Klubi lushnjar mbush sot 88 vjeç. Selia e verdhejeshilëve është nga më të vjetrat e futbollit shqiptar, ndërsa Lushnja një nga skuadrat e traditës së futbollit tonë. Historia e instalimit dhe zhvillimit të futbollit lushnjar e ka zanafillën në festimet e 5-vjetorit të Kongresit Kombëtar të Lushnjës në periudhën 21-31 janar 1925.
Viti 1925 dhe festimet në 5-vjetorin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës, që hodhi themelet e shtetit demokratik shqiptar, u bë një faktor i fuqishëm për jetën kulturore dhe sportive. Viti 1925 kristalizoi skuadrën e futbollit të Lushnjës. Në maj të këtij viti u zhvillua dhe miqësorja e parë me skuadrën e Beratit. Kjo ndeshje miqësore u prit me shumë entuziazëm. Skuadra duhet të kishte një emër dhe u mirëprit propozimi i Ferit Vokopolës që të quhet “Kongresi i Lushnjës”. Me këtë emër u luajt miqësorja e parë me Beratin në maj të vitit 1925.
Dy vjet më vonë, futbolli lushnjar mori një zhvillim të rëndësishëm. Kthimi nga Austria i Ali Fugës, vendosja e tij në krye të skuadrës lushnjare si trajner do të përbënte një ngjarje të shënuar sportive. Pas kësaj nisi zhvillimi i seancave të rregullta stërvitore dhe zhvillimi i ndeshjeve brenda prefekturës. Ndeshjen e parë Lushnja e ka luajtur me Apoloninë. Lushnja ka qenë një pjesëmarrëse e rregullt e kampionateve të Kategorisë së Dytë.
Në vitin 1947, skuadra lushnjare e futbollit emërtohet “Traktori”, duke marrë shkas nga ardhja e traktorëve të parë në Myzeqe. Në vitin 1950 skuadra e futbollit merr emrin e qytetit. Një vit më vonë quhet “Puna” e Lushnjës. Por, në vitin 1958 i rikthehet emri “Traktori”.
Me këtë emër skuadra lushnjare arin të kalojë në kategorinë elitare te futbollit në vitin 1961, pas fitores historike 3-2 në Fier me Apoloninë, falë golave të Qemal Turkut. Skuadra lushnjare la mbresa për shumë vite nën drejtimin e ish-trajnerit historik Zihni Gjinali. Klubi lushnjar nuk ka asnjë trofe. Aktualisht, Lushnja është një skuadër që administrohet nga bashkia e qytetit dhe më së shumti, sidomos në dekadën e fundit ka luajtur në Kategorinë e Parë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al