Gruaja e shkrimtarit: Brengat që mori me vete Mitrush Kuteli

Jun 6, 2011 | 14:15
SHPËRNDAJE
Efterpi Skendi (Pasko) duke rrëfyer për “Panorama”

Kur flet për jetën e Mitrush Kutelit, bashkëshortja e tij i shmanget periudhës së burgut.Këmbëngulja për të depërtuar në pjesën më dramatike të jetës së shkrimtarit të shquar rezulton e kotë, ndërsa gruaja që ka ndarë vitet më të bukura të jetës me të përmend arsyet pse heziton t’i kthehet kësaj historie.  “Dhimitri, sa ishte gjallë nuk foli kurrë për ditët e burgut, madje as kur rrinim vetëm”, kujton ajo duke zbardhur një brengë të hershme të tij. Sidoqoftë, Efterpi Skendi (Pasko), nga mënyra si shprehet për të shoqin, nuk mund ta fshehë deri në fund lëndimin e përjetuar gjatë bashkëjetesës me të. Ca më tepër kur u kthehet dokumenteve që i ka besuar në formën e dorëshkrimeve të pabotuara, librave të censuruar dhe letrës së lamtumirës, shkruar para se të ndërronte jetë, destinuar vetëm për atë. Përtej kësaj pjese të trishtë, gruaja e poetit të shquar ruan mjaft kujtime të tjera, që nga njohja në vitin e parë të pasluftës, dasma në Korçën e porsaçliruar, gëzimi i lindjes së fëmijëve, e deri te miqësitë e sinqerta me Sterio Spasen, Eqrem Çabejn, Vedat Kokonën, Nonda Bulkën, Zisa Cikulin, Mustafa Gërbëlleshin, Skënder Luarasin, Petraq Kolovicën etj. Në rrëfimin për “Panorama”, bashkëshortja e Kutelit të madh zbulon një mori faktesh e ngjarjesh të panjohura nga jeta e shkrimtarit dhe poetit të shquar që ka lënë gjurmë si rrallëkush në historinë e letërsisë shqipe…
Zonja Efterpi, cila ka qenë ngjarja më e rëndësishme që keni përjetuar nga bashkëjetesa 20-vjeçare me Kutelin?
Kemi përjetuar gëzime e dhimbje të përbashkëta, por më e veçanta ka qenë periudha e burgut, ajo që i shkaktoi vdekjen e parakohshme. Për të Dhimitri nuk foli asnjëherë, duke na mbajtur larg kësaj historie deri në fund. Nuk donte t’i kujtonte vuajtjet dhe kurajën me të cilën i përballoi ato. Bile mendonte se t’u rikthehesh atyre vend e pa vend është e padobishme. Kjo ishte bindja e tij deri në ditën kur ndërroi jetë, pavarësisht brengave që mori me vete…
Para se të flasim për këtë pjesë të dhimbshme të jetës së tij, të kthehemi pak në retrospektivën e lidhjes tuaj. Kur jeni njohur me Kutelin?
Njohja me të ka qenë diçka e rastit. Për herë të parë jemi takuar në një vizitë te një miku ynë i përbashkët. Ka qenë pranvera e vitit 1945. Aty filloi edhe lidhja, pastaj fejesa. Gati pas një viti, më saktë më 28 prill të vitit 1946, bëmë martesën. Dhimitri nuk bëri dasmë. Ai mori pjesë në ceremoninë që bënë njerëzit e mi në Korçë. Në atë kohë familja e tij kishte përjetuar disa fatkeqësi. Italianët i kishin vrarë babain dhe e kishin djegur bashkë me shtëpinë në Pogradec. Pas dasmës jetuam në shtëpinë që Mitrushi kishte marrë me qira te Shallvaret…
Pra, ju u martuat kur Mitrushi vazhdonte të punonte në bankë…
Dhimitri kishte filluar punë në bankë në vitin 1943. Ishte diplomuar për këtë në Universitetin e Bukureshtit. Profesionin si bankier e kishte nisur në Rumani, fill pas përfundimit të studimeve. Pas kthimit në Tiranë, për rreth një vit punoi si drejtor i SASTEB dhe më pas në Bankën Kombëtare. Në vitin 1946 dha dorëheqjen…
Me çfarë e arsyetonte largimin nga Banka, në një kohë që vendi në atë kohë kishte nevojë të madhe për ekspert si Mitrushi?
Mbaj mend që vendimi i tij ishte diçka e papritur. Kur e pyesja për këtë, rezervohej shumë, bile ndiente një lloj bezdie. Mënyra si reagonte, së paku me mua, të linte të kuptoje se motivet kishin qenë të forta. Sidoqoftë, ai u mjaftua me një shpjegim zyrtar që ua kishte dhënë autoriteteve të…
Cilët ishin shokët me të cilët shoqërohej gjatë kësaj periudhe?
Dhimitri kishte shumë shokë e miq. Kishte të njohur gjatë studimeve në Rumani, ish-kolegë me të cilët kishte punuar në bankë, bashkëmoshatarë nga Pogradeci etj. Të gjithë i respektonte. Ndër më të afërtit ishin Sterio Spase, Eqrem Çabej, Vedat Kokona, Ilia Mitrushi, Nonda Bulka, Zisa Cikuli, Mustafa Gërblleshi, Skënder Luarasi e tjerë.
Me se u angazhua Mitrushi pas largimit nga Banka?
Shkëputja njëherë e përgjithmonë nga banka pasoi me vështirësi të shumta. Para së gjithash i duhej një punë për të siguruar të ardhura për jetesë. Mori vesh se do të hapej Instituti i Folklorit dhe shpresoi për t’u sistemuar aty. Bile, sipas një kërkese që i kishin bërë, përgatiti edhe një tekst të folklorit. Po ndodhi që hapja e Institutit po zgjaste dhe kjo i shtonte brengat. Duke qenë në pritje vazhdonte të shkruante e të përkthente. Bisedonte për to me Sterio Spasen, Nonda Bulkën e Vedat Kokonën. Ata e vlerësonin shumë punën e tij. Ishte koha kur në bibliotekat tona kishte mungesa nga fondi i librave të kohës. Fakti që Dhimitri zotëronte disa gjuhë të huaja dhe një pjesë të kryeveprave i kishte lexuar në gjuhë të huaj, vlerësohej nga miqtë e tij si një avantazh në përpjekjet për të kompletuar fondin e Bibliotekës Kombëtare. Është kjo periudha kur ai shqipëroi disa nga kryeveprat botërore dhe u bë i njohur midis krijuesve të kohës…
Ndodhi që në kohën kur kërkonte punë, e arrestuan…
Atë çast e kam në sy si tani. Data shënonte 16 maj ‘47, ishte ditë e enjte. Po rrinim në shtëpi te Shallvaria, kur u dëgjuan trokitje të forta në derë. E para dola unë. “Këtu është Dhimitri?”, më pyetën tre burra të armatosur dhe u futën brenda. “Dhimitër Pasko, në emër të popullit, je i arrestuar!”, i tha njëri prej tyre. E morën pa e prangosur. Sakaq një grup tjetër nisi të kontrollojë banesën në çdo skutë. Nuk dija ç’të bëja…
Kur u takuat pastaj me Mitrushin?
Deri ditën e gjyqit me Dhimitrin nuk patëm asnjë takim. Në izolim ku ishte i çonim vetëm ushqime e veshmbathje, si gjithë të burgosurve të tjerë. Nuk bëhej ta takonim. Çdo përpjekje që bëja, ishte e kotë. Bile edhe ditën që doli në gjyq, nuk dinim gjë. Lajmin për dënimin e tij na e dhanë policët e shërbimit kur po i çonim ushqim. Ata na thanë se tani do të kishim mundësi edhe për ta takuar. Na caktuan bile edhe ditën dhe orën e takimit. Aty morëm vesh se ishte dënuar pesë vjet. Kështu që Dhimitrin e takuam disa ditë pas përfundimit të gjyqit. Kishte kaluar gati një vit pa e parë me sy. Me mua në atë takim ishte motra e tij, Sterio Spasija me të shoqen dhe Sotir Sinjari me të shoqen…
Në cilin kamp e çuan pas procesit gjyqësor?
Pasi u njoha me vendimin e gjyqit, unë shkova në Korçë. Qëndrova te njerëzit e mi disa ditë dhe u ktheva përsëri në Tiranë. Në zonën e Qafës së Thanës, makina në të cilën udhëtoja u shkëmbye me autokolonën që transferonte të dënuarit për në kampin e Vloçishtit. Dhimitri që ishte ulur në karrocerinë e njërit prej kamionëve  më dalloi sipër karrocerisë së makinës ku kisha hipur, pasi na ishte prishur makina me të cilën u nisëm nga Korça dhe më thirri në emër. Sa e pashë, i thirra dhe unë. E përshëndeta dhe vazhdova rrugën për në Tiranë. Në kampin e Vloçishtit, ku e çuan, ishte i dënuar edhe vëllai im. Dhimitri aty qëndroi shtatë muaj. Prej andej e sollën në Tiranë. Lajmin për këtë na i solli im vëlla me një telegram nga kampi. Kjo na lehtësoi disi, pasi do ta kishim më afër dhe do ta takonim më shpesh. Megjithatë arsyet e vërteta të transferimit i morëm vesh më vonë….
Pra, pse e sollën në Tiranë?
Në Tiranë e sollën për ta bashkuar me një grup tjetër të dënuarish me të cilët do të punonte për përkthime të ndryshme. Bëhej fjalë për një punë të detyruar, që gjithsesi për ne vlerësohej me e volitshme nga ajo e Vloçishtit…
Aty i bëri të gjitha vitet e burgut?
Dhimitri ishte dënuar pesë vjet, por bëri vetëm dy, pasi për fat të mirë e zuri një amnisti që u shpall në vitin ‘49. Kështu, më 28 prill të vitit 49 u lirua. Lirimin e tij e mora vesh rastësisht. Në ditë teksa shkoja në rrugën e Fortuzit, pashë një grumbull njerëzish që mbanin para duarve një gazetë “Zëri i Popullit”. Njëri prej tyre lexonte me vështirësi listën e të dënuarve që përfitonin nga një amnisti i porsashpallur. Hyra mes tyre dhe me takt mora në dorë gazetën, duke filluar të lexoj emrat një nga një. Të gjithë më dëgjonin me vëmendje. Diku nga mesi i listës, dallova emrin e Dhimitrit dhe ngriva nga gëzimi. Sakaq, u lashë gazetën në dorë dhe u nisa me vrap në drejtim të burgut.
vijon nesër…

Testamenti për fëmijët: Duajeni vendin dhe gjuhën deri në vuajtje

mitrush kuteli me te shoqen

Në letrën e lamtumirës, që “mjeshtri i fjalës së shkruar” ka lënë para vdekjes, më së pari këshillon fëmijët që të “mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj”, duke vazhduar me përjetimet nga terreni i letërsisë, “një tokë kjo tek gëlojnë gjarpërinjtë e të vrasin shokët, se u bën hije”. Po çfarë thotë tjetër në tekstin e testamentit Mitrush Kuteli, gjeniu i letrave shqipe E dashur Efterpi,
Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.
Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrat e këqia. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minuta ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli.. Sipas mendjes sime shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehja e madhe, shkëputja nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike dhe shpirtërore. Që të dyja të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasoje e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt. (…) Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Ta kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell.
Ne u bashkuam, rrojtmë dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di.. I di ditët dhe netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër intereset vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes,po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike – në fushën ekonomike – në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër englezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali m i k gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë m i k, po vetëm k a p i t a l. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë. Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij – të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mija – të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë. Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin. Nisa të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva – ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa – dhe shiko se ku arrita.
Dëgjo!
Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.
1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!
2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.
3 (…)
4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…)
Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti, Dhimitraq
11 korrik,1966. Tiranë.(e hënë)

Kur troket në portën e Efterpi Paskos në Tiranë

Streha ku jeton e shoqja e Mitrush Kutelit, ndodhet diku përballë restorant “Durrësit”, në katin e parë të një pallati me tulla silikate. Pas trokitjeve në portë, na fton të futemi brenda e zonja e shtëpisë. Në vështrimin e parë na rrëmben moria e librave dhe rregulli i përsosur në vendosjen e objekteve, pas të cilave është dora dhe përkujdesja e gruas që na uron mirëseardhjen me një zë të ëmbël si shushurimë. Është njeriu më i afërt i shkrimtarit elegant dhe përkthyesit të stërfuqishëm, njohur në kohën e vet si një makineri e pashtershme, Dhimitër Paskos apo Mitrush Kutelit.
Megjithëse e thyer në moshë, ka ruajtur diçka nga rinia e saj, që duket në fluidrinën e të servirurit të kafesë dhe brishtësinë e të shprehurit. Nga mënyra si reagon kur e pyet për jetën me Mitrushin (në çdo rast përmend emrin Dhimitër), të kujton njeriun që krenohet me zgjidhjen që ka bërë. Paçka se i është dashur të stërmundohet shumë me daktilografimin e dorëshkrimeve të gjigandit të letrave shqip, që ndryshe nga të tjerët e kalibrit të tij, qëndroi një herë para trupit gjykues, duke u dënuar me pesë vite në burg. Efterpi ka qenë lexuesja e parë, shijuesja e parë e prodhimeve të makinerisë së sofistikuar me dy emra – Dhimitër Pasko dhe Mitrush Kuteli. (Ende sot, shumëkush ngatërron emrin e vërtetë me pseudonimin). Ajo pranon të flasë për shumëçka nga jeta e të shoqit, ndërkohë që rezervohet t’i kthehet pjesës së burgut. Ashtu si dikush refuzon të tregojë ëndrrën e keqe që ka parë një natë më parë. Sidoqoftë, 88-vjeçarja që ka ndarë për 20 vjet gëzimet dhe hallet me Kutelin e madh, nuk heziton të flasë për brengat e tij, dorëshkrimet e pabotuara, librat e sakatuar nga censura, e deri te testamenti i mbyllur në sirtar, i destinuar për t’u lexuar pas vdekjes.

 

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura