Historiani tregon tri ditët e marrëveshjes së Mukjes: Ja si ndikuan jugosllavët tek Enveri

Aug 7, 2018 | 17:53
SHPËRNDAJE

Historiani i njohur Paskal Milo tregon se ishte i dërguari i Titos, Svetozar Vukmanoviç Tempo dhe jo Miladin Popoviç, që ndikoi tek Enver Hoxha në zhbërjen e Marrëveshjes së Mukjes me Ballin Kombëtar. Në librin e tij “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” vëllimi I, botuar në nëntor 2014, ku ka shfrytëzuar edhe arkivat jugosllave, profesor Milo pohon se Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç kanë qenë pro marrëveshjes së Mukjes, pasi besonin se në Frontin Çlirimtar duhej të bashkoheshin të gjitha forcat luftarake në vend.

PASKAL-MILO-678x381

Madje, vetë Miladin Popoviç në një letër dërguar Titos dhe udhëheqjes së Partisë Komuniste Jugosllave, pohon rolin që Svetozar Vukmanoviç Tempo ka luajtur në bllokimin dhe prishjen e marrëveshjes së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës. Bazuar në dokumente, historiani i njohur del në përfundimin se arsyet e prishjes së kësaj marrëveshjeje ishin kryesisht ato që lidheshin me ndarjen e pushtetit të ardhshëm, ku PKSH-ja i kishte dhënë pozita të barabarta Ballit Kombëtar përmes Mukjes dhe që si rrjedhojë duhet të ndante fitoren e luftës me ta.

PASKAL MILO

NJË DËSHTIM PËR TË ARDHUR KEQ 

Në pritje të mbledhjes së dytë të Komitetit të Përkohshëm për Shpëtimin e Shqipërisë më 8 gusht, ngjarjet rrodhën ndryshe nga sa ishte parashikuar. Ymer Dishnica nuk ndihej i sigurt gjatë gjithë mbledhjeve të Mukjes, ishte i ndrydhur dhe i frikësuar nga përgjegjësia që i rëndonte mbi supe. Ai kishte nevojë për konsultime dhe këtë ia kishte shkruar Enver Hoxhës menjëherë pas takimit të parë në Tapizë.

Ia përsëriti më me forcë e me shqetësim, kur i shkroi më 3 gusht: “Të afroheni në rrethet e Tiranës sa më parë, para 8 gushtit. Disa prej jush duhet të ndodheni pa tjetër ose në Tiranë, ose në Pezë. Tarasi, Lamja dhe Nakua që kanë mundësi të vijnë me mjetet më të shpejta. Puna është që ne para 8-ës të jemi sqaruar e të kemi marrë pozita karshi gjendjes që është krijuar. Ne nuk mund të zmbrapsemi në angazhimet që kemi marrë, prandaj duhet të dimë me saktësi dhe për së afërmi tezën e Komitetit Qendror”. Dhe në fund të po kësaj letre, Dishnica përsëri lëshonte sinjalin SOS, kur shkruante se ishte mëse e domosdoshme që Komiteti Qendror dhe Shtabi të vendoseshin në qendër të Shqipërisë, “e aq më tepër në këto ditë e në këtë kohë”.

Ai njoftonte Hoxhën se praktikisht ishte i shkëputur prej tyre, pikërisht “nër momentet kur kam nevojën më të madhe për ndihmën ndihmën t’uaj”. Dishnica kërkoi që t’i dërgoheshin sa më shpejt direktiva konkrete për sa referonte në letër, madje i sugjeronte Enver Hoxhës që të vinte vetë e t’ia jepte gojarisht direktivat, sepse “puna më e madhe do të vendoset pas 8-ës, deri tashti vetëm ura e bashkëpunimit u hodh dhe prandaj duhet bërë punë e shpejtë, e matur, e paqme, por edhe e sigurt”. Reagimi i parë i Enver Hoxhës erdhi më 6 gusht.

E kritikoi Ymer Dishnicën se ishte lejuar që në Mukje orkestrën ta udhëhiqte Balli, i cili kishte imponuar vullnetin e tij, se delegacioni ishte atje “për t’i vënë Ballit këmbët në një këpucë”, të pranonte ose jo bashkimin, të futej ose jo në luftë dhe jo për gjëra të tjera që “ne i gjejmë të kota, pa vend dhe në dëmin tonë e në favor të tyre”. Hoxha e orientoi Dishnicën që ta trajtonte diskutimin me Ballin nga pozitat e forcës, në formën ultimative, “në frymën e bisedimeve tona në Elbasan”, në interesin e PKSH-së, e cila duhej të mbetej udhëheqësja e Luftës Nacionalçlirimtare dhe jo një fraksion i saj.

Direktiva e tij ishte e qartë: “Duam që nga bisedimet me Ballin të dalin gjëra konkrete dhe jo përralla, jo diplomaci, nuk jemi në fillim të bisedimeve me ta, por nga fundi. Bisedimet duhet të jenë njëkohësisht edhe demaskim i Ballit, demaskim në mbledhje, demaskim në publik, por demaskim brenda frymës së bisedimeve”. Letra e Enver Hoxhës ishte kritike, mbi të gjitha e ndërtuar mbi konceptin leninist se kudo e mbi gjithçka duhej të udhëhiqte Partia Komuniste e se të tjerët duhej t’i nënshtroheshin asaj dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare që ajo drejtonte.

Megjithatë, letra e linte të hapur portën e bashkëpunimit, veçse me kusht. Enver Hoxha, ndonëse e njihte pikën e marrëveshjes për Shqipërinë etnike, nuk reagoi në këtë letër, nuk e quajti të gabuar dhe nuk e kundërshtoi. Tri ditë më vonë, më 9 gusht, në një letër të dytë drejtuar Shafingos (pseudonimi i Ymer Dishnicës), Enver Hoxha e përmbysi plotësisht situatën dhe e hodhi poshtë marrëveshjen.

ENVER HOXHA, MILADIN POPOVIÇ DHE DUSHAN MUGOSHA NE SHTABIN E PERGJITHSHEM TE FRONTIT NACIONALÇLIRIMTAR
ENVER HOXHA, MILADIN POPOVIÇ DHE DUSHAN
MUGOSHA NE SHTABIN E PERGJITHSHEM TE
FRONTIT NACIONALÇLIRIMTAR

Si pretekst shërbeu Proklamata e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë që Gogo Nushi, sekretari politik i PKSH-së për Komitetin Qarkor të Tiranës dhe anëtar i delegacionit në Mukje, i dërgoi Enver Hoxhës në Kucak të Korçës. Proklamata nuk kishte asgjë më shumë sesa kishte marrëveshja e Mukjes, përmbajtjen e së cilës Enver Hoxha e dinte. Çfarë kishte ndodhur? Midis 6 dhe 9 gushtit, në Kucak, i ardhur nga Greqia dhe i shoqëruar nga Koçi Xoxe, kishte qëndruar Svetozar Vukmanoviç Tempo. Në kujtimet e tij, Tempo i ka dhënë një vend të gjerë takimit dhe bisedimeve me një pjesë të udhëheqjes së PKSH-së e me Miladin Popoviçin në këtë kohë.

Ai u informua për gjendjen në Shqipëri, për marrëveshjen e Mukjes me Ballin Kombëtar e për letrën e dërguar nga Ymer Dishnica rreth saj. Tempo kritikoi qëndrimet e udhëheqjes së PKSH-së për të arritur me çdo kusht marrëveshje me Ballin Kombëtar, u tha se do të ishte iluzion në qoftë se mendohej se do të mund të tërhiqeshin të gjitha forcat e tij në Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

Anëtari i udhëheqjes komuniste jugosllave e krahasoi Ballin Kombëtar me Lëvizjen Çetnike të Drazha Mihajlloviçit në Jugosllavi dhe sugjeroi jo marrëveshje, por nxitjen e procesit të diferencimit brenda radhëve të tij. Tempo akuzoi për oportunizëm dhe konstatoi se vetëm Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi i kundërshtuan pikëpamjet e tij. E vërteta është se marrëdhëniet personale të Enver Hoxhës me Tempon u keqësuan pas këtij takimi dhe udhëheqësi i PKSH-së në stilin e tij të kujtimeve i ka kushtuar shumë vend bisedës së gushtit 1943.

Vizita e biseda me Tempon gjithsesi la gjurmë. Ai vinte me autoritetin e PKJ-së, që në atë kohë nuk diskutohej nga Enver Hoxha e PKSH-ja. Antipatia personale nuk vlente dhe për sa kohë që Tempo përfaqësonte vijën zyrtare të PKJ-së, Hoxha dhe Popoviçi nuk mund ta kundërshtonin. Miladin Popoviçi e ka pohuar fare qartë në raportin e tij dërguar KQ-së të PKJ-së në tetor 1943, se Tempo dha një ndihmë shumë të madhe në lidhje me çështjen e Ballit Kombëtar dhe pas kësaj u morën vendime për të zhbërë ato çfarë ishin arritur në Mukje.

Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi për muaj të tërë kishin ushqyer një farë besimi se mund të arrihej në një marrëveshje me Ballin Kombëtar, gjithnjë pa cenuar udhëheqjen e PKSH-së në Frontin Nacionalçlirimtar. Kjo tendencë u përforcua në Labinot pas takimeve me majorin britanik Maklin. Dyshimet që u krijuan nga letra e 3 gushtit e Ymer Dishnicës dhe akuzat që bëri Tempo ato ditë në Kucak për oportunizëm në qëndrime ndaj Ballit Kombëtar, e detyruan Enver Hoxhën që ta trashte gjuhën në letrën e tij të 9 gushtit. Kjo letër e shkruar me shumë nervozizëm e hodhi poshtë në mënyrë kategorike marrëveshjen e Mukjes.

Ymer Dishnica u akuzua se kishte rënë kokë e këmbë në pozitat e Ballit. Argumenti i parë ishte se në traktin drejtuar shqiptarëve për t’u njohur me marrëveshjen e Mukjes, ishte lejuar të flitej për Shqipëri etnike dhe nuk flitej aspak për luftën kundër fashizmit, për Luftën Nacionalçlirimtare dhe për Partinë Komuniste. Argumenti i dytë kundër, ishte se bashkimi i shpallur vinte në kushte barazie Ballin Kombëtar, që ishte një organizatë, me Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, që ishte një front.

Traktin ose proklamatën, siç është në origjinal, Enver Hoxha e cilësoi “kapitullim komplet përpara Ballit”, që e vuri në një situatë të vështirë PKSH-në. Dishnica u porosit që të ndërpriteshin bisedimet dhe të mos përfundohej asnjë marrëveshje tjetër. Urgjentisht, një ditë më parë se t’i dërgohej letra Dishnicës, në 8 gusht, Hoxha u dërgoi një letër gjithë Komiteteve Qarkore të PKSH-së, në të cilën i njoftonte se trakti i shpërndarë dhe i firmosur në emër të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë ishte në kundërshtim me vijën Nacionalçlirimtare, nuk mbështetej nga Komiteti Qendror dhe nëse nuk ishte shpërndarë, të grisej e të mos flitej më për të. Dishnica e përjetoi keq letrën e dytë të Enver Hoxhës, “por si bombë më ra nër duar letra që firmonje ti”, i shkroi ai në 14 gusht atij, duke vazhduar se ishte “e para herë në jetën t’ime që ndodhem në një pozitë të tillë para partisë, e merrni me mënt dëshpërimin tem në këto momente kur kemi kaq shumë nevojë për njësi mendimi e për vendime të sigurta”.

Ymer Dishnica pranoi se kishte qenë i detyruar të merrte mbi vete përgjegjësi më të mëdha nga ato që i ishin dhënë, por i ripërsëriti Enver Hoxhës ato çfarë i kishte shkruar në letrat e mëparshme, nevojën që kishte pasur për konsultime e për direktiva të reja e që nuk ishin realizuar për shkak se udhëheqja ishte larg, në Shtyllë, në Kucak e në Vithkuq. Por pranon “se i vetmi përgjegjës kryesor jam unë jo vetëm sepse ashtu është në hierarkinë e partisë, por se edhe në realitet unë i kam orkestruar të gjitha”. Marrëveshja e Mukjes përcaktoi fatin politik të Ymer Dishnicës, madje la shtigje për të menduar edhe eliminimin e tij fizik.

Mukja dhe Dishnica u bënë një binom i pandarë në keqinterpretimin e një ngjarjeje historike aq shumë të diskutuar të kohës së luftës në Shqipëri. Vetë Dishnica e vuajti gjithë jetën këtë ngjarje dhe rrjedhojat e saj. Ai ka bërë vlerësime të ndryshme për këtë ngjarje në rrethana e kohë të ndryshme sipas konjukturave politike, në mënyrë publike e private, ka heshtur në vitet e regjimit komunist e ka folur pak në publik në vitet postkomuniste. Por ka lënë gjurmë të shkruara e që në këtë libër botohen për herë të parë dhe që i ka quajtur “kallinj të mbledhur në arëzën e kujtimeve të mija nga lufta e vjetëve 1941- 1944”.

Janë kujtime të shkruara në janar 1966 e të dorëzuara në arkivin e ish-Partisë së Punës. Kanë pa dyshim vulën dhe kufizimet e kohës kur janë shkruar, një lloj autocensure, por ka fakte dhe informacione interesante, veçanërisht për Mukjen. Ymer Dishnica ishte komunist me bindje liberale, i shkolluar dhe i formuar në Francë. Kishte kulturë politike dhe mendimet e tij me shkrim e me gojë i artikulonte rrjedhshëm dhe bindshëm. Për këto cilësi ai qëndronte më lart se shumica e udhëheqjes komuniste të kohës. Deri në Mukje kishte qenë në marrëdhënie të ngushta me Enver Hoxhën.

Nuk u mënjanua, por mbeti aktiv edhe në muajt pas saj deri sa u përjashtua nga Byroja Politike e KQ-së të PKSH-së në prag të Kongresit të Përmetit, në maj 1944. Enver Hoxha e ruajti, e la anëtar të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Por Mukja e ndoqi si hije nga pas, apo siç shkruan vetë “si syri i Abelit që ndiqte nga qielli Kainin, atë sepse vrau të vëllanë, mua sepse dëmtova rëndë Partinë”. Dishnica, për të mbijetuar e ka dënuar Mukjen dhe ka bërë autokritikë për qëndrimin e tij atje si gjatë viteve të luftës, e pas saj.

Ka mbetur proverbiale thënia e tij në formën e refrenit, kur shërbente si mjek në Berat përballë pacientëve me sëmundje të pashërueshme: “Sa shërohet Mukja ime, aq shërohet edhe sëmundja jote”. Në thelb e në ndërgjegjen e tij ai ndiente përgjegjësinë e rëndë që kishte pasur. Në kujtimet e tij të shkruara, Dishnica ka shfaqur herë-herë një guxim intelektual e një kurajë të madhe për të dalë jashtë klisheve komuniste në interpretimin e marrëveshjes së Mukjes. Në vitin 1966, i bindur se kujtimet e tij do t’i bëheshin patjetër të njohura Enver Hoxhës, shkruante: “E them me tërë sinqeritetin e shpirtit tim se ne na shpuri në atë ngjarje të hidhur optimizmi dhe bindja që kishte Melladin Popoviçi se krerët e Ballit Kombëtar dhe sidomos Lumo Skëndua, do të hidheshin në pozita lufte të hapur kundër okupatorit”.

Ai numëronte si arsye të tjera “papjekurinë” e tij dhe të Mustafa Gjinishit, heterogjenitetin e delegacionit, mungesën e një kryetari të caktuar, delegacionin e improvizuar prej 12 personash, ndërkohë që Balli Kombëtar kishte avokatë kalibri si Lumo Skëndon, Hasan Dostin, Thoma Orollogain e në prapaskenë gjithë udhëheqjen tjetër me Ali Këlcyrën me shokë. Dishnica konkludonte se “delegacioni ynë u hoq zvarrë nga delegacioni i Ballit Kombëtar”.2 Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Ymer Dishnica, i lirë për të folur dhe i çliruar nga frika e persekutimit, i revizionoi qëndrimet e tij rreth Mukjes. Pyetjes së hershme “Pse u prish marrëveshja e Mukjes?”, i janë dhënë përgjigje të ndryshme, nisur më tepër nga konsiderata politike, sesa nga përfundime të mbështetura në një shqyrtim objektiv të fakteve, të rrethanave e dokumenteve të kohës.

Mendimi i përgjithshëm është se kanë ndikuar dy faktorë: refuzimi i PKSH për të pasur pozita të barabarta me Ballin Kombëtar në Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë dhe ndërhyrja e S. V. Tempos, Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës kundër pranisë së togfjalëshit “Shqipëri etnike” në marrëveshje. Partia Komuniste dhe Balli Kombëtar, para se të shkonin në Mukje, kishin muaj që kontaktonin për të gjetur një kompromis për bashkëpunim në luftën kundër pushtuesve fashistë. Ky ishte objektivi parësor që qëndronte para dy forcave kryesore politike dhe në emër të tij ishin hedhur disa hapa të vegjël bashkëpunimi.

Në qershor-korrik, kjo tendencë u forcua për shkaqe e rrethana, për të cilat është shkruar në këtë libër. Por edhe për kaq, të dyja palët ia fshinin njëra–tjetrës synimet e vërteta. Teksti i marrëveshjes së Mukjes i kapërceu kufijtë minimalë të bashkëpunimit në luftë, platformën e Labinotit të Këshillit të Përgjithshëm, udhëzimet e sidomos sfidoi objektivin e qartë të PKSH-së për ta përfshirë Ballin Kombëtar brenda Frontit Nacionalçlirimtar, brenda këshillave nacionalçlirimtare e për të siguruar komandën e saj në këtë bashkim.

Por më shqetësuese ishte se Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë krijohej me atributet e një qeverie të përkohshme, të cilit do t’i nënshtroheshin të gjitha forcat politike dhe që në rrethanat e pritshme të kapitullimit të Italisë e të zbarkimit të Aleatëve do të ishte institucioni i vetëm përfaqësues i pushtetit të ri. Për më tepër, formalisht në Komitet, si Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe Balli Kombëtar, kishin nga 6 përfaqësues, por faktikisht duke pasur parasysh heterogjenitetin e së parës, sidomos pjesëmarrjen e Abas Kupit, shumica reale i takonte të dytit.

Thjesht ishte çështje pushteti. Çdo parti politike e ka objektivin e vet themelor marrjen e pushtetit. Përjashtim nuk bënin as Partia Komuniste, as Balli Kombëtar. Por në verën e vitit 1943, PKSH-ja dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare ishin më të fuqishme, më të organizuara dhe nuk mund të pranonin të ndanin pushtetin me Ballin Kombëtar. PKSH-ja e shprehu hapur e në mënyrë publike në atë kohë e më vonë këtë qëndrim të saj.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura