RUDIAN ZEKTHI
Zgjedhjet e fundit për drejtuesit e Komunitetit Mysliman mund të ishin për cilindo nga pjesëtarët e shoqërisë shqiptare, një rast për t’u pezmatuar, por nuk mund të jetë për cilindo prej tyre një mundësi për të reflektuar mbi themelet e shoqërisë moderne shqiptare. Ky reflektim mund të bëhet vetëm nga pozitat e dikujt që është në të njëjtën kohë edhe brenda, edhe jashtë, pra nga një pjesëtar i grupit të myslimanëve shqiptarë. Brenda dhe jashtë, në të njëjtën kohë, ai konceptohet nga pjesëtarët e grupeve të tjera të shoqërisë, madje edhe nga pjesëtarët e grupit të vet, por për atë vetë nuk është kështu: ai është në të dyja rastet brenda, njëkohësisht brenda grupit dhe brenda shoqërisë.
2. Ky pozicion i jep mundësinë që ta homogjenizojë kritikën e tij dhe të arrijë t’i shohë sëmundjet e grupit si refleks të shëndetit të dobët të shoqërisë dhe anasjelltas. Dhe në qoftë se homogjenizimi i kësaj kritike nuk është një gjest i sforcuar dhe i kotë, kjo do të thotë se ky homogjenizim nuk është opsion, por detyrim: cilido që merr përsipër të flasë për problemet e shoqërisë (në këtë rast shqiptare), nuk mund ta bëjë këtë pa vetëdijen e lartë se në të njëjtën kohë duhet të flasë edhe për problemet e grupit ku bën pjesë, duke i vendosur këto brenda së njëjtës paradigmë.
3. Cilido që nuk e zotëron perspektivën e kësaj paradigme homogjenizuese, bie në trivialitetin e një ligjërimi që nuk njeh burimet e veta, sepse si rregull në këtë rast ndodh që (që në mënyrë të vetëdijshme në nivel pragmatik dhe të pavetëdijshme në nivel epistemologjik), të flitet duke e maskuar (përmes zhvlerësimit) përkatësinë te grupi dhe duke mbitheksuar përkatësinë te shoqëria. Maskim që prodhon dy procede publike (që të dyja triviale): ose kritikë ndaj shoqërisë duke mbyllur sytë para problemeve të grupit, ose kritikë ndaj grupeve të tjera, duke adaptuar si superioritet identifikimin e vetes vetëm si pjesë e shoqërisë.
4. Në të kundërt, cilido që ka fatin e zotërimit të kësaj perspektive, ngrihet në lartësinë e dy procedeve fatlume: ose zhvillon kritikën ndaj grupit njëherazi si kritikë ndaj shoqërisë dhe anasjelltas, ose pasi ia ka dalë t’ia përbrendësojë këtë perspektivë edhe grupit të tij, të përpiqet së bashku me grupin të ndikojë në ndreqjen e mbarë shoqërisë (por jo anasjelltas).
5. Sepse është e qartë se nuk është shoqëria që i kushtëzon dhe ndryshon grupet, por janë grupet (për çdo rast njëri prej tyre) që kushtëzojnë dhe ndryshojnë shoqërinë. Që do të thotë se Shoqëria, si njëri prej tri rendeve të përkatësisë së individëve (dy të tjerët janë Grupi dhe Njerëzimi), në origjinë është e zbrazët, një formë e domosdoshme për të mbështjellë – paketuar aq grupe sa të mundet: derisa të paketohen të gjithë grupet që përbëjnë njerëzimin, aq shoqëri do të ketë.
6. Shoqëria (ajo që në realitetin e sotëm gjeopolitik e quajnë shteti-komb) e vendos neutralitetin e zbrazëtisë së saj gjenetike, në funksion të aspiratave të grupeve (edhe si pjesë e njerëzimit) dhe vetëm në këtë mënyrë ajo vetë mbushet me përmbajtje dhe kuptim. Kjo zbrazëti është funksion i këtij ekuilibri: i zhvillimit harmonik të aspiratave të individëve njëkohësisht si pjesëtarë të grupit dhe njerëzimit. Një shtet – komb që nuk e mbërrin këtë, ka humbur të vetmen mundësi për zhvillim dhe prosperim (megjithëse edhe pse i humbet këto, sërish nuk i mbetet pak: inercia dhe mbijetesa).
7. Për çdo rast, e mbërrin apo nuk e mbërrin këtë ekuilibër, shoqëria, për nga natyra e vet, gëzon këtë neutralitet të një forme pa përmbajtje të vetën, me qëllim që të jetë hapësira e përshtatshme që nga ballafaqimi midis aspiratave të grupeve (që gjenerojnë përmbajtjet e grupeve), të bëhet e mundshme që njëri prej grupeve, ai që në një moment dominon, të induktojë aspiratat dhe kuptimet e tij tek institucionet e shoqërisë dhe t’u imponohet grupeve të tjera. Pra, për çdo rast, grupet kushtëzojnë njëri-tjetrin (si rregull, njëri të tjerët, gati si rregull, herë njëri prej tyre e herë një tjetër, por jo medoemos me radhë) dhe përmes këtij kushtëzimi mbarë shoqërinë (dhe jo shoqëria grupet, ose në rastin më të mirë: shoqëria e bën këtë vetëm duke u përdorur si gadget nga njëri prej grupeve).
8. Nga sa siç rezulton, shoqëria është ashtu si ka dashur dhe përcaktuar njëri prej grupeve që e përbëjnë atë, i cili, në një moment të favorshëm dominimi, e ka përdorur neutralitetin e formës së gatshme të shoqërisë për të implikuar dhe kushtëzuar me aspiratat dhe kuptimet e veta edhe grupet e tjera. Gjë që më së paku e revizionon atë që deri më tani grupet dinë për fatin e vet. Pra, për moszhvillimin e tyre, për dëmet e pësuar dhe aq në tepër segregimin, grupet si rregull fajësojnë shoqërinë apo ndonjë skemë konspirative, që është një procede joproduktive, përderisa na rezultoi këtu që sipas rastit, fajtor ose është vetëm një grup që e përdor folenë e zbrazur të shoqërisë për të ngrohur në të me çdo kusht vetëm vezët e veta ose është vetë grupi që nuk e ka zhvilluar të gjithë potencialin e dëshirës së vet për zhvillim dhe përmirësim. (Mundet që të mos jetë asnjë nga këto dy faje: në këtë rast, grupi që ankohet i ka mbërritur me kohë limitet e veta dhe për nga natyra e gjërave duhet të pranojë inferioritetin ndaj grupeve të tjera).
9. Por, përfundimi më i rëndësishëm (në përputhje me këtë edhe i qartë) që del nga ç’thamë, është se çdo grup është përgjegjës për gjendjen e shoqërisë. Dhe për pasojë, asnjë grup nuk ka të drejtë të ankohet për keqfunksionimet e shoqërisë; së paku nuk e ka këtë të drejtë për sa nuk ka prova se ka nxjerrë nga vetja ai vetë si grup, maksimumin. Pra, asnjë grup nuk mund ta ndryshojë dot shoqërinë, nëse më parë nuk ndryshon veten (ndryshimi i realizuar si ripërtëritje e themeleve të veta përmes ndërveprimit dhe jo si alienim).
10. Sikurse është njësoj e vërtetë edhe e anasjella: asnjë shoqëri nuk mund të ndryshojë nëse nuk nxit zhvillimin e të gjitha grupeve që e përbëjnë, me qëllim që të paktën njëri prej tyre t’ia dalë në kohë reale të ndryshojë veten dhe me këtë ndryshim të implikojë dhe grupet e tjera dhe mbarë shoqërinë. Kjo do të ishte mundësia më e mirë, por është në kufijtë e utopisë, duke qenë se shoqëria për nga natyra nuk është e prirur të kërkojë të ndryshojë. Duket, pra, se duhet të sprapsemi një rend më poshtë dhe të besojmë se barra për përmirësim i mbetet grupeve, edhe pa ndihmën e shoqërisë dhe si rregull edhe kundër tendencës së shoqërisë për mbijetesë dhe inerci.
11. Por, e vërteta është që në këtë kuptim edhe grupet nuk ndryshojnë nga shoqëria, pra, edhe grupet nuk e kanë të natyrshme dëshirën për ndryshim, duke e konfonduar mbijetesën me zhvillimin, edhe grupet janë skema të sprovuara të riciklimit të zakoneve dhe institucioneve. Dhe kështu, të detyruar të sprapsemi edhe një rend më poshtë, na mbetet vetëm individi si operator i parë që mund të nxitë ndryshimin, ndërkohë që edhe individët më së shumti mbeten robër të rutinës dhe brengës. Ama, brenga është një dhunti primordiale që e kanë individët dhe nuk e kanë grupet dhe shoqëritë, gjë që i jep një avantazh individit: ai edhe nëse nuk e përfytyron dot, e vuan mundësinë për të qenë ndryshe.
12. Nga ana tjetër, individët e kanë luksin e brengës vetëm si pjesë e grupit: për grupin, secili individ është shumë i rëndësishëm dhe grupi e ushqen çdo individ me vetëbesim, pra, me idenë e një vlere personale të pavarur nga rrethanat (kurse në të kundërt, për shoqërinë, secili individ është thjesht një burmë në mekanikën e sistemit, për çdo rast i zëvendësueshëm, madje i sakrifikueshëm).
13. Këto dy kushte paraprake, pra, ky vetëbesim i edukuar tek individi nga grupi dhe brenga e lindur tek ai si qenie njerëzore, siç janë duke qenë me origjina të ndryshme, manifestohen në nivele të ndryshme të përvojës, ndaj qëndrojnë veç e veç tek individët, pa përftuar ndonjë kombinim mes tyre. Do të duhet që këto të dyja të vendosen në kontakt mes tyre, që nga një kombinim potencial tek individi të lindë nxitja për ndryshim e zhvillim (potencialisht, sepse edhe nëse vendosen në kontakt, përpos kësaj do të duhet edhe forcë e madhe imagjinate, vullneti dhe empatie).
14. Ky kontakt i gjallë mes brengës dhe vetëvlerësimit realizohet vetëm përmes ripërtëritjes së vetëdijes si individëve se janë pjesë e njerëzimit (llojit), vetëdije e cila historikisht është mbajtur gjallë nga dy praktika universale transhenduese: Profecia dhe Filozofia (edhe veç e veç, por sidomos së bashku). Kur individi natyralisht i pajisur me brengë nga natyra njerëzore dhe me vetëbesim nga grupi bie në kontakt me profecinë dhe filozofinë, atëherë, siç thamë, nëse zotëron dhunti të jashtëzakonshme si imagjinata, empatia dhe vullneti, ja se ku sesi, më të rrallë, vegon e vetmja mundësi për ndryshim dhe zhvillim: ky individ i kthehet me këtë vegim grupit për ta ndryshuar atë me mundësinë më të madhe të mos ia dalë dhe grupi të mos ndryshojë. Por, dashuria pa kushte që ka grupi ndaj tij është në favor të individit dhe nëpërmjet saj ai mund edhe t’ia dalë që këtë vizion t’ia përbrendësojë grupit duke e ndryshuar atë.
15. Nëse kjo gjë kaq e rrallë më në fund ndodh, sërish mundësia më e madhe është për dështim: ky grup do të duhet që vizionin e vet për zhvillim t’ia paraqesë shoqërisë dhe të këmbëngulë vetiu që edhe e gjithë shoqëria vuan nga i njëjti moszhvillim dhe mund të shpëtojë po me këtë vizion. Shoqëria mund ta bëjë të vetin ose jo vizionin e ofruar nga ky grup i saj i shpërndërruar, por sido të zgjedhë, duhet të dijë se rrugë tjetër për zhvillim për shoqërinë nuk ka përveç se përmes ndryshimit të njërit prej grupeve që e përbëjnë. (Po ashtu, grupi duhet ta dijë se mundësi tjetër për zhvillim për të nuk ka, përveçse përmes vizionit dhe tensionit që i ofron njëri prej të vetëve).
16. Një teori e tillë për shoqërinë dhe grupet mundëson tejdukshmërinë e çfarë në realitetin shqiptar sot është opake dhe e turbullt. Kështu, na qartëson se nëse shoqëria shqiptare është në një moszhvillim permanent, përgjegjëse për këtë janë grupet që e përbëjnë shoqërinë, para së gjithash grupi që e dominon, por po ashtu edhe grupet e tjera. Myslimanë, ortodoksë, katolikë, profesorë, shkencëtarë, burokratë, artistë, mjekë, biznesmenë etj., janë vetëm disa prej grupeve më të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, secili prej të cilëve me shpërdorimin e mundësive të veta për zhvillim, ka bllokuar njëherazi edhe shoqërinë.
17. Sigurisht që grupi dominues i shoqërisë është fajtori kryesor për këtë stanjacion akut. E kemi fjalën për grupin e personave me reputacion simbolik, të ashtuquajturit intelektualë, kryesisht profesorë, mjekë, artistë, juristë, inxhinierë, ekonomistë, të cilët në fillim të viteve ‘90 të shekullit të shkuar, me atributet e tyre simbolike (pra, të patestueshme në një periudhë tranzicioni), shpikën legjitimimin e njëri-tjetrit përmes një ligjërimi që ata prej shkollimit vetëm sa e zotëronin sipërfaqësisht. Këtë ligjërim të intelektualëve të Perëndimit, profesorët shqiptarë e adaptuan si zanatçinjtë zanatin, vetëm nga rutina dhe shprehitë e shkollimit dhe karrierës, porse publikut shqiptar ia paraqitën si vokacion. Përmes këtij iluzioni, kanë 30 vjet që duke mbajtur pushtetin, mbajnë në stanjacion veten e tyre si grup dhe si grup dominues që ka në dispozicion kallëpin e zbrazëtisë formale të shoqërisë, ndikojnë për të mbajtur në stanjacion edhe grupet e tjera.
18. Ndikojnë, por nuk i detyrojnë: secili prej grupeve të tjera duhet ta kërkojë më parë te vetja përgjegjësinë e moszhvillimit të vet; dhe sigurisht edhe te grupi dominues përgjegjësinë e moszhvillimit të shoqërisë.
19. Më parë te vetja, sepse grupi që mori kontrollin e komunikimit simbolik, le të themi grupi i profesorëve si grupi dominues aktual i të gjithë grupeve të tjera, nuk ka zhvilluar posaçërisht asnjë strategji represive ndaj asnjërit prej grupeve të tjera që ato të mos ia dalin të ndryshojnë veten (gjithmonë sipas së vetmes skemë të mundshme ndryshimi, paraqitur këtu tanimë prej nesh: brengë dhe vetëbesim për të gjithë pjesëtarët e grupit + profeci apo filozofi për njërin apo një grusht prej tyre + vullnetimagjinatë-empati+ballafaqim i pashmangshëm me grupin). E megjithatë, nuk kemi asnjë të dhënë që në ndonjërin prej grupeve që e përbëjnë shoqërinë shqiptare është përmbushur apo po përmbushet kjo skemë.
20. As te grupi i ne myslimanëve shqiptarë, përgjegjësia e të cilëve për këtë mungesë është më e madhe se e grupeve të tjera: nga kontakti paraprak dhe permanent me Profecinë, myslimanët shqiptarë kanë përparësinë e zotërimit të kësaj, së vetmes skemë zhvillimi para këtyre grupeve, për pasojë zbatimin e saj, po ashtu para grupeve të tjera, por sigurisht një “para” konvencionale, pasi në të vërtetë “edhe” për grupet e tjera, për pasojë shpalljen e vërtetësisë së kësaj skeme për të gjithë grupet e tjera (në një perspektivë ekumenike, ku zhvillimi i njërit është zhvillim për të gjithë).
21. Zgjedhjet e fundit për kryetarin e grupit të myslimanëve shqiptarë janë shenjë e sigurt e kësaj pamjaftueshmërie të fajshme të mbarë grupit: duke pasur një marrëdhënie sipërfaqësore me profecinë, thjesht e qarkullojnë si klishe imperativin që e dinë vetëm ata, që çdo popull (dhe për pasojë çdo grup) duhet ta ndryshojë vetë veten dhe i janë dorëzuar ose përtacisë për të tejkaluar atë që është sipërfaqësore, ose frikës nga ajo që nuk është sipërfaqësore. Dhe të pavetëdijshëm për këtë përtaci apo më keq për këtë frikë, ankohen duke ia hedhur fajin shoqërisë, ndërkohë që ato e dinë më mirë se cilido tjetër, se është grupi (në këtë rast ata vetë) fajtor për moszhvillimin e shoqërisë, dhe jo e anasjella.
22. Grupi, në këtë moment udhëheqës i shoqërisë shqiptare, pra, grupi i personave me kapacitete simbolike (intelektualët apo profesorët), kanë dhe ata të njëjtin faj sikurse myslimanët: nuk kanë arritur në sipërfaqësinë e kontaktit të tyre me filozofinë, të zbulojnë dhe zbatojnë të vetmen skemë zhvillimi, të cilën më në fund ne e paraqitëm këtu.
23. Dhe duke mos e kuptuar që shëndeti i shoqërisë dhe shëndeti i secilit prej grupeve janë dhe shëndeti i tjetrit, pashmangshmërisht kanë ndërtuar një marrëdhënie të kotë me grupet e transhendimit profetik brenda shoqërisë shqiptare (myslimanë, ortodoksë, katolikë): u kërkojnë atyre të zhvillohen vetëm si pjesë e së tërës shqiptare pa implikimet e profecisë, që është pikërisht ajo që i bën ata grup. Kjo kotësi, nëse çohet deri në fund, sigurisht i bën të pamundshme kontributet e grupeve të profecisë së kësaj shoqërie. Prandaj, sido që të rezultojë se e bën grupi dominues këtë, me dashje apo pa dashje, grupet e profecisë e kanë detyrim të kërkojnë ta ndryshojnë këtë marrëdhënie dhe ta ndërpresin këtë kotësi të paraprogramuar.
24. Duke organizuar këtë gabim, grupi momentalisht udhëheqës i shoqërisë shqiptare, jo për faj të vet në këtë rast, lejon ndërkohë të ndodhë një gabim tjetër, i të njëjtit rend (gabim pa dëshirë që historikisht e kanë bërë dhe e bëjnë edhe grupet e tjera udhëheqëse të shoqërive të tjera): tolerimin e organizatave supranacionale apo ekstraterritoriale (si Vatikani apo Patriarkana, apo së fundmi Lëvizja Hizmet) që të kontrollojnë grupet e profecisë brenda shoqërisë shqiptare. Të cilat organizata u kërkojnë grupeve të profecisë një anomali tjetër: të zhvillohen vetëm në kontakt me profecinë, pa qenë të detyruar për sinqeritet dhe vërtetësi ndaj shoqërisë ku bëjnë pjesë (ekstraterritorialiteti i këtyre organizatave përçohet te pjesëtarët e grupeve të profecisë që këto organizata mbajnë në tutelë, si deterritorializim).
25. I implikuar prej këtij deterritorializimi, kryetari i ri i myslimanëve shqiptarë shpalli se do të angazhohej për paqe dhe shpresë, duke e projektuar gabimisht këtë implikim të tijin si çështje të të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë. Kjo deklaratë, por edhe gjithë sa thamë këtu, e bëjnë pezmatuese mënyrën sesi u zgjodh dhe pikëlluese ligjëratën e tij promovuese: është e qartë, pra, se duhet të bëjë tjetër gjë, të angazhohet për ndryshim dhe zhvillim brenda grupit si e vetmja mundësi për vërtetësi ndaj shoqërisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al