Gruaja e portierit Alban Hoxha vdiq nga neglizhenca, prokuroria çon në gjykatë dy mjekë

Jul 22, 2015 | 7:50
SHPËRNDAJE

Dy mjekë të maternitetit “Koço Gliozheni” do të ulen në tavolinën e të pandehurve në Gjykatën e Tiranës, pasi dyshohet të jenë përgjegjës për vdekjen e bashkëshortes së portierit të ekipit “Partizani”, Alban Hoxha.

hoxha1-300x216

Dorjana Haka ndërroi jetë në 19 nëntor 2014 si pasojë e një komplikacioni shëndetësor pas lindjes së fëmijës.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, vdekja e saj ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve, të cilët nuk kanë bërë analizat e nevojshme para dhe pas operacionit të lindjes, për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore.

Në përfundim të hetimit të këtij rasti, Prokuroria çoi si të pandehur në gjyq gjinekologun Petrit Rexhepi dhe anestezisten Elona Burba. Ata akuzohen për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”.

KALLËZIMI
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për vdekjen e Dorjana Hakës në 4 dhjetor të vitit 2014, pas kallëzimit të kryer nga ana e Enver Hakës, babait të së ndjerës. Referuar kërkesës për gjykim në kallëzimin e tij, Enver Haka ka rrëfyer se vajza e tij nuk kishte shfaqur asnjë problem shëndetësor, para se të shtrohej për lindje në maternitet. “Vajzën për në spital e ka shoqëruar ai, bashkëshortja e tij, H. Haka, vjehrra e vajzës, M. Hoxha, dhe bashkëshorti i saj, Alban Hoxha.

Në momentin e shtrimit ishte në gjendje shëndetësore normale, pa ndonjë shqetësim. Disa ditë më parë vjehrra e vajzës, M. Hoxha, kishte biseduar me një mikeshën e saj, të quajtur Elona, që punon anesteziste te spitali ‘Koço Gliozheni’ dhe kishin planifikuar datën dhe orën e shtrimit të vajzës për lindje. Atë ditë e dërguan vajzën në spital. Ishte data 4.11.2014 kur kanë shkuar te spitali me vajzën për ta shtruar rreth orës 9 të mëngjesit, siç ishte planifikuar nga spitali. Te dera e jashtme e spitalit ka dalë Elona, anestezistja, duke e marrë Dorjanën si me shpejtësi, dhe u fut në spital”, citohej kallëzimi i Hakës në dosjen e Prokurorisë. Sipas Prokurorisë, pas lindjes, tek e reja janë vënë re probleme shëndetësore, prej të cilave disa ditë më pas ka ndërruar jetë.

PAKUJDESIA
Referuar hetimit të Prokurorisë, kontrolli pas operacionit në rastin e shtetases Dorjana Haka ka qenë i pamjaftueshëm dhe ky kontroll duhet të sigurohet më mirë nga vetë specialisti kur ai mungon nga një bashkëpunëtor i tij. Shkak i përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të shtetases Dorjana Haka ditën e dytë pas operacionit ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trurit. Në materialin e dërguar në Gjykatë, Prokuroria shprehej se mjekimi ndaj të ndjerës Haka kishte qenë i mangët.

“Rekomandimet e mjekëve të shënuara në kartelën klinike në lidhje me kryerjen e analizave nuk është realizuar në kohë, por me shumë vonesë”, thuhej në dosje. Sipas Prokurorisë, bazuar në të dhënat e përshkruara në kartelën klinike repartit Obsetrik-Gjinekologjik të Spitalit “Koço Gliozheni” dhe të klinikës së Neurologjisë të Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, rezulton se shkaku i vdekjes së shtetases Dorjana Haka me mundësitë më të mëdha duhet të ketë qenë arresti kardiak, ndalimi i punës së zemrës.

“Nga sa u parashtrua, rezulton e provuar se të pandehurit Petrit Rexhepi dhe Elona Burba kanë konsumuar elementët e veprës penale të ‘Mjekimit të pakujdesshëm’, pasi, sipas aktekspertimit dhe deklarimeve të marra, nuk kanë marrë masat e nevojshme para dhe pas operatore për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të shtetases Dorjana Haka, e cila, më pas, ka gjetur vdekjen”, thuhej në dosjen e akuzës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura