Gratë e Bosnjës janë më të dhunuarat e Ballkanit. Si në punë, ashtu edhe në familje. Të ngrenë krye është aq e vështirë, sa që edhe ato që kanë guxuar, janë përndjekur. Luftëtarja më jetëgjatë e çështjes feministe në Bosnjë është shoqata “Cverna” (E Kuqe), përfaqësuesja e së cilës është Adela Jusiç, një nga artistet më premtuese të gjeneratës së saj. Pas një jave, ajo do të vijë në Shqipëri, ku më datë 4 gusht do të hapë ekspozitën personale, në galerinë “Miza”, në Tiranë.
Pas Shqipërisë, bashkë me artisten Andreja Dugandzic, Adela do të hapë më datë 10 gusht ekspozitën e radhës në “DokuFest” – “Unerasable”. Vitin e kaluar ajo ishte një ndër artistet pjesëmarrëse në ekspozitën “Muslim Mulliqi” – “Out of the blue”. Adela Jusiç u desh që të merrte vëmendjen e artistëve dhe mediave ndërkombëtare që të niste vlerësimin real edhe në Bosnjë e vendet e rajonit. “Së fundmi, ‘New York Times’ publikoi veprën time të fundit (një video artistike të quajtur ‘Kur unë të vdes, ti mund të bësh çfarë të duash’), por media jonë nuk dha asnjë informacion mbi të”, thotë ajo.
FEMINISTJA E KUQE
“Cverna” (E Kuqe), ku bën pjesë Adela Jusiç, është një shoqatë që promovon artistët, të cilët punojnë për ide feministe. Përkthimi i emrit të tyre simbolizon fuqinë dhe energjinë e të punuarit së bashku. Për ata, e kuqja është “ngjyra e gjakut dhe e zjarrit, e emocioneve të forta, dashurisë dhe ngjyra e alarmit”. Adela Jusiç merret kryesisht me video-instalacion dhe fokusohet në eksperiencat e saj të luftës, pozitën e grave në luftë, religjionin dhe ambientin ku ajo është rritur. Me art ajo sfidon mentalitetit, ligjet e shkruara dhe të pashkruara që diskriminojnë gratë e Bosnjës. Por lëvizjet e saj profeministe i kapërcejnë kufijtë e shtetit të saj dhe gjithnjë e më shumë po kërkohet kudo nëpër botë… Për artistet feministe të padukshme të Bosnjës, beteja është për të arritur njohje, duke jetuar nga punët e veta dhe për të arritur një ndikim shoqëror në një mjedis që vijon të mbetet gjerësisht i shurdhët dhe i verbër përballë ideve të tyre. “Shqetësimi jonë nuk është thjesht nëse ne jemi apo jo të padukshme, por nëse ne jemi të njohura dhe të vlerësuara dhe se sa seriozisht respektohet përkushtimi ynë në shoqërinë tonë”, thotë Jusiç.
VEPRAT PËR SHQIPËRINË KOMUNISTE
Një nga temat e Jusiç që ka lidhje edhe me Shqipërinë, është krahasimi i pozicionit të grave në epokën socialiste me kohën aktuale. Shumë vepra e kanë çuar atë nëpër ish-Jugosllavi, si dhe në Shqipëri, për të ekzaminuar ndryshimet për të drejtat e grave që nga komunizmi/socializmi e deri më sot. Vepra “Na tregoni diçka mbi jetën tuaj të re”, flet se si gratë e Shqipërisë në komunizëm qenë shumë më tepër të angazhuara në sferën publike sesa në ditët tona. Ato inkurajoheshin të punonin dhe qenë të pranishme në të gjitha sferat e shoqërisë. Vepra synon të eksplorojë efektet që këto ndryshime kanë pasur mbi gratë, ndërsa vë në pikëpyetje prezantimin politik zyrtar të “progresit” dhe “emancipimit” të grave në Shqipërinë socialiste. Vepra të tjera nga Adela, të tilla si “Dinjitet, Mosbindje, Frikë, Dëshpërim” dhe “Çfarë na ka dhënë ne lufta jonë?” prezantojnë gratë në epokën socialiste dhe në Luftën e Dytë Botërore, kur ato ishin të inkurajuara të bashkoheshin me frontin anti-fashist dhe të punonin në industri. “Ajo qe një epokë e artë për të drejtat e njeriut në Jugosllavi në krahasim me ditët tona”, pretendon Adela Jusiç.