“Fjalimi i Enverit në ‘73 këputi kokën e Fadil Paçramit”

Aug 14, 2014 | 15:44
SHPËRNDAJE

Fadil Paçrami

Vijon nga numrat e kaluar

Drama e Todi Lubonjës e Fadil Paçramit, njohur ndryshe si viktimat e Plenumit IV të KQ të qershorit ’73, ka nisur fill pas Festivalit XI të Këngës në RTSH. Ditari i Haxhi Kroit zbulon momentet kryesore, së paku ato që ka mësuar në zyrën e Hoxhës të kësaj fushate, projektuar nga kreu i regjimit. Hedhur telegrafisht, në formën e kronikave ditore, ngjarjet pararendëse të kryqëzatës kundër dy funksionarëve të lartë, që mbulonin sektorët e edukimit dhe propagandës, në shënimet e sekretarit të Hoxhës, vijnë kronologjikisht, duke filluar me fjalimin e këtij të fundit në Presidiumin e Kuvendit Popullor më 9 janar ’73, në të cilin kritikoi për herë të parë frymën moderniste të festivalit të 11-të dhe vijojnë me alarmin e beftë në plenumin e 3 shkurtit ’73, për rrezikun që i kërcënohej Partisë dhe vendit nga situata e rëndë në disa institucione si Radio Televizioni Shqiptar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e sektorë të tjerë të kulturës dhe rinisë. Pas këtij momenti, projeksioni i Hoxhës po bëhej përherë e më i qartë, duke kulmuar në fjalimin e 15 marsit ’73 në mbledhjen e aparatit të KQ. Këtë radhë në objektin e goditjes nuk ishin thjesht shfaqje e dukuri negative që pengonin progresin, por një grup i organizuar antiparti me emra konkretë. “Fjala e shokut Enver u dha dërrmën ‘rrufjanëve politikë’ që fshehin dorën pasi hedhin gurin”, shkruan Kroi, duke kujtuar duartrokitjet e nxehta të të pranishmëve, ku nuk është përfshirë Fadil Paçrami, i cili “përplaste duart me angari lehtë-lehtë, refleks ky i një qëndrimi disaprovues”. Fadil Paçrami, asokohe sekretar i KP rrethit të Tiranës, pas këtij çasti të padëshirueshëm, e ka parë veten në syrin e ciklonit dhe, siç shkruan ndihmësi i Hoxhës, ka shkuar qysh të nesërmen në zyrën e tij, për të paraqitur ndjesën e radhës te kreu i Partisë, por ky i fundit e ka shpërfillur hapur kërkesën për takim. Në ditarin e sekretarit të Enverit zbulohen sakaq detaje të panjohura nga fjalimi ogurzi “Si ta kuptojmë dhe luftojmë me sukses rrethimin e egër imperialisto- revizionist mbi vendin tonë”, i cili është përgatitur para 15 marsit ’73. Shënimet e Kroit bëjnë të qartë se nga janari deri në qershor, kur u zhvillua plenumi i 4-t, është zhvilluar një fushatë e jashtëzakonshme kundër liberalizimit të papranueshëm në arte dhe letërsi, e cila është finalizuar me dënimin e të gjithë “modernistëve” dhe kryqëzimin e krerëve të lartë, që kishin drejtuar sektorët e edukimit dhe propagandës. Ndër ngjarjet e tjera që ka memorizuar njeriu diskret i Hoxhës nga kjo periudhë, janë problemet e shfaqura me shëndetin e Enverit para infarktit të vitit 1973. I porsakthyer nga shërbimi në rrethin e Burrelit, ku ka qenë i pranishëm në Plenumin e Partisë, Hoxha është ndier jo mirë dhe ka kaluar një gjendje të rëndë, duke qëndruar gjatë gjithë marsit të vitit 1972 me regjim shtrati. Megjithatë, vëren njeriu që mbante çelësat e zyrës më të rëndësishme në vend, Hoxha e drejtonte Partinë në këto kushte nga shtëpia.

Ditari i vitit 1972 – 1973
22 shkurt 1972

Në orën 9:30 hyri në zyrën e shokut Enver shoku Hysni dhe doli pas rreth një ore.
23 shkurt 1972
Shoku Enver më njoftoi se nesër në mëngjes do të nisemi për në Burrel për të ndjekur plenumin e Partisë dhe më kujtoi të marr me vete një shishe me bojë stilografi. Kuptohet që ai do të vazhdojë të shkruajë si çdo ditë në ditarin e tij. I komunikova Jetës (shoqes stenografe) se nesër nisemi me shërbim. Njëkohësisht njoftova edhe Muratin (teknikun e qendrës së zërit) dhe shofer Luanin. Bisedova edhe me shokun Piro Kondi për të marrë masa për lajmërimin e korrespodentëve të shtypit dhe punonjësve të televizionit, por gjithnjë duke pasur parasysh porosinë e shokut Enver që të mos e dinë destinacionin.
24 shkurt 1972
Me Jetën e Muratin u nisëm për në Burrel. Në Shkopet kishte dalë për ta pritur shokun Enver Mustafa Pajenga, sekretar i parë i rrethit dhe anëtar i KQ. Mustafa një moment më tha se vizitën e shokut Enver e kishte marrë vesh vetëm 10 minuta më parë. Në shtëpinë e pritjes kur mbërritëm, zjarri ishte shumë i dobët, dhomat plot tym
25 shkurt 1972
Filloi punimet plenumi i KP të Burrelit. Diskutimet vazhduan deri në orën 19:30. Pastaj shoku Enver shkoi të pushonte.
26 shkurt 1972
Në plenum e mori fjalën shoku Enver, i cili foli pa ndërprerë nga ora 9:00 deri në orën 15:15. Pasdite shoku Enver vizitoi çerdhen nr.2 dhe kopshtin e qytetit. 27 shkurt 1972
Në orën 10:00 shoku Enver vizitoi Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare të Burrelit. Pas vizitës shkroi diçka në librin e përshtypjeve dhe, si u nda me shokët përgjegjës të rrethit, u kthye në Tiranë.
28 shkurt 1972
Në orën 9:00 shoku Enver erdhi në zyrë. Në orën 9:30 hynë në zyrën e tij shokët Hysni e Ramiz dhe qëndruan rreth tri orë. Kur dolën, më kërkuan të zbardhim sa më parë fjalimin, që shoku Enver kishte mbajtur në plenumin e Burrelit. Kur mbaroi orari, erdhi në zyrë shoqja Nexhmije dhe më tha se dje gjithë pasditen shoku Enver nuk shtrihej dot, katër herë veshi pizhamet për të fjetur dhe u ngrit. Mirëpo edhe në këmbë nuk qëndronte dot, se i merreshin mendtë. Asnjëherë tha ajo, nuk i kishte dhembur kaq shumë koka. Siç duket, shoku Enver u lodh shumë në Burrel dhe foli shumë gjatë në plenum plotë gjashtë orë.
29 shkurt 1972
Porsa doli në zyrë shoku Enver, më porositi t’i gjej tekstet e plota të fjalimeve të Çu En Lait dhe të Niksonit, si atë të zbritjes më 21 shkurt, si atë të përcjelljes më 26 shkurt. Porosita Fiqiri Voglin dhe pas gjysmë ore ia çova në zyrë të dyja materialet e vizitës “historike”. Kur u largua nga zyra, më tha se aparati i televizorit që i vumë në zyrë para një jave nuk ka punuar, ai nuk duhet të lëvizë. I thashë se, siç duket, tërheqja e aparatit në Burrel ka shkaktuar ndonjë defekt. Atëherë tha që të mos lëvizë më në raste të tilla. Do të ngarkoj Sulon ta shohë sa më parë këtë çështje dhe të porositet gjithashtu personeli i shërbimit, që të bëjë shumë kujdes gjatë pastrimit.
1 mars 1972
Shoku Enver nuk doli sot në zyrë. Shoqja Nexhmije që erdhi për të kërkuar një material, tha se kishte kollë, duket se është ftohur korridoreve dhe në banjë kur ishte në Burrel.
2 mars 1972
Shoku Enver vazhdon të jetë sëmurë. Nuk doli as sot në zyrë.
3 mars 1972
As sot nuk doli në zyrë.
4 mars 1972
Shoku Enver vazhdon të jetë sëmurë nga të ftohtit. Sulua (Gradeci, shoqëruesi) tha se u bë më mirë, por drejt e ka që nuk doli edhe sot, që të forcohet e të mos ekspozohet në të ftohtë.
5 mars 1972
As sot nuk doli. Është në shtëpi.
6 mars 1972
Shoku Enver vazhdon të ketë kollë. Duket që është ftohur, por të paktën po rri në shtëpi sa të bëhet mirë.
7 mars 1972
Në orën 9:30 erdhi për punë shoku Hysni, ndenji rreth një orë. I mora leje për të shkuar pak më herët që të ngushëlloja Heroin e Popullit, Ndreko Rino, për vdekjen e nënës. Jo vetëm më tha të shkoja menjëherë, por më dha edhe një letër ngushëllimi nga ana e tij për t’ia dorëzuar personalisht.
8 mars 1972
Porsa mori lajmin nga Parisi mbi gjendjen shëndetësore të Taqos (punonjës shërbimi në aparatin e KQ), kur hyra në zyrë të tij, shoku Enver më tha me pikëllim se Taqo ka kancer në veshka.
9 mars 1972
Nuk erdhi në zyrë.
10 mars 1972
As sot nuk erdhi në zyrë.
11 mars 1972
Shoku Enver sot kish për të pritur dy miq të huaj, Tejlorin dhe Andersonin, që largohen nga vendi ynë, por s’duket ngaqë nuk e ndien veten ende mirë. Telefonoi nga shtëpia dhe porositi që të njoftohet shoku Ramiz Alia, që t’u thotë se nuk i pret dot sot, në qoftë se do të jetë më mirë, mund t’i presë pasnesër, të hënën, më 13 mars, ose në qoftë se do të jetë pa qejf, mund të mos i presë fare. 12 mars 1972
As sot nuk doli në punë.
13 mars 1972
As sot nuk doli në punë shoku Enver për arsye shëndetësore, prandaj të dy miqtë që duhej t’i priste që pardje se do largoheshin nga vendi ynë, i pritën shoku Hysni Kapo e shoku Ramiz Alia.
14 mars 1972
As sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Vazhdon mjekimet në shtëpi.
15 mars 1972
Pas disa ditëve pa qejf, sot doli në punë shoku Enver. Nga pamja duket i kthjellët dhe i çlodhur. Ç’lumturi! Në orën 11:00 priti shokun Spiro Koleka dhe bisedoi me të rreth një orë lidhur me gjendjen jo të mirë të punimeve në hekurudhën Elbasan-Përrenjas.
16 mars 1972
I dorëzova sot shokut Enver tekstin e redaktuar të fjalimit të mbajtur me stenogram në plenumin e Burrelit për ta parë vetë përfundimisht, mbasi do të botohet në buletinin e brendshëm të KQ.
17 mars 1972
Sot nuk erdhi në punë.
12 prill 1972
U kthye nga Franca shoku Mehmet Shehu. Ishte për mjekim me porosi të shokut Enver.
21 prill 1972
Vahidi mori dy ditë leje për xhaxhain e sëmurë.
5 mars 1973
Festuam 50-vjetorin e shokut Mihal Bisha. Shok i vjetër në aparatin e KQ, që nga viti 1955. Në orën 10:00 u organizua një ceremoni me rastin e dekorimit me urdhrin e “Flamurit të Klasit të Parë”. Ia dorëzoi shoku Hysni Kapo. Në fund shoku Enver uroi shokun Mihal…
7 mars 1973
Dje u prit sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Polonisë në orën 11:00. Biseda zgjati deri në orën 13:30. Pas takimit shoku Enver më tha që çështjet që ngrita për Kinën, të bëhen shumë përmbledhtas. Ia dhashë porosinë shokut Agim Popa. Sot shoku Enver më dha për të shtypur dorëshkrimin “Si duhet kuptuar dhe si duhet luftuar kundër rrethimit imperialisto- revizionist të vendit tonë dhe efektet e presionit të tij mbi ne”.
15 mars 1973
Sot pasdite bëmë mbledhjen e përgjithshme të komunistëve të aparatit të KQ për dhënie llogarie dhe zgjedhjen e Byrosë së Partisë. Diskutuan 11 veta. Diskutoi edhe shoku Enver rreth një orë e gjysmë, duke u dhënë dërrmën “rrufjanëve politikë”, që fshehin dorën pasi hedhin gurin. Kur foli shoku Enver, ishin ftuar të merrnin pjesë tërë anëtarët e KQ të Tiranës, përgjegjësit e organizatave të masave dhe sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës Fadil Paçrami, të cilët i orientoi drejtpërdrejt shoku Enver. Në fund të fjalimit duartrokitën nxehtësisht të gjithë. Vetëm Fadil Paçrami sa i përplaste duart lehtë-lehtë. Sigurisht, refleks ky i një qëndrimi disaprovues, që nuk është në gjendje të kundërshtojë një fjalim kaq të fuqishëm të mbështetur fort në mësimet e marksizëm-leninizmit, në mbrojtje të interesave aktualë dhe të perspektivës së atdheut, të popullit dhe të socializmit në Shqipëri.
16 mars 1973
Në orën 7:30 Fadil Paçrami u lut t’i komunikohej shokut Enver kërkesa e tij për takim, sigurisht për t’u justifikuar për qëndrimin e gabuar që ka mbajtur ndaj vijës së Partisë. As u përgjigj shoku Enver.
19 mars 1973
Sot vdiq në orën 3:00 të mëngjesit patrioti komunist, Sulo Mustafai, nga Hekali. Sa e njoftova shokun Enver, më porositi të bënim një telegram ngushëllimi. Pastaj shoku Enver thirri Skënder Shehun, inxhinier në uzinën “Dinamo”, djali i dytë i Mehmet Shehut në zyrën e tij dhe i tha se do të shkojë bashkë me Vladimirin, vëllain e madh në Hekal, për të marrë pjesë në varrimin e xha Sulos. Këto masa shoku Enver i mori në një kohë kur shoku Mehmet Shehu është në Paris për kurim bashkë me Fiqreten.
24 mars 1973
Shoku Enver i bëri një telegram shokut Mehmet Shehu, që sot pritet të operohet në Paris. Dje me porosi të tij u nis aty edhe mjeku Simon Çapeli. Shoku Enver përfiton nga ky rast për ta vënë në dijeni shokun Mehmet për gjendjen e djemve “buçko”, siç shprehet për Skënderin dhe Bashkimin. Ndërsa për djalin tjetër të shokut Mehmet, Ladin në Durrës, i thotë se ka porositur Ilirin që punon me të, që ta sillte një ditë për drekë. Iliri (djali i Enverit) i kishte thënë se ishte çuditur me gatimin e Bardhës, gruas së Ladit.
26 mars 1973
Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike, ku u shqyrtuan përgatitjet e Kongresit të Shtatë të Gruas. Shoku Enver për këtë mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm në mbrojtje të grave e vajzave.
27 mars 1973
Porsa erdhi në zyrë shoku Enver, lexoi një lajm nga Parisi për përfundimin me sukses të operacionit të shokut Mehmet Shehu. I bëri një tjetër telegram urimi. Në dosjen e letrave shoku Enver lexoi atë të Heroit të Punës Socialiste nga Berati, Qemal Begasit, që nuk e bënë drejtor të SMT-së. T’i hiqet vërejtja Gaqo Neshos për këtë, i tha Hysniut.
10 prill 1973
Sot pasdite, shoqet e aparatit të KQ ishin në zbor ushtarak. Sevua e mbajti Vaicën të mos shkonte se kishte disa materiale urgjente të shoqes Nexhmije Hoxha. E thirra Sevon dhe e kritikova rëndë. I thashë se ai vazhdon të ruajë zakonin që nuk pyet njeri dhe është liberal në çështje shumë të rëndësishme. Sa për materialet e shoqes Nexhmije, i thashë, duhej t’i shtypte vetë Sevua.

 vijon

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura