Hektor

Jul 29, 2024 | 7:48
SHPËRNDAJE

Edison Ypi1EDISON YPI

Edhe larg, edhe xhep, Skrapari është më larg se larg. Shtoi largësisë së Skraparit edhe xhepat e vetë Skraparit, merre me mend sa larg janë fshatrat e Skraparit. Në Skraparin e largët, fshati më i largët dhe xhepi më i thellë është Backa.

Hektor Bregasi u urdhërua të shkonte mësues në shkollën e Backës fill sapo mbaroi shkollën e mesme në Korçë.

Do ishte e natyrshme që shkollat e Skraparit të kishin mësues skraparllinj. Por skraparllinjtë thirreshin në Tiranë për t’u bërë oficera, drejtora, kuadro. Që vëllai ta vriste vëllanë pa iu dridhur dora, dhe lufta kriminale e klasave të zbatohej me egërsi sa më shtazarake, duhej kryer rokada qytet-fshat: Skraparlliu anonim duhej të vinte nga Skrapari në Tiranë. Fisniku Hektor duhej të shkonte nga Korça në Skrapar. Diktatura ishte plot me llaftarira të tilla.

Kur e hodhën në Backë, Hektori ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, por Hektori nuk vinte nga inteligjencia kooperativiste, as nga superstruktura proletare. Hektori s’kishte lidhje me këto tmerre. Hektori vinte nga realitete më të thjeshta, më bazike. Nga edukata familjare, nga fisnikëria, tradita, vetëdija kombëtare, patriotike, historike. Hektori vinte nga Korça. Në Korçë këndoheshin serenata. Qyteti ishte plot me historira rozë rrënqethëse, gossips mahnitës më të shijshme dhe më të ndërlikuara se të sotmet. Dandy gjithandej. Korça kishte Don Juanat, Gigolot, Romeot, Xhulietat, Anna Kareninat, Madam Bovaritë, Cleopatrat e veta. Në kinema mund të shiheshin filma italianë apo francezë. Ndiqej moda. Ca libra të mirë, edhe të ndaluar, qarkullonin dorë më dorë. Si njeri me prejardhje të lartë dhe kulturë solide, thuaj shyqyr që Hektorin e degdisën në Backë ku gjithsesi kishte skraparllinj të urtë që e pritën relativisht mirë dhe nuk e shpunë të thante ndonjë kënetë, ku do kalbej për pak muaj, apo në botën tjetër për sabotim të shiut që nuk ra, apo erës që nuk fryu në kohën e duhur.

Qarkullon një foto e Hektorit të atyre viteve. Nga pozicioni i kokës, krehja, shprehja, vështrimi, rrezatimi, perspektiva, Hektor Bregasi nuk i lë asgjë mangët divave të neorealizmit kinematografik, class-it të Vittoria de Sica, sharmit të Raf Vallones, elegancës së Amedeo Nazzarit, garbo-s së Renato Salvatorit.

Me të marrë urdhrin për të vajtur në Backë, Hektori mund të hidhte ickla. Ta ngrinte botën më këmbë me letra nëpër zyra. T’i ankohej shefit të arsimit. T’i niste letër 40 faqe komitetit. T’i gjente ca miq drejtorit të kryetarit, kryetarit të sekretarit, sekretarit të sekretarit etj., etj. Por Hektori nuk e bëri. Ju nënshtrua Destinit të vet. Hektori vajti në Backë ku punoi, kuptoi, u vrenjt, pa u ankuar aspak. Që të mos flinte mbi dafina, as të mbyllej në guaskën e fildishtë, e lëvizën nëpër disa vende: Nga Backa në Gjerbës, Çorovodë, Vëndreshë, Vërzhezhë. Lufta e Klasave zbatohej me rreptësi staliniste edhe atje ku kishte më tepër guva se gërxhe, ose anasjelltas.

Një herë Hektorin e transferuan, ku thua ti ? Rrëzë Çukës së Frëngut si rrëzë Himalajave, një majë e dytë e Ostrovicës, pikë dominante që duket prej larg. Diku ku sot nuk mund të shkosh as në një ditë behari kur nuk bie shi as nuk fryn erë, në fshatin Faqekuq. I thanë Hektorit: Ti Hektor nuk je si ai turbekolari i Pukës. Ti je Migjen i shëndetshëm. Vazhdo na mëso pa u lodhur vocërrakët e Faqekuqit. Dhe Hektori vajti ku e thirri atdheu i lavdishëm, domethënë burokratët shpirtkazëm.

Ama degdisja e Hektorit kaq larg, ka një shije divine. Të kujton ndjekjen e Shenjtorit. Këmbakëmbës. Deri në skutën më të largët. Deri në pusin më të thellë. Deri në shpellën më të errët.

Deri në zgavrën më të ngushtë brenda shpellës. Deri në fundin e të gjitha fundeve. Aq larg, sa “më larg” s’ka.

Kaluan ca vite. Hektori, pa u qurravitur aspak, bëri atë që bënin zakonisht viktimat e Diktaturës. Priti një rast të përshtatshëm. Pas ca vitesh rasti erdhi. Hektori u largua nga Skrapari. Konkurroi dhe fitoi për Dramë, për Aktrim. Por për arsye të biografisë që vigjëlohej nga qënëria, e bllokuan, ja pamundësuan të bëhej regjisor, aktor. I deklasuari nuk mund të dilte në skenë.

Pa-ç’pa, Hektori u regjistrua për Gjuhë-Letërsi.

Aty njohu një si veten, një Bejlereshë të deklasuar, kushërirën time, princeshën Rezana Ypi, me të cilën u martua e u trashëgua. Pas mbarimit të shkollës së lartë e degdisën edhe një herë. Si gjithmonë. Ku gjermani nuk shkeli kurrë, por ranë dëshmorë kallpë dhe u ngritën lapidarë të rrejshëm. Partizanët u ndeshën dhëmbë për dhëmbë me armikun, por asnjë luftë nuk u bë. Populli vuante, por buzëqeshte. Pati suksese në ekonomi, por shqiptarët mbetën barkthatë. Këtë herë jo në Backë, as në Faqekuq. Pak më tëhu. Në Dushk të Lushnjës.

Hektori është shembulli që na kujton ç’tmerre bënë halabakët dhe sa burrërisht qëndruan fisnikët. Njeriu i vërtetë dhe aristokrati ekselent, që e fitoi luftën. Por kalvarin e plotë të Hektorit, nuk e rrëfej dot. Jo se më mungon dëshira, koha apo fuqia. Por sepse mbytem në lot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura