Tetë persona, mes tyre edhe shqiptarë janë arrestuar nga policia e Spanjës, si pjesë e një grupi kriminal në trafikun e drogës.
Përveç shqiptarëve, të arrestuarit janë shtetas lituanezë, grekë dhe spanjollë.
Sipas mediave spanjolle arrestimet u kryen në kuadër të operacionit ‘Dita e Gjelbër’, ndërsa policia ka mundur të çmontojë katër plantacione me marijuanë dhe të sekuestrojë 485 kg drogë, ose 2721 bime narkotike.
Sipas policisë, ndryshe nga grupet e tjera kriminale që zgjedhin shtëpi apo zona të pabanuara për të kultivuar marijuanë, grupi në fjalë kishte zgjedhur shtëpi luksoze, madje në zona të urbanizuara.
Grupi kishte bërë investime të konsiderueshme financiare për të përshtatur ambientet e kultivimit të drogës, si dhe ngritën sisteme të tëra alarmi dhe sigurie.
Sistemi i kultivimit ishte i brendshëm dhe kishte të gjithë elementët e nevojshëm për të garantuar një korrje të përhershme për shitje të mëvonshme. Plantacionet ishin të pajisura me pajisje komplekse ndriçimi, ajrimi, filtrat e aromës, kohëmatësa për të kontrolluar funksionimin e sistemit si dhe pajisje të posaçme për të matur temperaturën dhe lagështinë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al