LUAN RAMA
Edhe një ngjarje tjetër e rëndë u është shtuar kronikave të shumta me vrasje dhe plagosje që s’reshtin së qeni të pranishme në përditshmërinë tonë.
Një vrasës që duhej të ishte në burg, ka vrarë sërish.
Krimineli mori jetën e grave të pafajshme, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse ka në krye një grua, pasi mbajti një minutë heshtje, vazhdoi me avazin e vet, a thua se nuk ka ndodhur asgjë!
Edhe pse seanca me Kryeministrin ishte e planifikuar më parë, ngjarja makabër që ndodhi dje në rrethinat e Tiranës, mund dhe duhej t’i kishte imponuar Kuvendit një temë tjetër debati.
Sot seanca duhej ta linte mënjanë çështjen “Çështja McGonigal” e në djall shkoftë ai dhe interpelanca me Kryeministrin për të, përballë nevojës urgjente për një analizë dhe reagim të menjëhershëm shtetëror pas tragjedisë që ndodhi dhe që në fakt na shpërfaqi edhe një herë problemin më të madh të shoqërisë shqiptare, DHUNËN!
Kryeministri, ministrat dhe gjithë deputetët sot duhej të kyçeshin në ngjarjen kriminale e të mos dilnin nga Kuvendi pa zbardhur të gjitha përgjegjësitë se përse vrasësi nuk ishte në burg për krimet që kishte kryer më parë?!
Përse elementë të tillë nuk janë nën mbikëqyrjen e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe ia dalin ta sfidojnë shtetin teksa kapardisen të armatosur rrugëve të qytetit e mund të vrasin kë të duan?!
Çfarë nuk funksionon në tërësinë e mekanizmave shtetërorë që kanë për detyrë parandalimin e krimit?!
Mirëpo, për Kuvendin u quajt e mjaftë mbajtja e një minutë heshtje për tre gratë e vrara. Ndërsa për opozitën që e ka kërkuar seancën e interpelancës me Kryeministrin, është më e rëndësishme politika me çështjen “Çështja McGonigal” se sa jeta e grave të vrara, si dëshmi e një realiteti të trishtë që zymton çdo ditë e më shumë jetën tonë.
Afërmendsh, Kryeministrit sot i interesonte “Çështja McGonigal” sepse ajo jo vetëm e transferon problemin gjetiu, përtej Atlantikut, por edhe sepse ai e dinte që do ta dominonte debatin përballë retorikës së lodhur të kundërshtarëve të tij. Një mundësi e mirë për t’i bishtnuar një problemi që do ta nxirrte zbuluar në Kuvend dhe përballë qytetarëve.
Ndërkaq, është e pakuptimtë ngurtësia e opozitës, e cila sot duhej të dëshmonte se halli i madh i saj është jeta e qytetarëve shqiptarë dhe krimi që po e dominon atë tragjikisht. Dhe mu për këtë arsye të kërkonte shtyrjen e debatit me Kryeministrin për McGonigal-in dhe në qendër të punimeve të Kuvendit të vendosej ngjarja e rëndë kriminale dhe e gjithë kjo dukuri kaq e pranishme ndër ne.
Gratë fatkeqe ikën nga kjo jetë prej një vrasësi të cilin shteti e kishte për detyrë ta mbante në burg.
Nuk janë të parat që e pësojnë këtë fat prej mosveprimit të shtetit. Por, me gjasë nuk do të jenë as të fundit, sepse McGonigal është më i rëndësishëm për Kuvendin, hipokrizia e heshtjes së të cilit i vrau sërish sot gratë e mjera, një ditë pasi i vrau krimineli të cilin shteti e kishte për detyrë ta mbante në burg.
Dhe për ironi, kuvendarët deputetë, edhe gratë deputete të Kuvendit të Shqipërisë gjithashtu, vazhdojnë e flasim për McGonigal-in dhe dashnoren e zemëruar të tij.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al