DR. ALBERT HITOALIAJ
“Enciklopedia ushtarake” (Vojenija enciklopedija) e Rusisë u botua nga ortakëria e botimit të librave të I. D. Sëjtin, nga viti 1911 deri më 1915, në Shën Petersburg. Për shkak të Luftës së Parë Botërore dhe të Revolucionit të Tetorit që e pasoi, botimi mbeti i papërfunduar. U botuan gjithsej 18 vëllime, ku zëri i fundit i vëllimit të 18-të ishte “Port Arthur”.
Çdo vëllim shoqërohej nga një numër i madh diagramesh, hartash, planesh, portretesh dhe vizatimesh të përfshira si në tekstin kryesor ashtu edhe në pjesëza. “Enciklopedia ushtarake” synonte të bashkonte dhe të lidhte organikisht të gjitha informacionet më të rëndësishme për degë të ndryshme të çështjeve ushtarake e detare, të cilat, mes lidhjes në zinxhir të së tashmes me të kaluarën, do të hidhnin dritë mbi të gjitha çështjet që lidhen me jetën e forcave të armatosura dhe do të popullarizonin njohuritë e nevojshme, si për një ushtarak ashtu edhe për një qytetar. Kështu, enciklopedia e Sëjtinit ishte ideuar jo vetëm për ushtrinë, por edhe për të gjithë të interesuarit mbi çështjet ushtarake. Gama e çështjeve ushtarake u zgjerua dukshëm në të. Një rëndësi e veçantë iu kushtua përfshirjes së informacionit që nxiste dashurinë për çështjet ushtarake, ushtrinë dhe marinën. Falë botuesit, Ivan Dmitrieviç Sëjtin (1851- 1934), enciklopedia ishte në të njëjtën lartësi e ndoshta edhe tejkaloi botime të ngjashme evropiane të asaj kohe, për sa i përket elegancës së botimit. Shumë specialistë kryesorë ushtarakë të Rusisë morën pjesë në punën për hartimin e enciklopedinë, ku midis tyre mund të përmenden: gjeneralmajor A. N. Apuhtin, gjenerallejtënant M. M. Borodkin, gjeneralmajor I. I. Zashçuk, kapiten i rangut të dytë P. I. I. Belavenec, kolonel N. M. Zatvornickij, gjeneralkolonel N. A. P. Mikhneviç, kolonel A. E. Snesarev, kapiten V. K. Sudravski dhe shumë të tjerë.
ZËRI “SHQIPËRIA”, NË “ENCIKLOPEDINË USHTARAKE” RUSE, V. I, A DHE HARTA E SHQIPËRISË
Vlen të theksohet se informacioni në këtë enciklopedi është i mbështetur në shumë burime informacioni. Duke qenë se ajo ka në themel njohuri të shumta që mund të përdoren nga ushtria, atëherë topografia dhe hartat zënë një vend shumë të rëndësishëm në të. Botimi enciklopedik rus të cilit i referohemi në këtë shkrim, është Enciklopedia ushtarake, vëllimi I. A – Algjeria (Shën Petersburg: I. D. Sëjtin, 1911), (Vojenija enciklopedija. Tom I. A – Alzhirija, Tip. I. D. Sëjtina). Ky vëllim i kësaj enciklopedie prej 394 faqesh, përmban zërin “Shqipëria” (f. 236-241). Faqen 236 e shoqëron një faqe e plotë e cila shfaq një hartë të Shqipërisë.
Përmasat e kufijve të Shqipërisë shkojnë nga Bosnja, në veri, deri në Gjirin e Artës, në jug; gjerësia maksimale shkon nga deti Adriatik, deri në Selanik. Në brendësi të hartës së trojeve shqiptare, enciklopedia fut si pjesë të hapësirës edhe Malin e Zi, edhe pse ndarja e vijës së ndërprerë kufitare e tregon si njësi më vete, të shkëputur nga viset tona. Ndërsa hapësira e Kosovës, në këtë hartë, nuk përfundon në Mitrovicë, por ngjitet edhe më lartë, duke përfshirë Pazarin e Ri (Novi Pazar), Sanxhakun; në jug Çamëria dhe viset shqiptare epirote përfshihen të tëra pa përjashtim, deri në Gjirin e Artës, kufiri i poshtëm me Mbretërinë e Greqisë, ndërsa pjesa lindore e viseve shqiptare në hartë, ka në brendësi të gjithë Maqedoninë dhe përfundon në Selanik.
Natyrisht që nuk kemi të bëjmë aspak me një pasaktësi të theksuar hartografike nga ana e ushtarakëve rusë që janë marrë me këtë hartë. Për hir të së vërtetës dhe të besnikërisë ndaj informacioneve hartografike, etnografike, linguistike, topografike e politike, ata kanë hedhur në hartë ato kufij të shqiptarëve, që do t’u shërbenin për t’i ditur me saktësi. Nuk do kishte kuptim që specialistët rusë të gënjenin vetveten pasi enciklopedia ishte në funksion të ushtrisë e kësisoj nuk mund të anashkalohej informacioni i saktë. Shpjegimi që bëhet për Shqipërinë dhe shqiptarët është i larmishëm, dhe duke pasur parasysh qëndrimet e tyre pansllaviste, mund të thuhet që u janë përmbajtur vetëm disa kritereve të së vërtetës. Në vijim do të perifrazoj shkurt disa informacione të kësaj pjese të enciklopedisë.
Sipas Enciklopedisë, vilajeti i Sanxhakut dhe i Shkodrës banoheshin plotësisht nga shqiptarë, ndërsa të tjerët kishin popullsi të përzier; kjo popullsi shqiptare shtrihej edhe në gjysmën e vilajetit të Selanikut. Hapësira bregdetare është ajo adriatiko-joniane, ku në jug kufizohet me grekët në Jon dhe në veri shkon deri në Malin e Zi. Megjithatë, enciklopedia nuk harron të përmendë shpërndarjen e shqiptarëve, zgjerimin e tyre dhe banimin në zonat ku dikur ka ekzistuar Serbia e Vjetër, të cilat tashmë banohen prej shqiptarëve në më shumë së dy të tretat. Këtë shpërthim dyshekullor të popullsisë shqiptare në Serbi e Maqedoni kjo enciklopedi e konsideron si një krijim të një Shqipërie të re. Enciklopedia përshkruan terrenin, malet, lumenjtë, liqenet, detet, ultësirat, fushat etj., të cilat formojnë tiparet gjeografike të Shqipërisë në tërësi, e cila ndahet në fise të ndryshme, por që ndarje të mëdha gjithëpërmbledhëse ka dy: gegët dhe toskët. Pavarësisht se përmend Betejën e Fushë-Kosovës së 1389-s, si betejë serbe [edhe pse nuk është aspak vetëm serbe], enciklopedia nuk lë pa përmendur se shqiptarët njihen si popull shumë luftarak, dhe nën drejtimin e udhëheqësit të tyre, Gjergj Kastrioti, ata luftuan për 24 vjet kundër osmanëve. Enciklopedia përshkruan ndikimin dhe interesat austriake e italiane ndaj shqiptarëve, si politike edhe fetare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, zë një vend tjetër në këto përshkrime të cilat tregojnë për luftën e shqiptarëve për ruajtjen e trojeve të tyre nga vendimet e Kongresit të Berlinit.
Në këtë zë, jepet edhe një panoramë e pasurive të ndryshme që ka Shqipëria si vend. Aty bëhet një analizë e përmbledhur e gjeografisë dhe prodhimtarisë së territorit, duke e konsideruar një vend të frytshëm e të begatë në prodhime, që nga Kosova e deri në Gjirin e Artës. Vlerësimet bëhen sa në aspektin bujqësor, blegtoral e minerar, aq edhe në atë gjeostrategjik ku vlerësohen portet, qytetet, luginat e lumenjve etj. Enciklopedia përmend edhe luftërat antiosmane të Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare për liri.
SHQIPTARET QË SHËRBYEN PËR CARESHËN KATERINË
Në një ndarje të veçantë, brenda zërit të Shqipërisë, enciklopedia flet për pjesëmarrjen e trupave greke dhe shqiptare, si formacione ushtarake, në krah të Rusisë. Nga viti 1770 e tutje deri nga 1800, rreth shtatë a tetë mijë trupa ushtarake shqiptarësh e grekësh u vunë në shërbim të ushtrisë ruse dhe u zhvendosën në Krime. Enciklopedia jep të dhëna për këta shqiptarë që shërbyen për careshën Katerinë. Një pjesë e këtyre shqiptarëve u vendosën dhe jetuan në Odesa. Ky informacion mund të ngjallë interes për ata studiues që merren me studime për shqiptarët e Ukrainës.
Në mbyllje të kësaj përmbledhjeje të shkurtër, lidhur me zërin “Shqipëria”, në Enciklopedinë ushtarake ruse (1911), mund të thuhet se harta e Shqipërisë është një skicë e cila flet qartë për të drejtën që kanë shqiptarët edhe sot, kur diskutohet për Kosovën e për viset e tjera shqiptare në rajon. Enciklopedia përpiqet të justifikojë zotërimin e viseve tona me një “shpërthim” shqiptarësh që dominuan territoret e “Serbisë së vjetër”, por nëse do të flitej për migrime, zënie territoresh, ose “shpërthime” popujsh, nuk duhet harruar se popullsitë sllave ishin popullsi që shndërruan një herë e mirë gjithë strukturën e Gadishullit Ilirik. Nëse i referohemi në mënyrë të paanshme historisë, me synimin për të pasur një zhvillim paqësor mes kombeve ballkanike, mund të shohim se ky territor kaq i begatë e i rëndësishëm sa është Gadishulli i Ballkanit, do të siguronte një terren shumë të qëndrueshëm. Nuk mbetet që serbëve, si zgjatim i interesave pansllave, në kërkesat e tyre të pafundme paradoksale, t’u thuhet ajo shprehje që thoshin latinët e dikurshëm: “Suum cuique tribuere”… Secilit, hakën që i takon!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al