Ministër i Jashtëm, Ministër i Kulturës, Ministër i Tokave të Lirueme, ambasador i Shqipërisë në Londër dhe në Athinë, sekretar i Përgjithshëm i Prind Wied-it, Eqrem bej Vlora ishte jo vetëm shtetar, por edhe një mendimtar, studiues, poliglot. Por ato që mori nga jeta ishin vuajtje nga më të mëdhatë. Nga 1944-ta, deri në 1964-tën kur vdiq, nuk e pa familjen. Gruan dhe dy vajzat ia persekutuan. Gjithë historia e familjes së tij, ekzili i hidhur, persekutimi dhe deri te vdekja e vajzës së dytë, Ajnisha që ndërroi jetë më 24 mars, duke u bërë e fundit e familjes që pa me sytë e saj të gjithë kalvarin e këtyre vuajtjeve.
Nga Roland Qafoku
Mes të qenit shtetar dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i këtij shteti, në armik të popullit shqiptar. Nga një erudit dhe poliglot, në një vuajtës të madh. Nga një hero i patriotizmit dhe i bashkimit kombëtar, në tradhtar. Eqrem bej Vlora është simbolika sesa lehtë shteti shqiptar i ka poshtëruar shtetarët e vet. Drejtuesit e regjimit komunist e quanin kriminel të luftës duke e vënë në listën e gjatë të atyre që “i kishin larë duart me gjak”. Por çfarë krimi bëri Eqrem bej Vlora, që u quajt i tillë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dha më mirë se askush tjetër studiuesi Artan Shkreli, kur tha se “nuk mund të quhet Eqrem bej Vlora kolaboracionist, sepse as nuk vrau e as nuk përndoqi kënd. Ai ishte ministër i qeverisë shqiptare. Po edhe unë po të jetoja në atë kohë do bëhesha ministër”. Por etiketimi ishte pak për Eqrem bej Vlorën. Jeta e tij për 20 vjet në ekzil e vuajtja dhe persekutimi i familjes që la në Shqipëri është dhimbja e madhe e asaj drame të madhe që ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit komunist. E bija e tij, Ajnisha Vlora, që ndërroi jetë më 24 mars të këtij viti ishte e fundit nga ajo që la pas Eqrem beu, i cili pa me sytë të gjitha vuajtjet dhe për të, vuajtja më e madhe ishte se pas 11 muajsh që erdhi në jetë, nuk e pa kurrë babanë e vet.
Marsi i tersit për familjen Vlora
Më 26 mars 2014, në Rinas mbërritën nga Vjena eshtrat e Eqrem bej Vlorës. E bija, Ajnisha Vlora ishte njeriu i parë që preku arkivolin dhe fotoja e fiksuar me dorën e saj te arkivoli bëri xhiron e medias në Shqipëri. Shumë kishte vuajtur kjo grua, por ky ishte momenti më i prekshëm dhe dukej si finalja e të gjitha dhimbjeve. Sapo makina që mbante arkivolin u afrua nga pista në godinën e aeroportit, Ajnisha Vlora u afrua e para. Një punëtor zbuloi arkivolin dhe Ajnishaja pa të shkruar në të emrin “Eqrem bej Vlora, 1885-1964”. Vendosi pëllëmbën e dorës ku shkruhej emri, e përkëdheli atë sikur ta kishte gjallë të atin dhe pamja e saj në fytyrë është e papërshkrueshme. Nuk i kishte lotët çurg, por vetëm të lagur. Nuk kishte qarje me zë dhe “oi”, por fytyra kishte një shtrëngim muskujsh, që ndjenin dhimbje. Më shumë ishte shpirti i saj që qante. As lotët dhe as fjalët nuk ishin me vend. Dhe ai portreti i Ajnishasë i fiksuar në foto është më simboliku, kur dhimbja dhe malli bëhen bashkë. Më 24 mars 2018, Ajnisha Vlora ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Vlorë. Dhe duket sikur marsi ka qenë fati i keq i familjes. Edhe vetë Eqrem bej Vlora vdiq në muajin mars. Më 30 të këtij muaji të vitit 1964, ai ndërroi jetë në Vjenë. Vetë Ajnisha lindi në mars.
Eqrem Vlora, mërgimi i hidhur i beut
Eqrem Bej Vlora ishte përfaqësuesi më tipik i familjes së madhe të Vlorjave. Djali i Syrja Vlorës, ai ishte një nga më të pasurit por edhe më të diturit dhe më të arsimuarit e kohës. I ati i tij, Syrja Vlora ishte djali i xhaxhait të Ismail Qemalit dhe marrëdhënia e tyre kishte uljet dhe ngritjet e veta. Ngritje se ishin një gjak dhe pjesë të familjes së madhe të Vlorajve, që kishte nxjerrë figurat më të ndritura deri vezir i madh. Ulja e tyre lidhej me faktin e një rivaliteti se cili ishte më i rëndësishëm dhe cili do mbeste në histori. Janë të njohura përpjekjet e Syrja Vlorës për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe i biri, Eqrem bej Vlora mbështeti në çdo kohë të atin. Por as Syrja Beu dhe as i biri nuk e kaluan lehtë atë që Ismail Qemali bëri më 28 nëntor 1912. Të bindur që ishin ata dhe vetëm ata “pronarë” të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk e panë me sy të mirë këtë akt të kushëririt. Ky moment lidhet edhe me një ngjarje tjetër, ku pakënaqësia dhe xhelozia e Syrja Vlorës u pa në vitin 1905 kur Ismail Qemali mbërriti në Vlorë dhe turma e madhe e njerëzve e pritëm me një entuziazëm të madh. Për ta respektuar mes ovacioneve të mëdha mikun e tyre, turma e vlonjatëve që kishin dalë ta prisnin në skelë ia hoqi karrocën kuajve dhe e ngritën atë mbi supe, ndërkohë që Ismail Qemali ishte brenda karrocës. Në gazetën “Albania” të asaj kohe shkruhej: Syrja Vlora nuk u kënaq nga pamja, kur vlonjatët e ngritën Ismail beun në krah. Syrjai tha:
“E çka ky kushëriri im që vlonjatët e ngrejnë në krah! Ç’të mirë shikojnë te ai? Pale ka edhe para borxh”.
Rasti i dytë ishte ditën e madhe të Shqipërisë kur Ismail Qemal Vlora shpalli pavarësinë. Pikërisht atë ditë, Syrja Vlora shkoi në Shkodër, ndërsa Eqrem beu ishte në Himarë. Në librin e tij “Kujtime”, Eqrem beu tregon se një fshatar shkoi te ai në Himarë dhe i tha që e kërkonte Ismail Qemali se po shpallte pavarësinë. Dhe përgjigjja e Eqrem bej Vlorës ishte: “Nuk mund të vij, se jam duke luftuar kundër grekëve në Himarë”. Duket si një justifikim jo i hollë ky i Eqrem bej Vlorës. Për të mos vënë në dyshim aftësisë e tij me armë, sepse dijet e tij nuk mund të vihen në diskutim, Eqremi këtu ka bërë një gabim historik. Ai ishte zgjedhur jo vetëm delegat i Kuvendit që do shpallte pavarësinë e Shqipërisë, po edhe zgjedhur si zëvendëspresident i pleqësisë. Por ai nuk shkoi kurrë në këtë Kuvend dhe nuk hodhi as firmën në aktin e Pavarësisë. Pikërisht në këtë ditë të madhe atij i doli një punë.
Në fakt, në të gjitha kujtimet ai shprehej respekt dhe vlerësim për Ismail Qemalin, por duket që lë shumë gjëra pa i treguar. Edhe karriera politike e Eqrem bej Vlorës nuk ka patur pikë takimi dhe nuk ka qenë e lidhur me aktivitetin e Ismail Beut. Kulmin e të gjithë marrëdhënieve ishte te prishja e sarajeve të Vlorajve. Hëna Këlcyra, njeriu i vetëm që ishte prezent, kur Eqrem beu vdiq në Vjenë, më shumë se një herë se sarajet i ka prishur Eqrem beu, sepse ishte shumë i mërzitur kur pa se mes pjesëtarëve të familjes Vlora nisi grindja për dhomat që u takonin. Dhe kështu, ai i shkatërroi vetë sarajet.
Mërgimi i hidhur i Eqrem beut
Më 28 gusht të vitit 1944 për Eqrem bej Vlorën ishte dita e fundit e punës si Ministër i Jashtëm. Qeveria e Ibrahim Biçakut ra dhe gjermanët që ishin në Tiranë, po organizoheshin për t’u larguar. Ndërkohë, që forcat partizane po përgatiteshin për të sulmuar kryeqytetin për ta çliruar, Eqrem bej Vlora mendoi të largohej nga Shqipëria. Ishte një vendim që sot pas kaq shumë dekadash mund të mendohet me qetësi, por në ato moment çdo sekondë ishte luks. Hëna Këlcyra kujton se veprimi i parë që i shkoi ndër mend Eqrem beut ishte të shkonte te familja e tij, i cili jetonte aty ku sot është godina e ambasadës së Vatikanit në hyrje të Rrugës së Durrësit. Ajo vilë ishte pronë e Eqrem bej Libohovës, të cilin Eqrem bej Vlora e kishte baxhanak. Ai ia kishte lënë për të jetuar Eqrem bej Vlorës sa të dëshironte. Kur Eqrem beu shkoi të shtëpia ishte i bindur, që jo vetëm do ikte menjëherë nga shtëpia dhe nga Shqipëria, por do merrte me vete edhe gruan Hadijen dhe dy vajzat Lejlan dhe Ajnishanë. Sapo hyri në vilë, vajzat iu qepën të atit me të puthura si fëmija për babanë. Aty Eqremi menjëherë ndryshoi mendim. Udhëtimi do ishte i vështirë për vajzat. Për Lejlën 12-vjeçare, por Ajnishaja vetëm 11-muajshe udhëtimi do ishte një torturë e vërtetë dhe në këtë moment i tha bashkëshortes Hadijes:
“Hadije, unë po iki jashtë. Do kthehem shumë shpejt. Do vi tu marrë juve. Tani po iki vetëm më mirë. Është rrugë e vështirë”.
Që nga ky moment, Eqrem beu nuk e pa më me sy familjen. As Lejlën që e donte aq shumë e as Ajnishanë që e puthte fshehtas Lejlës. Xhelozia e motrës së madhe për motrën vogël ishte e tillë, që i kishte kërkuar të atit të mos e puthe asnjëherë atë. I ati “kishte pranuar” kërkesën e vajzës, i bindur që një ditë do ta kuptonte vetë. Por kjo ditë nuk erdhi kurrë dhe jeta e Eqrem bej Vlorës u shoqërua me një brengë të madhe. Për afro 20 vjet, Eqrem beu jetoi jashtë vendit sa në Itali, Gjermani, Austri dhe Francë pa e parë familjen me sy dhe pa e ditur fatin e saj. Që nga 28 gushti 1944 deri më 29 mars 1964, jeta e tij ishte pa vlerë. Në fund të këtij kalvari të hidhur të mërgimit, ai u stacionua në Vjenë në familjen e Ali Këlcyrës. Brenga e mungesës së familjes ishte aq e madhe sa vdiq me këtë brengë në zemër. Ishte tamam si fraza që ka shkruar në kujtimet e tij: “U bëra top i fatit tim”. Dhe vërtet. Eqrem bej Vlora u bë për herë të fundit top i fatit të tij të keq.
Përndjekja e Ajnishasë dhe e familjes
Hëna Këlcyra tregon se Hadija kishte një peng mbi pengjet, që nuk u largua me Eqremin atë 28 gusht të vitit 1944. Por edhe pas këtij moment pati disa raste që ajo mund të largohej. Vetë Ajnishaja tregon se i ati kishte dërguar deri anije për t’i marrë, por nuk ishte e thënë.
“Na hëngri pasuria. Nëse nuk do mendoja për pasurinë, do kisha ikur. Por gjithnjë mendoja si t’i la shtëpitë, tokat dhe pronat?”
Por Eqrem beu në librin e tij me kujtimet, kishte përkufizuar shqiptarët nëpërmjet një proverbi turk: “Në Turqi ruaj kokën, në Rumani ruaj gruan, në Shqipëri ruaj pasurinë”.
Në fakt, me të kishin ndodhur të gjitha. Familjen ia persekutuan. gruan ia internuan në Bathore dhe Kavajë e pikërisht ajo vrionisja e arsimuar dhe e bukur e detyruan të punonte në arë. Vajza Lejla vdiq në 1970 me brengë të madhe se nuk e pa me sy të atin. Hadija vdiq me shumë brengën e madhe në zemër. Vajza e dytë, Ajnishaja ishte vuajtësja e fundit. Ajo nuk u la të shkollohej e futën në punë në bujqësi dhe jeta e saj u kthye në ferr. Më 24 mars, Ajnishaja ndërroi jetë. Ishte e fundit pjesëtare e familjes së Eqrem bej Vlorës që pa me sytë e saj, ndjeu në kurrizin e saj të gjitha vuajtjet dhe persekutimet e familjes. E megjithatë, kjo grua kurrë nuk u ankua dhe kurrë nuk u hakmor. Këtu qëndronte fuqia e saj dhe e familjes së Eqrem bej Vlorës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al