ETLEVA DELIA/ Arben Bilali është djali i tretë i familjes, që sipas Policisë dyshohet se është vrarë për shkak të një përplasjeje me një grup të njohur në Tiranë, gjatë viteve ’97-’98.
Ish-policit i kanë vrarë dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Bujar Bilali mbeti i vrarë, dyshohet gabimisht, në vitin 1998, ndërsa Leonardi, vëllai i vogël i tij, ish-mundës i Dinamos, u ekzekutua më 10 gusht të vitit 2010 në të njëjtin vend ku u vra dje 50-vjeçari. Policia po heton në disa pista për vrasjen, por duket se kryesorja është ajo e hakmarrjes.
Edhe vetë Arben Bilali i pati shpëtuar një atentati dy muaj para se të vritej vëllai i tij, Leonardi. Në atë kohë, ai ishte bodigard në një biznes privat, pasi kishte hequr dorë nga Forcat Speciale, duke u larguar nga Policia. Ai ishte përfolur për një vrasje të ndodhur vite më parë, edhe pse zyrtarisht nuk ishte përmendur asnjëherë për këtë krim. Policia pati dyshime se pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai i tij, dy muaj më vonë.
VRASJET
Leonard Bilali u vra më 10 gusht të vitit 2010, kur ishte 27 vjeç. Ai kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Italia, ku kishte qëndruar si emigrant. Gjatë kësaj kohe, afërsisht një muaj, ai ka qëndruar në vilën e familjes së tij në zonën e Selitës, ndërkohë që sipas fqinjëve shihej darkave nëpër lokalet që ndodhen në zonën e quajtur ish-stacioni i fundit i “Tiranës së Re”.
Edhe mbrëmjen e datës 10 gusht 2010, ai ndodhej thuajse në të njëjtin vend ku kalonte shpeshherë. Sapo është gjendur në trotuarin para një marketi, për të dalë në shesh, ai është përballur me ekzekutorin, i cili e ka qëlluar fillimisht në bark dhe më pas në trup e kokë, me katër plumba pistolete “Makarov”.
Brenda pak çastesh, autori është zhdukur, ndërsa shokët e Bilalit e kanë futur viktimën në makinë dhe e kanë nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, me qëllimin për t’i shpëtuar jetën, megjithatë ai nuk ka mundur të mbijetojë. Disa ditë pas ngjarjes, Policia e Tiranës tha se e kishte identifikuar autorin, megjithatë ai nuk u arrestua asnjëherë. Më herët, në vitin 1998, ishpolicit që u ekzekutua dje, i vranë vëllain e madh, Bujarin.
Edhe ai u qëllua për vdekje në të njëjtën zonë. Por sipas Policisë, në atë kohë, u dyshua se Bujar Bilali ishte qëlluar gabimisht, pasi shënjestër ishte një tjetër person, pjesë e grupit të Selitës.
SHTËPIA E RRETHUAR ME KAMERA, BILALI THUAJSE I NGUJUAR PAS ATENTATIT NË 2010
Shtëpia e Arben Bilalit, pranë së cilës ai u ekzekutua dje, është një ndërtesë trekatëshe e pozicionuar pranë rrugës, me kamera sigurie në katin e parë të saj. Kjo konfirmon edhe faktin se Arben Bilali ruhej nga një atentat i dytë, duke u fshehur në banesën e tij e duke survejuar çdo lëvizje pranë saj.
Më 2 maj të vitit 2010, kur ishte 42 vjeç, ai i shpëtoi mrekullisht një atentati pranë stadiumit “Selman Stermasi”. Në atë kohë, ai punonte si bodigard në një subjekt privat, ndërsa e shoqja ishte punonjëse Policie në Komisariatin nr.2. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, në një lokal pranë stadiumit, ku Arben Bilali ishte duke pirë kafe bashkë me një mikun e tij.
Autori është futur në lokal dhe është drejtuar menjëherë te tavolina ku ndodhej i ulur 42- vjeçari, duke e qëlluar 2 herë në kraharor, me qëllim vrasjen e tij. Ai mbeti i plagosur rëndë dhe qëndroi disa ditë në koma. Policia e klasifikoi ngjarjen si vrasje të mbetur në tentativë, por askush nuk u arrestua.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al