AFRIM IMAJ/ Agllaia Zoto, ish-prokurorja e parë e regjimit komunist, shoqja e ngushtë e Ramize Gjebreas dhe Vito Kapos, e përkëdhelura e Byrosë Politike në shkëlqimin e saj, ka vetëm pak muaj që ka ndërruar jetë, e braktisur në një azil të Athinës.
Ajo çfarë la nga tërë shtegtimi i çuditshëm, është vetëm një bllok me kujtime, që na i ofroi në mirëbesim e dashamirësi disa kohë para se të ikte për të mos u kthyer më në Greqi. Kaq është jeta ime, thoshte sakaq, duke shfletuar me duart që i dridheshin faqet e një fletoreje të zverdhur. Më shumë se një jetëshkrim i jashtëzakonshëm, Agallia Zoto ka regjistruar aty një nga historitë më absurde të diktaturës komuniste, që zë fill në ditët e para të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare dhe përshkon tërë periudhën e regjimit totalitar, madje edhe më tej.
Kujtesa brilante dhe dëshmitë me artikulimin e mrekullueshëm kanë dokumentuar kësisoj dramën e veçantë që ka përjetuar kjo grua interesante me momente nga më tronditëset dhe nga më të çuditshmet. E nderuar për veprimtarinë antifashiste, e mbështetur nga Enver Hoxha për të studiuar jashtë shtetit, e vlerësuar nga autoritetet komuniste për të ushtruar detyrën e besuar të prokurores, Agllaia Zoto një ditë të bukur u shpall e padëshirueshme për regjimin, madje e rrezikshme. Pikërisht këtu nis e papritura e jetës së saj.
E ndërsa shtynte ditët në Parisin e largët, vazhdonte pa ndërprerë të shkruante kundër regjimeve totalitare duke denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut. Ky qëndrim nuk mund t’u shpëtonte shërbimeve sekrete të vendeve komuniste dhe ajo për shumë vite mbeti në shënjestër të tyre. E kërkuar nga UDB-ja, KGB-ja, zbulimi bullgar, sigurimi shqiptar, Agllaia Zoto ka përjetuar me dhjetëra raste rreziku ku jeta e saj u kërcënua seriozisht. Është rikthyer në Shqipëri, pas shumë peripecish në vitin 1978, po biografia e saj në Perëndim, e mirënjohur për policinë sekrete, nuk mund ta linte pa ndëshkuar e t’u falte lirinë pranë familjarëve në Tiranë. Që këtej do të niste kalvari i të tjera vuajtjeve, tashmë si e internuar në zonën e Lushnjës. Po çfarë kujton tjetër ish-partizania nga Himara që arriti deri prokurore e përgjithshme e Bullgarisë.
FËMIJËRIA, NGA HIMARA NË PARIS
Kam lindur në Himarë në vitin 1926 dhe shumë e vogël, disamuajshe, prindërit më morën në Francë, ku më herët kishte emigruar babai… Kështu që jam rritur në Francë. Babai kishte një kafe-restorant ku mblidheshin të gjithë të arratisurit e regjimit të Zogut, por edhe të arratisur të tjerë grekë, bullgarë, jugosllavë etj. Babai ishte shok i ngushtë i Halim Xhelos dhe Ali Kelmentit. Ai kishte ndërkaq miqësi të ngushtë me Omer Nishanin, të cilën e ruajti deri sa Omeri, ish-President i Republikës, ndërroi jetë. Babin e ngarkuan të vinte në Shqipëri për të bërë një lëvizje antizogiste, antimbret. Kështu u detyruam të vijmë dhe ne…
Ngaqë shkollën fillore e kisha përfunduar në Francë, nuk dija shqip. Babai duke menduar që të mësoja gjuhën shqipe më çoi në Vuno, ku ishte një konvikt për vajza. Aty mësova gjuhën dhe dhashë shumë provime, për të cilat mora rezultate shumë të mira. Kjo gjë bëri shumë përshtypje. Bile lajmi shkoi deri te Mbreti Zog, i cili më dha një bursë për në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”.
Aty më gjeti okupimi fashist i vendit. Mbaj mend që një pjesë e mirë e shoqeve dhe shokëve tanë ishin të organizuar në lëvizjen antifashiste. Na drejtonte Nako Spirua dhe Qemal Stafa, me të cilët kam pasur kontakte të pashkëputura. Në shoqërinë e tyre, unë me Ramize Gjebrenë dhe Margarita Tutulanin ndiheshim të inkurajuara dhe të kthjellëta për aksionin që na priste. Përveç shoqeve të ngushta Ramize Gjebre, Margarita Tutulani dhe Liri Belishova, kishte dhe shoqe të tjera si Vera Pojanin, Nefo Puton, Vito Kapon etj., që ishin më pak aktive nga ne. Po çfarë bënim ne në kushtet e asaj shkolle në periudhën e pushtimit? Na vinin të këndonim këngë fashiste, ne nuk këndonim, por bënim zhurmë. Na thoshin të bënim gjëra jo patriotike, ne nuk i bënim.
Kështu na përjashtuan. Për një kohë të gjatë unë isha ilegale dhe bashkë me Ramizenë dhe Margaritën shkonim nëpër fshatrat e Tiranës dhe bënim propagandë, ndërkohë që shpërndanim dhe traktet që na jepte Nako Spirua. Kryesisht traktet që shpërndanim ishin për luftën antifashiste, por me frymën e së majtës. Në atë kohë bëhej një propagandë shumë e madhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Një pjesë e tyre bënin thirrje që vajzat shqiptare t’i bashkoheshin lëvizjes nacionalçlirimtare. Mirëpo, Himara dhe zona e Bregut në atë periudhë kishin lidhje me monarko fashistët grekë. Këta të fundit hidhnin trakte dhe bënin thirrje që të mos mbështetej lufta, që mos të ndihmoheshin luftëtarët antifashist. Babai im, si patriot që ishte, njoftoi Shtabin e Përgjithshëm se do ta çonte vajzën e tij 15-16-vjeçare partizane në mal për t’u bërë shembull edhe për vajzat e tjera që të merrnin kurajë dhe të shkonin në çetë. Kështu, një ditë babai e nëna më zgjuan në mëngjes herët dhe më thanë se do të nisesha në çetë. Shkova në çetën e Bregut. Ajo ishte në atë kohë e vetmja çetë antifashiste në zonë.
PARTIZANIA E PARË E ÇETËS SË BREGUT
Kontakti i parë me çetën ka qenë diçka mbresëlënëse. Ajo ishte në një shpellë. Kur po i afroheshim, babai hodhi dy pushkë dhe një bombë sipas sinjalit partizan. Pastaj u bashkuam me ta. Natën e parë fjetëm në një haur të vogël. Ishin shtatë partizanë dhe unë e teta. Mua më urdhëruan të flija afër murit, me fytyrë prej andej. Kështu nisa jetën e partizanes.
Aktiviteti i çetës kryesisht përqendrohej rreth e qark zonës. Gjatë kësaj periudhe ishte admiruese dashuria e fshatarëve të Kurveleshit, që e ndanin dhe kafshatën e fundit me ne. Në këtë krahinë operonin dhe udhëheqësit e rëndësishëm të lëvizjes Spiro Koleka, Hysni Kapua, Manush Myftiu, Kadri Hazbiu, me të cilët isha në marrëdhënie shumë të ngushta pune. Kudo që shkonin më merrnin me vete dhe mua. Në çdo miting që bëhej nëpër fshatra të ndryshme, secili prej tyre fliste me letër. Aty për aty kërkonin të flisja dhe unë, që në të gjitha rastet komunikoja pa letër. Mënyra si flisja unë kishte bërë përshtypje te të gjithë banorët e fshatrave, deri sa më thoshin “Bilbili i Jugut”. Nuk e di kush ishte i pari që ma vuri këtë nofkë…
SHOQE SI RAMIZEJA NUK KISHTE
RAMIZE GJEBRENË e kam pasur shoqe, shumë, shumë të ngushtë. Puna qëndron kështu: Në operacionin e Dimrit, Ramize Gjebrenë, Byroja Politike e dërgon të deleguar për të mbajtur kontakte dhe për të ndihmuar udhëheqësit e Zonës së parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Kështu në këtë operacion, që ishte operacioni më i madh gjerman, Ramize Gjebrea ishte në çetën tonë. Pra, në Çetën e Bregut. Gjatë ditës ishim bashkë në aktivitet, bënim mbledhje, takime me njerëz, shpërndanim thirrje etj., ndërsa në darkë mblidheshim në një haur. Ramizeja me Zahon rrinin në njërën anë të oxhakut, unë rrija në anën tjetër të tij. Partizanët si hanin një kafshatë bukë shkonin e flinin. Ne rrinim më vonë duke folur e biseduar për luftën dhe fatet e saj, për rininë dhe të ardhmen e vendit pas pushtimit.
Midis Zahos dhe Ramizesë, nga vetë bashkëpunimi dhe kontaktet e shpeshta ishte krijuar një lloj ndjenje shoqërore, miqësore shumë e fortë, por ato akuza që u bënë më vonë për ta, unë i hedh poshtë me vendosmëri dhe sinqeritet. Vë dorën në zjarr, siç thotë populli, se në marrëdhëniet e tyre nuk ka pasur asgjë erotike. Atëherë, Ramizeja ishte e fejuara e Nako Spiros. Kjo është e vërtetë. Nako Spirua e ka dashur dhe e ka respektuar Ramizenë aq shumë, saqë kur mori vesh vendimin për pushkatimin e saj, ndërhyri në Byronë Politike për ta kundërshtuar atë. Mirëpo, kur shkoi korrieri te shtabi i Brigadës që kishte marrë këtë vendim, Ramizeja ishte pushkatuar.
Unë isha bashkë me Ramizenë, kur e lajmëruan për t’u paraqitur në Shtabin e Brigadës. Komanda i çoi urdhër dhe ajo nuk e vuri në diskutim, por u nis menjëherë. Pastaj erdhi një korrier tjetër në çetë dhe na tha: Zaho Koka dhe Agathia Zoto të nisen urgjent për në shtab! U nisëm edhe ne dhe mbërritëm në shtabin e Brigadës në Ramicë. Shtabi ishte vendosur në një shtëpi njëkatëshe, por me një kat poshtë, tek i cili mund të futeshe pasi të zbrisje disa shkallë. Në të djathtë ishte një dhomë e madhe ku rrinte shtabi. Ajo shërbente ndërkaq edhe si zyrë pune. Në krahë të saj ishte një dhomë tjetër po me oxhak. U futëm te porta e jashtme.
Të dyja dyert ishin të hapura. Në dhomën e shtabit dalluam përfaqësuesit e lartë partiak dhe komandues. Të gjithë ishin atje. Ndërsa në dhomën tjetër, në krahë të oxhakut, ishte ulur një vajzë me një thes në kokë dhe diçka po lexonte në vetmi. Nga larg nuk dallohej kush ishte. Nejse. U futëm brenda. U përshëndetëm me Manush Myftiun, me Hysni Kapon, me Shefqet Peçin e me Kadri Hazbiun. Një moment Hysni Kapua u kthye nga unë dhe filloi të më thotë: Agllai, do që të takohesh me Ramizenë? Po, i thashë, patjetër. Pse këtu është Ramizeja? Kalo, kalo në dhomën tjetër dhe mos pyet shumë, shtoi Hysniu. Shkova te dhoma tjetër. Ramizeja ishte mbuluar me thes. I hoqa atë dhe i zura sytë me duar. Ajo më hoqi duart dhe me ngashërim më tha: Agllai, ti je, më tha. Unë jam, i thashë. Çfarë bën këtu.
Një moment siç e kishte librin në dorë e ktheu me kopertinë nga unë. Aty për aty lexova titullin e tij “La kondanata”, që ishte në italisht. Ishte një libër që në shqip përkthehej “E dënuara”. Ndenja një çast në këmbë me vështrim nga ajo. U çudita dhe më dukej e habitshme se si ato ditë betejash, Ramizeja kishte gjetur kohën për të lexuar atë libër që nuk dihej si ishte gjendur aty. Kaq ishte takimi me të në atë dhomë. Nuk më shkonte kurrë në mendje se ai do ishte takimi i fundit me shoqen time më të mirë. Sakaq, atë natë mua me Zahon na urdhëruan për të shkuar në një takim në një fshat aty pranë. Sipas detyrës shkuam me Zahon, bëmë mbledhjen e caktuar dhe të nesërmen u nisëm të vinim prapë në shtab. Teksa po ktheheshim, u takuam në rrugë me dy partizanë me sy të përlotur.
Dukeshin të tronditur dhe nga mënyra si flisnin, të linin të kuptoje se diçka kishte ndodhur. Çfarë keni?, i pyeta aty për aty. Vranë Ramizenë!, u përgjigjën ata në një zë me vështrim përdhe. Si ka mundësi, unë dje u takova me të në shtab?, shtova unë. Ramizenë e dënuan dje dhe sot e pushkatuan, sqaruan ata me lot në sy. “Po si e vranë”, ndërhyra përsëri teksa më dridhej zëri. “Ja,- shpjeguan ata. – E nxorën nga shtabi dhe e çuan në një lëndinë të gjerë. Në dy anët e saj ishin vendosur dy skuadra pushkatarësh. Ramizenë e mbanin për krahu dy partizanë duke e çuar drejt greminës që ishte në fund të lëndinës. Ende pa shkuar aty, diku 100 metra më këtej, u dëgjua komanda ‘Zjarr!’ Sakaq me dhjetëra plumba e kapën Ramizenë nga pas. Një moment ajo ktheu kokën dhe tha Ua, çfarë po bëni?! Vetëm në pak çaste ajo ra në gjunjë dhe u mbyt në gjak. Pra, Ramizeja nuk e dinte se do ta pushkatonin”.
Motivacioni i gjithë kësaj, siç u bë e njohur më vonë, ishte për imoralitet, domethënë për lidhje dashurie në kohë lufte, ku mbi të gjitha ishte liria, ishte atdheu, paqja. Për lidhje të tilla e akuzuan dhe e pushkatuan. Po vendime të tilla absurde janë marrë dhe në raste të tjera. Kështu, p.sh., një vajzë të bukur nga Gjirokastra, një partizane trime, e pushkatuan me akuzën se bënte dashuri me të fejuarin (!) Se ishte atëherë koha drejt çlirimit të vendit dhe thoshin se po të duhemi, po t’i shpëtojmë luftës, do bashkohemi në ditët e lirisë. Një raport të tillë e kam përjetuar edhe unë. Partizani Babaçe Faiku më kishte thënë se po të isha dakord, do të bashkoheshim pas luftës e do krijonim familje. I pata than një “po” platonike, një fjalë bese…
DITËT E PARA NË LIRI
Ditët e para të pasluftës më gjetën në Vlorë. Pas çlirimit më emëruan menjëherë në Kryeministri, me detyrën drejtoreshë e Statistikave Shtetërore. Po kjo për pak kohë, pasi bashkë me 500 studentë të tjerë na dërguan për studime në Jugosllavinë e Titos në Beograd. Mua më thirri Nako Spirua dhe më tha: “Agllai, do të të dërgojmë me porosi të shokut Enver për të studiuar për mjekësi në degën e Kirurgjisë”. “Unë, për mjekësi,- i thashë,- në asnjë mënyrë”. “Kjo është e prerë,- më tha,- është fjala e Enver Hoxhës dhe nuk bëhet dysh. Aty për aty i thashë se do shkoja e të takohesha vetë me Enverin dhe ashtu bëra”. “Ti do bëhesh një doktoreshë e talentuar, më tha Enveri, si të kemi pasur afër deri tani, ashtu do të kemi dhe më pas. Pra, do bëhesh një kirurge për Byronë Politike”. “Në asnjë mënyrë,- këmbëngula,- çobane bëhem, doktoreshë jo”. Ai qeshi dhe më kërkoi arsyen pse hezitoja. “Kam frikë nga mikrobet, e sqarova”. “Moj Agllai, m’u drejtua Enveri duke më hedhur të dyja duart në qafë, ti nuk kishe frikë nga gjermani, trembesh nga mikrobet”.
Shkova me studime për drejtësi, për shkenca politike e ekonomike. Mirëpo, ndodhi shpejt prishja Stalin-Tito dhe Shqipëria u detyrua t’i tërheqë 500 studentët nga Jugosllavia. Ndërkaq, Byroja Politike dërgoi një listë me emrat e 13 studentëve, 11 djem dhe dy vajza që duhej të qëndronim aty. Në atë listë ishte dhe emri im dhe shoqes sime, Shpresës. Misioni ynë kishte të bënte me zhvillimin e propagandës anti-Tito dhe kundër revizionizmit. Pikërisht për këtë ne merrnim materialet në ambasadën tonë në Beograd dhe e shpërndanim sa aty këtu, sipas destinacionit përkatës. Ishte një detyrë e vështirë. Duhej të operonim në gojën e ujkut, si i thonë. UDB-ja nuk ishte një zbulim i zakonshëm, por një shërbim i tmerrshëm. Punuam sa punuam dhe një ditë na kapën dhe direkt në skëterrë…
ARRESTIMI I ÇUDITSHËM
Arrestimi ishte i papritur. Një mëngjes herët, në dhomën e konviktit të studentëve ku rrija me disa jugosllave, erdhën dy burra me kapardisa të bardha dhe republikë të zezë në kokë. Me forcë më rrëmbyen nga krevati ku isha dhe më hodhën te krevati tjetër aty pranë. Nxorën nga xhepi thikë e gërshërë dhe filluan të shqepin jastëkët dhe dyshekun, duke kërkuar materialin komprometues për mua. Po aty ku e kishte fshehur Agllaia, nuk e gjente dot as perëndia. Nejse, nuk gjetën material, por kishin siguruar prova që unë merresha me propagandë anti-Tito.
Më morën mua dhe Shpresën dhe na çuan në zyrat e UDB-së. Aty na futën në një dhomë rreth një metër e gjysmë katror, mbushur me buburreca. Si ndenjëm pak aty, na marrin përsëri dhe na çuan te një gjeneral, ku filluan të na shanin e qortonin duke kërkuar se kush na organizonte për propagandën antijugosllave. Që këtej na hipën në tren, ku na vendosën duar lidhur në një vagon të rezervuar për UDB-në dhe na çuan në Prishtinë. Aty na çuan në polici. Godina e saj ishte një ndërtesë trekatëshe e kohës së mesjetës. Na hipën në katin e tretë, na futën në një zyrë me një tavolinë ku rrinin dy burra në këmbë. Të dy ishin të veshur me uniformë ushtarake dhe flisnin shqip. Pas tyre ishte një dritare gjysmë e hapur.
Pasi mbaruan fjalën ata, ikën. Një moment u fut aty një ushtarak tjetër. Ai filloi në serbisht duke na sharë me fjalët imorale, të përdala etj. Njëkohësisht filloi të shajë partinë tonë, popullin shqiptar, udhëheqësin tonë Enverin. Pastaj na futën në një qeli. Për të shkuar aty kaluam nëpër një korridor të ngushtë ku na printe një kapter me fener në dorë. Në të dyja krahët e korridorit dalloheshin qelitë e ngushta. Brenda tyre kishte kundërshtar të regjimit. E gjitha kjo ishte në katin e katërt nën dhe. Duke ecur duke ecur arritëm te qelia 307.
* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al