Hamza Hyka, një jetë dedikuar bujqësisë

Jul 19, 2024 | 7:15
SHPËRNDAJE

0c6925ca-871a-4816-b117-d2d9f3ba160bISMET BOKA
BAKI DERVISH

Para pak kohësh u nda nga jeta shoku ynë i shtrenjtë, Hamza Hyka, duke lënë në pikëllim të thellë familjen, miqtë dhe shokët, që aq shumë i deshi dhe u përkushtua ndaj tyre. Jeta e Hamzait ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm, plot përkushtim, ekselencë dhe një angazhim i palëkundur ndaj shokëve, miqve, komunitetit dhe profesionit të tij. Që nga ditët e tij të hershme si një student i dalluar në shkollën bujqësore, deri te karriera e tij e nderuar në agronomi, trashëgimia e Hamzait është një nga arritjet e shkëlqyera. Jeta e Hamzait është një libër i mbushur me një aktivitet të gjerë si në fushën profesionale, ashtu edhe në atë shoqërore. Djaloshi nga Kashari i Tiranës do të merrte rrugën plot ëndrra drejt shkollës së mesme bujqësore, Peshkopi.

Hamza Hyka që në fillim u dallua për rezultate të larta dhe nuk njihte notë tjetër përveç notës maksimale. Stafi pedagogjik shpeshherë e merrte si shembull për gjithë të tjerët. “I ngarkuar” me këto veti e virtyte të larta gjatë periudhës 1970- 1974, mbaroi Fakultetin e Agronomisë me rezultate të larta. Ai u plotësua më tej me dije shkencore për t’i vënë në shërbim të prodhimit bujqësor, kryesisht në frutikulturë dhe vreshtari. Para 50 viteve, më 16 gusht 1974 u emërua në rrethin e Mirditës. Koha me gjuhën e fakteve tregoi se ai shumë shpejt, aftësitë e tij teorike i vuri në zbatim në kushtet e prodhimit. Nga viti në vit respekti dhe besimi për figurën e Hamzait si njeri dhe profesionist erdhi duke u rritur. Falë përkushtimit dhe rezultateve në punë, ai vlerësohej si një nga specialistët më të aftë në rrethin e Mirditës. Këtë opinion e përcolli më së miri ish-kryeagronomi i rrethit z. Nok Noka (në ceremoninë e varrimit).

Në një intervistë televizive, ish-shefi i bujqësisë të rrethit, Ndue Dod Biba, tha: “Për sa i përket vershtarisë dhe frutikulturës sukseset janë të dukshme, atje kemi dislokuar Hamzain”. Me këtë gjuhë flisnin dhe flasin të gjithë ata që kanë punuar me Hamzain. Arritjet e intelektualit të shquar ranë në sytë e Ministrisë së Bujqësisë. Pas 10 vjetësh (1986), Hamzain e morën në këtë dikaster. Përvoja e tij tashmë do të rrezatonte në një fokus shumë të gjerë, në të gjithë vendin.

Kontributi i tij ishte i veçantë në drejtim të studimeve dhe projekteve zhvillimore, në ndihmë të fermerëve të frutikulturës dhe vreshtarisë. Legjislacioni dhe rregulloret e ndryshme në fushën e projekteve kishin dorën dhe mendjen e Hamzait. Këtu punoi deri sa doli në pension (2018). Kudo ku shkonte me shërbim, ai linte gjurmë në zbatimin e të rejave shkencore dhe të teknologjive të përparuara. Kështu, ai u bë një nga specialistët më të dëgjuar e kërkuar në të gjithë vendin.

Edhe në aspektin shoqëror, ai ishte shembull për të gjithë. Kujtojmë me mall të veçantë telefonatat e tij për ngjarjet e ndryshme të shokëve të gëzueshme apo të hidhërueshme. Rruga “Don Bosko” ku banonte Hamzai ishte kthyer në pikë takimi me shokët dhe miqtë në rrethe të ndryshme të vendit. Është meritë e Hamzait që “Matura 1970” vazhdon traditën e takimeve të përvitshme, edhe pse kanë kaluar 54 vjet nga mbarimi i shkollës së mesme. Hamza Hyka gëzonte autoritet dhe respekt të veçantë te të gjithë shokët që kishin studiuar dhe punuar me të.

Ai la gjurmë të thellë në mendjet dhe zemrat e tyre. Teksa reflektojmë mbi jetën e Hamza Hykës, kujtojmë ndikimin e thellë që ai pati mbi të gjithë ata që e njohën. Kontributet e tij në shkencën bujqësore dhe karakteri i tij shembullor kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme. Megjithëse ai nuk është më mes nesh, shpirti dhe mësimet që na la do të vazhdojnë të na frymëzojnë dhe udhëheqin. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij dhe le të përpiqemi të nderojmë trashëgiminë e tij në jetët tona!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura