloj luftimi, për shkallën e dytë të luftës popullore, domethënë një lloj luftimi që organizohet kur pushtohet i gjithë vendi, sipas eksperiencës së Vietnamit. Këtë studim e kishte bërë një grup i madh, me në krye Beqir Ballukun dhe ishte shtrirë për njohje e vërejtje deri tek komandantët e korpuseve, të cilët kishin dhënë mendimet e tyre. Në rangjet e tjera nuk njihej asgjë. Pra, studimi nuk kishte përfunduar dhe as që diskutohej për ta përdorur). Filluan përgatitjet. Ditën e parë, askush nuk e dinte emrin se kush e kishte bërë materialin. Ditën e dytë, Hito Çako, aty para çadrave tona, bisedonte me një oficer dhe me zë të lartë u shpreh: “Thonë se këtë material e ka bërë shoku Beqir”. Ndërsa tjetri u përgjigj: “S’ka gjë, le ta ketë bërë, ne do të diskutojmë”. Kaq u desh dhe të gjithë morën vesh se materiali pa emër ishte i Beqir Ballukut. Tema e studimit ishte një lloj luftimi e strategjie ushtarake e huaj, studim i papërfunduar, ku ruhej sekreti deri tek komandantët e korpuseve. Në fund të fundit, pse të mos përgatiteshin oficerët shqiptarë për këtë strategji (luftim)?! Mirëpo e keqja qëndronte në atë, si ta themi ne, që u pushtua i gjithë vendi? Po nëse pushtohej si Vietnami? Këtë nuk ia mbante njeriu ta thoshte. Por edhe kjo është një përshtypje e vogël. Në fund të fundit ishin hipoteza, ishin ide luftimi, ishin mënyra përgatitjeje.
Gjyqi në Vilën e Zogut
Në ditën e katërt me autobusët e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore shkuam për diskutim tek “Vila e Zogut”. Atje erdhi Mehmet Shehu. Aty ndodhej edhe Beqir Balluku dhe askujt s’ia merrte mendja se Beqiri do të ishte tabela e qitjes. Pastaj dihej besnikëria e tij ndaj Enverit, sikundër dhe kontributi i çmueshëm në luftë. Por me thënë të drejtën të gjithë ishim në ankth. Askush nuk ishte i qartë se çfarë do të bëhej. Ishin momente të vështira, tejet dramatike. Diskutimi ishte me shumë përgjegjësi. Një fjalë e pakujdesshme dhe si dihej si merrte udhë e ardhmja e gjithkujt. Por kryesore ishte se ende nuk dihej qartë se ndaj kujt do të drejtoheshin “silurët”.
Akuza e Mehmet Shehut
Në fakt Mehmet Shehu lexoi raportin e Byrosë Politike. Në këtë raport dënohej veprimtaria armiqësore e ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Por kryeministri më parë komunikoi dhe vendimin tjetër të Byrosë Politike që Petrit Dume dhe Hito Çako emëroheshin zëvendësministra, Sami Meçollari, Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe ministër i Mbrojtjes, Mehmet Shehu. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu. Të gjithë të pranishmit, që nga shokët e byrosë Mehmeti, Hysniu, Kadriu (këta ia kishin thënë edhe në Byro), pastaj Hito Çako e Petrit Dume dhe gjithë drejtorët e komandantët që diskutuan, i thanë “armik” dhe “agjent” Beqir Ballukut, duke i mohuar të kaluarën. Beqiri rrinte si i ngrirë. Një fytyrë i vinte një i ikte. I dukej e pabesueshme, ndoshta, që ai më i besueshmi deri dje të diskutohej për tradhti dhe kundër vijës së partisë. Ishte një frymë shumë mbytëse. Të gjithë ata, që deri dje i thurnin lavde, tani ju sulën duke i thënë një mijë e një të zeza. Unë s’dija ç’të thoja (megjithëse isha i përgatitur me shkrim). Ishte ende një terren i panjohur për mua. Më dukej si një ëndërr kjo skenë, për të mos thënë si një film imagjinar. Kisha fituar një respekt të veçantë për atë njeri të luftës dhe babaxhan. S’ia hiqja sytë dhe s’mund ta besoja. Në fund të fundit edhe në plan gjithçka ishte imagjinatë. Por çudia e dytë ishte, se, ata që u emëruan zëvendësministra, Hito Çako e Petrit Dume, krekoseshin, dhe as që u shkonte mendja se më vonë do ta pësonin edhe ata.
Të gjithë kundër Beqirit
Me të vërtetë ishte e dhimbshme për të mos thënë e pabesueshme. Drejtorë dhe komandantë (shumica) kur Beqir Ballukut iu dha fjala nga Mehmet Shehu (që drejtonte mbledhjen) për të diskutuar, sa ishin në sallë nuk e lanë të diskutonte. Pjesa dërrmuese e ushtarakëve i drejtohej Mehmetit njëzëri se, “nuk e duam armikun të diskutojë, nuk e duam agjentin në tribunë”. Dy-tre herë Mehmet Shehu u tha: Ta lëmë të diskutojë. “Jo, jo”, – u përgjigjën në kor drejtorët. Aq e madhe ish kjo histeri sa sikur të thuhej edhe një herë nga drejtuesi, Mehmet Shehu, për të diskutuar Beqiri, rrezik se do t’i thoshin edhe Mehmetit që je i molepsur edhe ti në punën armiqësore. Mehmeti ishte i zgjuar. E kuptoi drejt situatën. E dinte si duhej vepruar me ushtarakët se kishte shumë vite që punonte me ta. Ndaj heshti. Nuk kuptohej nëse i vinte keq për Beqirin apo jo. Kadri Hazbiu shikonte vetëm nga salla. Askush nuk e kuptonte se çfarë shprehte shikimi i tij.
Çudia me Petrit Dumen
Me të vërtetë sjellja e tij më çuditi. Për shembull, Petrit Dumja kishte shtruar një rrip me çimento, nga çadra deri në vijën e ujit, që të mos i shkelnin këmbët në rërë. Mbështetej në trupin e shoqëruesit për t’u thekur në diell. E shijoi Golemin e atyre ditëve në mënyrën më të bukur të mundshme, kur ne të gjithë ishim paksa në ankth.  Menjëherë  pas dënimit të Beqirit, filloi të bënte vizita familjare në ishullin e liqenit të Vaut të Dejës. Domethënë ende pa përfunduar skenari i dënimit të Beqirit, ai filloi të manifestonte gjithë ato gjëra, veprime negative që dënuan edhe Beqirin.
Ditë të vështira në ushtri
Nga fundi i vitit 1974, (tetor, nëse nuk gaboj) kur u bënë ndryshimet e mëdha pas dënimit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, e Hito Çakos unë u emërova  Drejtor i Përgatitjes luftarake në vend të Nikollaq Sallabandës. Vendimin e Byrosë Politike për  këto ndryshime  e bëri  Mehmet Shehu në Ministrin e Mbrojtjes Popullore. Më parë ai komunikoi shkarkimet e “Kastës ushtarake “siç u quajt në atë kohë dhe pasi i nxori jashtë sallës u tha atyre që në mëngjes të vinin në zyra e  të bënin dorëzimet. Me daljen  e tyre jashtë, bëri emërimet tona, kështu që të shkarkuarit nuk dinin se kush do t’i zëvendësonte. Ne morëm detyrën që brenda 2 orëve të mëngjesit  të zëvendësonim të parët. Nikollaqi u vonua ndonjë orë, nuk e di përse. Më vonë, më thanë se erdhi. U fut në zyrën e tij dhe po qante siç më tha Marku. I thashë lëre të qajë, më vinte rëndë ta gjeja duke qarë. Shokët e drejtorisë e shihnin gjendjen. Kur mendova se do ish qetësuar shkova në zyrë dhe i thashë se në vend të tij isha emëruar unë. Bëri ato pak dorëzime dhe unë mblodha shokët e drejtorisë për t’u takuar, por ai nuk i takoi siç ua thashë më sipër, se i kishte duart me mikrobe. Nga sa mora vesh  nëpërmjet organizatës bazë të partisë mikrobet ishin disa dreka e darka që kishte shtruar për Beqir Ballukun kur ishte komandant Korpusi në Fier, por edhe për disa gjela që i shkonin Beqirit për vitin e ri.
Akuza e papritur
Ishte koha, kur me largimin e Veli Llakajt u emërova Shef i Shtabit të Pergjithshëm dhe zv. i parë i ministrit të mbrojtjes. Pa u mbushur 10 ditë  nga emërimi, në KQ mbërriti një letër e firmosur nga Luto Haskaj dhe Servet Demiri komandant i Brigadës së Tankeve  në Vorë, të cilët njoftonin se Kiço Mustaqi kur ishte komandant i Korpusit të Tiranës kishte përpiluar plane për asgjësimin e Byrosë Politike, në kohën që ata do të vinin me pushime në Durrës. Këtë letër Simon Stefani që mbulonte ushtrinë si sekretar i KQ dhe anëtar i BP, ma jep mua e më thotë: shko në Korpus dhe zgjidhe këtë punë. Epo, i thashë Lutua të më akuzoj mua? Duhet dhe një oficer i tretë, i them. Më tha shko se i dimë ne këto punë. Të paktën më jepni një instruktor i thashë. Jo, tha as atë s’ta japim, shko vetë. Shkova në Korpus në zyrën e komandantit dhe thirra komandant, komisar, sekretar korpusi, shef shtabi korpusi dhe komandantin Brigadës së Tankeve – Servet Demirin. Me qëllim që të mos e merrnin vesh arsyen e vajtjes u thashë; kam një material do ta lexoj, do të flas unë i pari, pastaj të flasë kush të dojë. Edhe mbylljen do ta bëj unë, dhe pasi do ta mbyll, juve jeni të lirë të bëni si të doni. Pasi lexova letrën u mor vesh pse kisha vajtur. Duke diskutuar i pari u thashë se shoku Luto e Servet kanë vepruar drejt dhe kushdo nga ne që dyshon për të keqen që mundet t’i vijë  njërit apo gjithë  byrosë  politike  bënë  mirë  që ta informoj menjëherë, partinë. Ndërhyri Lutua e tha mos u tall. I thashë se kjo është letra jote, unë e kam seriozisht dhe ti e ke vonuar tre vjet. Unë kam tre vjet që kam ikur, duhej njoftuar më përpara  por ajo që është  më kryesorja  që dua t’ua them është se ato plane janë për ta mbrojtur Byronë Politike  e jo për ta asgjësuar. Po të keni kundërshtime shkruani ku të doni. Është  turp i madh u thashë të godasësh pas shpine shokët me të cilat ke punuar etj, etj. U mbyll ky problem me Luton i cili ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH.
vijon nesër…

Dilaver Poçi, gjenerali që përfundoi në Cërrik

Dilaver Poçi me gradën “Gjeneral Brigade”, në kohën kur kryente detyrën e drejtorit të Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore

Dilaver Poçi ka qenë një nga strategët më të mirë të politikës ushtarake, por që pati fat shumë të hidhur. Jemi të çuditshëm një pjesë e madhe nga ne shqiptarët. Sot të duartrokasim fuqishëm, ndërsa nesër të vrasim. Pas Beqir Ballukut, vazhduan më vonë analizat në parti e në komanda. Krerët u pushkatuan, të tjetër u dënuan me burgje e internime. Një ndër ta ishte edhe Dilaver Poçi. Ai u internua në Cërrik se e kishte marrë materialin e studimit të Beqir Ballukut dhe nuk e kishte lexuar. Ndoshta nuk i kishte bërë përshtypje. Ky nënvleftësim nuk do të kalonte pa rënë në sy. Kjo indiferencë ishte me pasoja. S’ishte pa siklet. Kjo harresë ndryshoi dhe fatin e tij. Por, kush ishte Dilaver Poçi? Ai ishte një gjeneral me përvojë dhe i përgatitur në mënyrë të shkëlqyer në fushën politike, ndërsa atë ushtarake ua linte komandantëve. Ishte shumë teorik dhe praktik në profesionin e tij si komisar, i pjekur dhe metodist i shkëlqyer në drejtimin e punëve të partisë. Të paktën kështu e kam njohur unë atë, kur ishte komisar korpusi në Shkodër, ndërsa unë isha komandant brigade dhe anëtar i Komitetit të Korpusit. Kur bënte biseda politike edhe me civilët e Shkodrës, nga niveli i lartë i bisedës, jo vetëm që mbretëronte vëmendja e qetësia, por dëshironin që të zgjatej edhe mbi orarin e caktuar. Para internimit, Dilaveri ishte drejtor politik i ushtrisë. Pra, kam pasur këtë njohje, ai epror dhe unë vartës i tij direkt. Jam  plotësisht i bindur që materialin e kishte lëne në kasafortë. Duhej internuar ky njeri? Kështu u veprua edhe me shumë të tjerë. Edhe pas internimit, Dilaver Poçi ka mbajtur qëndrim të shkëlqyer, nuk  lajthiti djathtas e majtas, por ndoqi parimet e drejta të demokracisë së vërtetë pa kaluar në ekstreme, siç ndodhi me ca kuadro të vjetër. E kam kujtuar gjithmonë me respekt. Korrekt, njerëzor, i respektueshëm, i dashuruar me librin. Mbi të gjitha nuk merrej me fjalë boshe. Ishte një komisar tipik me karakteristikat më të mira.

Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, dyshja më e besuar e Enverit

Mehmet Shehun e kam vlerësuar si njeriun e duhur në punët e mëdha të partisë, ekuilibratorin dhe rregullatorin në marrëdhëniet në Byronë Politike, zyrtari më i duruar dhe i besuar në udhëheqjen e lartë të Partisë. Kam pasur rastin ta dëgjoj Mehmet Shehun kur diskutonte për çështje të kuadrove të larta. Mehmet Shehu gjithmonë i thoshte Drejtorit të Kuadrit, t’i shikoj njëherë shoku Hysni, pastaj kalojani shokut Enver. Pra Mehmet Shehu kishte besim absolut tek Hysni Kapo. Ose më mirë duhet thënë se Hysniu dhe Mehmeti, jo vetëm ishin udhëheqësit më të shquar për partinë e pushtetin, të cilët kombinonin shkëlqyer me njëri-tjetrin, por në sytë e mi, ata përbënin çiftin më të mirë e më të besueshëm për Enver Hoxhën. Shkurt problemet që kalonin në duart dhe gjykimin e këtyre të dyve garantonin, siguri, besim, saktësi, zhvillim, perspektivë e të ardhme…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura