Në 100-vjetorin e lindjes së “Heroit të Popullit”, Hekuran Pobrati, djali i tij, Luan Pobrati, kujton copëza jete domethënëse të jetës së babait.
Hekuran Pobrati së bashku me Asim Alikon ishin pjesë e “grupit special” të Sigurimit të Shtetit në vitet e para pas çlirimit, të cilët u infiltruan në grupet diversioniste që vinin në Shqipëri për të përmbysur regjimin e dalë nga lufta.
Janë të njohura radiolojat me shërbimet inteligjente të huaja që ky grup bënte, duke çuar në eliminimin e disa personazheve të rrezikshme, pa arritur të organizoheshin në Shqipëri.
NGA LUAN POBRATI
Ç’DO DESHA TË THOSHA NË KËTË NJËQIND VJETOR TË TIM ETI.
Ishte fillimi i viteve ’70, koha kur piktori i popullit, Bukurosh Sejdini, i njohur veçanërisht për realizimin e portretit “Qemal Stafa” dhe peizazhit “Çlirimi i Tiranës”, këmbëngulte herë pas here pranë tim eti për t’i bërë një portret.
Babai i shmangej me kujdes kërkesës së piktorit, siç kishte bërë ai dhe në të tjera raste, kur në një veprimtari lokale nuk pranoi dhe kundërshtoi të këndohej për të, duke i qëndruar korrekt vetes dhe mos lejuar, qoftë dhe në mënyrë të tillë, të përcillej te njerëzit kulti i tij, sikurse kish gjetur mirëkuptim nga protagonistët, por në prag të 30-vjetorit të çlirimit dhe shpalljes së një konkursi kombëtar që do të organizohej në kuadër të këtij jubileu, Bukurosh Sejdini ngulmoi për të realizuar synimin e vet, kërkesë të cilën babai, si një partizan i hershëm i Luftës Antifashiste, kësaj radhe nuk e kundërshtoi.
Për të nisur punën, një nga dhomat e shtëpisë në Elbasan, qyteti ku prindi im jetonte, u shndërrua njëfarë kohe në një ministudio, ku piktori Sejdini, më shumë sesa lëvizte penelin, e shihja të bisedonte dhe fliste me tim atë, nga më bënte përshtypje përqendrimi në biseda i të dyve.
Ishte piktori ai që fjaloste dhe pyeste më shpesh. Ndërsa babai, personazhi i vendosur përballë penelit, si të ishte vënë përpara një provimi, më shumë sesa i interesuar për portretin reagonte mes shpirtit, lëvizjes së syve dhe mimikës ndaj bisedave të piktorit, pa e kuptuar se në funksion të qëllimit, zbulimit me mjeshtëri të botës së brendshme të tim eti konsistonte ‘loja’ e Bukurosh Sejdinit për ta fiksuar pas kësaj natyrshëm atë në telajon e tij.
Kur mendonte se ia arrinte synimit, ishte Bukuroshi që buzëqeshte, sikurse kur në telajo fiksonte trazimin dhe lëndimin që ai krijonte mes rrëfimit në shpirtin e tim eti, ishte përsëri piktori që gati sa nuk lotonte. Mes kësaj mënyre, njëra anë e së cilës nxirrte në pah botën e brendshme të të dyve, unë gjimnazist i atëhershëm, shihja të realizohej me mjeshtëri portreti i babait, ku bashkë me figurën dhe karakterin e tim eti vëreja të pasqyrohej mes detajeve bota njerëzore që bartte brenda vetes Hekuran Pobrati, duke ruajtur gjithë këto vite në kujtesë jo thjesht çmimin e parë dhënë portretit, por mjeshtërinë e lartë të piktorit të popullit, Bukurosh Sejdini.
Do të kalonin vite dhe në një tjetër kohë, pak pas ’97-ës, brenda detyrës me rëndësi në Shërbimin Sekret, në komunikim me një nga partnerët potentë të një zbulimi të huaj, ndaj të cilit dikur ishte përballur e kish fituar im atë, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për bashkëpunimin tonë korrekt, në prag të transferimit nga Shqipëria, ai më kërkoi si relikte diçka personale, duke u përqendruar me delikatesë te guna e tim eti, njohur nga mjaft foto të botuara edhe mbas ’90-ës, e mbajtur mbi shpinë gjatë kohës kur në funksion të detyrës, rolit të banditit dhe jetës në arrati, Hekuran Pobrati jetoi vite në shpella, male e pyje me gërxhe. Çfarë më shkoi ndërmend atë çast ishte t’i përgjigjesha shkurt: “Nuk kam”.
Por s’di ç’më shtyu t’i shpjegoja të vërtetën. Guna, sikurse dhe portreti i piktorit të njohur, u dogjën gjoja në emër të demokracisë teksa ishin të ekspozuara në një muze?!… Homologu i zbulimit të huaj, vendi i të cilit dikur kish dështuar para tim eti, tanimë partneri ynë i rëndësishëm, për një moment shtangu.
Ndërsa unë që i vëreja sytë, ia pashë ata të mbushur teksa dëgjova të thoshte: O Zot, po si mundet vallë?! Kuptohet, unë dhe ai nuk mendonin dhe as “votonim” njësoj e për më tepër nuk flisnim dhe as bënim politikë, por profesionalisht ne bashkoheshim për më të mirën e vendeve tona, luftës ndaj terrorizmit e krimit të organizuar dhe për të dy kjo ishte e rëndësishme.
E nisa kështu rrëfimin në këtë njëqindvjetor të lindjes së tim eti, për t’u treguar të rinjve të sotëm se për veprimtarinë dhe kontributin e Hekuran Pobratit, të shokëve e kolegëve mes të cilëve ai punoi e sakrifikoi, janë realizuar filma dhe bërë portrete, shkruar e folur që në gjallje, por jo më pak në këto vite pas vdekjes. Këto kohë, për tim atë kanë thënë e shkruar se i shërbeu diktaturës, por plot të tjerë kanë vënë në dukje kontributin e vyer të tij në Luftën Antifashiste, e sidomos në luftën kundër banditizmit e terrorizmit, nga ndihet se aty ku nuk ndërhyn e vë dorë politika, populli di të vlerësojë me mençuri e maturi historinë dhe gjithë ata heronj e dëshmorë të atdheut që kanë kontribuar në të mirë të vendit, siç nuk anashkalojnë rolin e pamohueshëm të Hekuran Pobratit dhe të tjerë burrave si ai në shmangien e një kryengritjeje të armatosur, ku, siç tanimë është bërë e njohur, planizues e hartues të saj ishin të huajt, por konflikti do të ndodhte në Shqipëri dhe përplasja do të bëhej në mes të shqiptarëve.
Njeriu i zakonshëm Hekuran Pobrati, -i tillë për nga natyrshmëria dhe jo për nga veprimtaria, – nuk kishte trup e fizik të ngjashëm me një “Supermen” a “Rambo”, personazhe të njohura këto të filmave amerikanë. I rritur nga dhalla e çerepi i misrit, me shtat të imët e mustaqezi, gjithçka ai bëri gjatë Luftës Antifashiste dhe në ato vite të vështira pas çlirimit të vendit në paralizim të “paqësorëve parashutistë” të dërguar në Shqipëri nga përtej detit me thika ndër dhëmbë dhe ampula helmi në gojë, im atë i kreu me përkushtim mes privacioneve të mëdha individuale e familjare dhe sa rrojti, ia dedikoi jo përmes propagandës bajate, por fjalës së urtë e të mençur, mbështetjes në popull, veprimeve të zgjuara e të matura agjenturore, pa neglizhuar cilësitë e lindura e të kultivuara mes një jete të rëndë e plot halle të mëdha, brenda së cilës fshihej një eksperiencë e gjerë, që për nga shkolla dhe filozofia nuk mbetej mbrapa Kembrixhit, ku sa për ilustrim ia vlen të ndalem vetëm në një: tendencën për t’u paraqitur i parëndësishëm dhe inferior mes tyre, me qëllim për t’ia rritur kundërshtarit edhe më tej fryrjen e kapardisjen, mënyrë e hollë dhe fine kjo për të mbuluar e neglizhuar veten në funksion të fitores.
Ishin ndoshta këto arsye që e shtynin Bukurosh Sejdinin të komunikonte gjerë në zbërthim të botës së brendshme njerëzore dhe të panjohurave të tim eti, për të zbuluar thellë dhe me mjeshtëri se ç’fshihte vallë brenda vetes ky burrë i heshtur dhe trupimët, pasi fiziku i zakonshëm i Hekuran Pobratit nuk të ndihmonte shumë për të gjetur se ku i qëndronte forca dhe si e kish arritur a kapur suksesin ai.
Por kush ishte në të vërtetë Hekuran Pobrati?
Im atë lindi më 15 shtator 1920, por u rrit jetim në skamje dhe mjerim. Dyerve të botës, siç thotë populli, i mbështetur nga të afërm e miq të familjes, pasi beu i fshatit i vrau babanë për t’i rrëmbyer më pas gjithçka, shtëpi e katandi, ndërkohë që e kishte humbur edhe nënën.
Në fund të viteve ’30-të, për t’iu shmangur vdekjes që i kanosej nga arsye politiko-ekonomike të shprehura edhe përmes hasmërisë, e cila veç babait, Hasimit (i dëgjuar për pjesëmarrjen në krye të çetës së fshatit të tij në Luftën e Vlorës), i kish marrë jetën edhe dy dajave të tim eti, kapedanëve në zë të Skraparit, Tofik dhe Tajar Vëndresha, secili komandant çete komitësh të njohur në luftën për liri dhe pavarësi dhe rrjedhojë e marrjes së gjakut të tyre, veprim të cilin Hekurani e kreu për t’u dhënë sinjalin antishqiptarëve se nuk luhet me patriotizmin, imponohet të qëndrojë në lëvizje nga Mallakastra në fshatra të Vlorës e Tepelenës dhe deri në Kurvelesh.
Në mars të ’42-shit kontakton me Mustafa Matohitin dhe është pikërisht kjo koha kur Hekuran Pobrati nisi aktivitetin në favor të Luftës Antifashiste, fillimisht si luftëtar në çetën e parë partizane të Kurveleshit, për t’u transferuar ca më vonë në çetën plakë të Mallakastrës dhe vijuar si kuadër lufte në Brigadën e Parë nga krijimi deri në çlirimin e plotë të vendit, duke marrë pjesë në mjaft luftime, por çfarë ruante në mendje dhe vlerësonte më shumë ishte beteja për çlirimin e Tiranës, ku bashkë me njësitin që drejtonte, morën dhe mbrojtën nga pushtuesi dy objekte me rëndësi, Radio-Tiranën dhe Bankën e Shtetit.
Mbas çlirimit, për një kohë ai shërbeu si zëvendës dhe komandant batalioni në Mbrojtjen e Popullit, por nën akuza farse pas së cilave fshihej dora e jugosllavëve dhe e ministrit të Brendshëm Koçi Xoxe, në fund të ’47-ës ai arrestohet padrejtësisht, duke u liruar dhe fituar të gjitha të drejtat më 1948, kohë kur angazhohet si kuadër i Shërbimit Sekret brenda “grupit special” në luftë kundër bandave diversioniste, kur Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm dhe Kadri Hazbiu zëvendës i tij.
“Grupi special” nënkuptonte nisjen e lojës me zbulimin anglo-amerikan, të ideuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, ku Asim Aliko ishte “zgjedhur” komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura në luftë kundër komunizmit, ndërsa Hekuran Pobrati luante rolin e zëvendëskomandantit të përgjithshëm të udhëhequr gjoja nga Komiteti Qendror i Frontit të Rezistencës, përmes të cilit u organizuan radiolojat “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit”.
Kur ende isha fëmijë, për sa dëgjoja të flitej për tim atë, kuptoja përkushtimin e madh të tij gjatë Luftës Antifashiste për një Shqipëri të lirë dhe të përparuar, pa shtypës e të shtypur, e cila përcillej nga ai përmes modestisë, jetës së thjeshtë e pa bam-bume, pa folur kurrë për plagët e marra nëpër beteja apo shtatëmbëdhjetë urdhrat e medaljet e dhëna për sakrificat e mëdha në luftën për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut, të cilat i mbante fshehur në sirtar pa ia treguar kujt, pasi asnjëherë nuk ia pashë t’i vendoste në gjoks, duke e motivuar këtë si një akt respekti e mirënjohje të thellë ndaj shokëve të rënë në luftë dhe si moskarshillëk ndaj njerëzve të thjeshtë, pranë të cilëve ai rronte e jetonte.
Kaq dija unë në fëmijërinë time, të tjerat i kam mësuar gradualisht gjatë rritjes dhe maturimit si njeri. E gjej normale që në këtë njëqindvjetor të lindjes së tij të flas e them diçka edhe mbi atë mbrëmje të veçantë të 22 nëntorit 1969, e cila për emocionin që do të më përcillte bëri që për së pari në jetën time, kur ende isha një vocërrak, të mendoja padashur vdekjen a vrasjen e tim eti, kur pas ngritjes së receptorit të telefonit të shtëpisë ndesha papritur me zërin e Kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, i cili, si të mos isha fëmijë, pyeti ku ndodhej im atë dhe pas përgjigjes, prerë më uroi shpalljen ‘Hero i Popullit’ të babait, duke më këshilluar të hapja e të dëgjoja radion.
Ndodhesha i vetëm me gjyshen, së cilës, ndërsa i hapa radion, i tregova për sa më tha Mehmet Shehu. “E mjera unë, o bir!”, rënkoi thellë ajo si të më kujtonte se gjatë luftës për çlirim kish varrosur me duar shtatë anëtarë të vrarë të familjes, mes të cilëve dy djemtë e saj dhe si t’i kisha dhënë përsëri lajmin e një gjëme, u pushtua e tëra nga pikëllimi, pasi në logjikën e një të moshuare, por dhe timen si fëmijë, urdhri i lartë “Heroi i Popullit” akordohej vetëm për të rënët.
Ndaj, bashkë me rënkimin, gjyshja atë çast lëshoi dhe fjalët e rënda: “E paskan vrarë tët atë”. Në mes kësaj çoroditjeje, ne si të ishim dy të balsamosur, dëgjonim në radio të flitej për veprimtarinë e spikatur në luftën për çlirim dhe mbrojtjen e vendit të Hekuran Pobratit, i cili me vendim të posaçëm të Presidiumit të Kuvendit Popullor shpallej atë mbrëmje “Hero i Popullit” dhe në logjikën tonë gjithë kjo shkonte në sinkron me arsyetimin se im atë ishte vrarë.
Ç’ndodhi e ç’u tha kur u mblodhën të gjithë e pranë nesh tanimë gjendeshin edhe drejtuesit e lartë të partisë e të pushtetit në rreth ishin fjalët befasuese të tim eti, i cili, i sapokthyer nga një shërbim, i çuditur nga mysafirët e pranishëm në atë orë të vonë, duke mos ditur ç’kish ndodhur, foli qetë dhe pa nxitim: “Nuk duhet të jem unë…” Në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës së lartë, me tone të zjarrta Mehmet Shehu u ofroi të pranishmëve vlerësime dhe etiketime të tilla për tim atë si: “Mendjemprehtë dhe trim i tërbuar”, “syzgjuar e punëhollë” dhe plot të tjera si këto, sa unë trembëdhjetëvjeçari nuk i kisha dëgjuar kurrë të fliteshin deri atëherë për babanë dhe pavarësisht moshës së vogël, kjo bënte të merrja një hije solemne, ndoshta ngaqë gjatë atyre tre-katër ditëve para ceremonisë, im atë na këshillonte ne të shtëpisë se ky vlerësim për të duhej të shndërrohej si një përgjegjësi për të gjithë pjesëtarët e familjes.
Kjo mund të duket e çuditshme sot, pasi spekulimet në emër të demokracisë fatkeqësisht i kanë veçuar tanimë prindërit nga fëmijët dhe këta të fundit, në emër të lirisë e të drejtës së njeriut shohin hallet, problemet, interesat dhe qejfet e pasionet e tyre të moshës.
Por për botën dhe moralin e një idealisti, që për hir të vendit dhe popullit të vet kishte mohuar gjithçka, deri edhe jetën normale të fëmijëve dhe të familjes, çfarë unë them ishte me rëndësi, pasi në logjikën e kohës uniteti i mendimit dhe i veprimit mes fëmijës dhe prindit, vlerësohej si një çështje e lidhur ngushtë me të mirën e vendit, e cila shkonte deri në mbajtjen qëndrim kur interesat në mes palëve cenoheshin.
Por le të rikthehemi edhe për pak në sallë, për të treguar e komentuar jo pa arsye ç’foli e ç’tha im atë pas dorëzimit të titullit “Hero i Popullit” nga Mehmet Shehu dhe si është komentuar e koncentruar në kohë ky komunikim e qëndrim i tij. Hekuran Pobrati foli pa letër.
E nisi fjalën ngadalë, për t’ia marrë vesh dëgjuesi të gjitha. Një ditë parë ceremonisë, ai ndihej i trazuar dhe u kthye shpejt në shtëpi. Shkruante brenda ambienteve të tij. Hera-herës dilte të takonte njerëzit që vinin për ta uruar dhe pastaj shkonte të shkruante përsëri. Siç u morëm një copë herë me lulet të dy, pasion që e trashëgoj nga ai, në një çast e pyeta: “Përse u ktheve kaq shpejt nga puna?”.
Si të ishte në një moshë me mua, babai uli kokën dhe më foli sinqerisht: “E kam pak problem këto ditë, më vështrojnë me sy dhe duan të më urojnë të gjithë”. Unë s’dija ç’t’i thosha, por gjatë rritjes sime kam kuptuar se ai ndihej i bezdisur nga vlerësimet, pasi nuk i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes dhe e lodhnin lavdërimet, siç do ta mësoja më mirë të nesërmen nga çfarë do të fliste në ceremoninë e dekorimit.
E vendosa këtë dialog të thjeshtë këtu me tim atë të shoqëruar dhe me pak koment, pasi çfarë tha babai gjatë fjalës së tij si përgjigje ndaj vlerësimit të lartë, por dhe çfarë foli për të gjatë dorëzimit të titullit të Mehmet Shehut, në disa gjëra që lidheshin me shqetësimin e të mosndierin mirë të tij nga qenia njeri publik e në qendër të vëmendjes, im atë dhe Kryeministri i vendit nuk ishin në një mendje të dy, por le t’ia lëmë radhën fjalës së babait gjatë zhvillimit të ceremonisë: “Gjatë gjithë kohës së angazhimit tim në detyra delikate, – tha në mes të fjalës së tij im atë, – më ka shoqëruar bindja e thellë se lufta dhe puna nuk të mohohen.
Ndaj, sa herë që atdheu ma ka kërkuar kokën,- vijoi ai,- unë për të e kam vënë në trastë. Por asnjëherë nuk kam dëshiruar që ky vlerësim i lartë të më bëhej që në gjallje. Populli,- përfundoi idenë e tij babai,- thotë se trimit sa është gjallë mos i këndo këngë me çifteli se ka kohë me u korit”.
Pra, Hekuran Pobrati iu shmang me kujdes vlerësimit të lartë dhe përmes fakteve konkrete, duke përmendur me emër njerëzit që kishin sinjalizuar e informuar mbi ngjarje e veprime të dyshimta, ai i ofroi të pranishmëve plot argumente të paatakueshme e të pakundërshtueshme se suksesi në luftën kundër bandave i takonte popullit; ndaj, salla u ngrit në këmbë mes ovacioneve dhe Mehmet Shehu, i cili e ndjeu ngarkesën e teprimit mes epiteteve të përdorura, buzëqeshi me çiltërsi.
Por im atë, si për ta çuar deri në fund idenë e tij, vazhdoi: “Nuk besoj se unë ‘mendjemprehti’ e ‘syzgjuari’ i kam bërë vetë të gjitha. Po të mos ishte populli dhe mbështetja e tij, ne do të izoloheshim nëpër shpella dhe male. Ndaj, ç’u tha këtu për mua, nuk mund t’i mbaj dot të gjitha, siç është në fakt dhe pesha e kësaj dekorate të lartë”.
Salla u ngrit në këmbë përsëri, por ai, si për t’i vënë kyç fjalës, e mbylli atë kështu: “Është rasti të falënderoj për mbështetjen e gjerë bashkëshorten time, pa ndihmën e së cilës nuk do mund të arrija kryerjen e misioneve të ngarkuara, pasi për mua ajo nuk ka qenë thjesht skalioni mbështetës dhe prapavija ime, pa të cilën nuk do të isha dot i ftohtë në detyrat e vështira që kam kryer, por edhe garantuesja e suksesit të rritjes dhe edukimit të fëmijëve të mi.
Ndaj, s’e kam të rëndë që tre cepat e këtij ylli të artë që m’u dorëzua sot, e them me bindje se i takojnë asaj, pasi në mungesën time të gjatë ishte ajo që rriti dhe edukoi me kujdesin dhe vëmendjen e duhur fëmijët e mi, në mënyrë të tillë që ata të mos më rrëzonin mua ‘murin’ që po ngrija me gjak dhe kaq shumë mund e djersë dita-ditës”.
Pas ceremonisë së dekorimit, organizatorët shtruan një darkë, ku mes të zgjedhurve ishte dhe një rreth i ngushtë i familjes së heroit. Gjatë saj, si në konfidencë Mehmet Shehu i foli tim eti në mënyrë që të dëgjonin dhe ata që ishin pranë tyre, se, kur në Byro ishte propozuar dhënia e titullit ‘Hero i Popullit’ Hekuran Pobratit, Enver Hoxha, Hysni Kapo, ai, Kryeministri pra i vendit, dhe Kadri Hazbiu i kishin ngritur lart të dyja duart.
Im atë heshti. Por pas pak, për të dhënë një përgjigje, të cilën e dëgjuan përsëri edhe ata që ishin afër tyre, babai i tha: “Tani na janë rritur fëmijët, me të mirat dhe të këqijat e tyre, të cilët kanë pjesën e vetë edhe në biografinë time. Ndaj këtë dekoratë të lartë nuk mund ta mbaj e ruaj vetëm, duhet ta mbaj e ruaj bashkë me ta, por siç thashë dhe gjatë fjalës sime në sallë, nuk di a do t’ia arrijmë dot…?! Kryeministri i vendit nuk kish folur, por im atë, si për t’i dhënë zë heshtjes së tij, vazhdoi: “Nuk është e lehtë të hedhësh poshtë fëmijën tënd. Ja, pritmë mua tani krahun dhe hidhma në plehra, ç’u fitua?!
Ata që më njohin dhe do të më shohin me një krah, do të pyesin: po Hekuran Pobrati, pse s’e ka krahun tjetër?! Ndërsa të tjerët, ata që nuk më njohin, do të shohin krahun në plehra, përsëri do të pyesin: More, po ky krahu hedhur në mes plehrave, i kujt është?! … Burri i fortë Mehmet Shehu kish ulur kokën dhe bashkë me heshtjen, si të mos ndjente ç’do t’i ndodhte vetë atij ca vite më vonë, pikërisht ashtu sipas nëntekstit që i përcolli fabula e sapodëgjuar, s’ia vuri veshin fjalës së urtë të një bashkëluftëtari të vjetër dhe si ta ngushëllonte atë për sa kishte merak, i ra shpatullave Hekuran Pobratit duke i thënë të kundërtën: “Jo mor jo, nuk do të ndodhë kështu” … Gjatë darkës, Kryeministri e kish sjellë natyrshëm bisedën në suksesin e kapjes gjallë të kapobandës së njohur Hamit Matjani dhe të tjerëve si ai, zbarkuar natën me parashuta në Shqipëri, mbi bazën e zhvillimit nga Shërbimi Sekret Shqiptar të radiolojës së dëgjuar “Liqeni i Vajkalit”, organizuar ndaj zbulimeve anglo-amerikane, thuajse dhjetë vjet mbas Luftës Antifashiste, ku kontributi i Asim Alikos dhe Hekuran Pobratit kishte qenë parësor. Mehmet Shehu ngriti dolli për të dy, por kësaj radhe do të ishte im atë ai, që, teksa e falënderoi, diçka i përmendi për takimin e asaj natë të ftohtë pranvere, pak pas mbërritjes në Bizë të Martaneshit, ku brenda çadrës së maskuar ku qëndronte “grupi Special”, hynë njëri pas tjetrit Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, për t’i përshëndetur e folur nga afër me të dy “personazhet tip të situatave tipike”, të cilët pas ndeshjeve disamujore “tru me tru” të zhvilluara mes zbulimeve anglo-amerikane dhe atij shqiptar, tanimë kishte ardhur ora të përballeshin drejtpërsëdrejti direkt me Hamit Matjanin, “veglën” e majorit “Xhon”. …
Për sa dëgjoi nga im atë, vetëm pak pas dhënies së Yllit të Artë, Mehmet Shehu ishte emocionuar, por Hekuran Pobrati, për t’i larguar merakun komandantit të vet gjatë luftës partizane, s’e kishte zgjatur se e dinte që edhe atij s’i pëlqenin lëvdimet, ndaj kishte sjellë në bisedë një tjetër preokupim të kohës së viteve “Furtunë”: Gjatë radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, Shërbimi Sekret Shqiptar, për të mos u gjendur përballë së papriturës, siç mund të ishte dhe varianti mos ndoshta ishin shërbimet anglo-amerikane ata që po ‘loznin’ me ne dhe jo e kundërta, shqetësim që me të drejtë duhej të sqarohej, brenda legjendës së madhe, pra radiolojës, u organizua një kombinacion në dukje fare i vogël: Gjoja me sebep të “situatës së përshtatshme” për organizimin e kryengritjes së armatosur në Shqipëri, Shërbimi Sekret Shqiptar u kërkoi shërbimeve anglo-amerikane hedhjen me parashutë të disa individëve të “stërvitur mirë” në kampet e tyre dhe të njohur për gjoja autoritet e influencë në mjedise të caktuara të vendit, nga njëra anë për të mbuluar dhe justifikuar me këtë rast kërkesën e bërë për prurjen në atdhe të Hamit Matjanit, duke vendosur krah tij dhe emrat e disa të tjerëve, midis të cilëve edhe atë të Halil Branicës, që më shumë se i nevojshëm, thirrej në funksion të sqarimit të hipotezës së përfolur, pasi nga burime të besuara njihej dhe dihej mirë që ai ishte mëse i sëmurë.
Nga ana tjetër, nëse anglo-amerikanët do ta pranonin këtë dhe do ta lëshonin në ajër Halil Branicën me parashutë për të zbritur në Shqipëri, kaq ishte e mjaftueshme që Shërbimi ynë Sekret të konkludonte se ishim ne që e drejtonim lojën dhe jo e kundërta. Fakti që bashkë me Hamit Matjanin ata hodhën edhe Halil Branicën, të cilin e mbyti tuberkulozi që në ajër dhe sapo mbërriti, pa pyetur për automatikun, ai donte të dinte se ku i kishin rënë ilaçet, vërtetonte më së miri se shërbimet anglo-amerikane, veç të tjerash, nuk e njihnin realitetin tonë të kohës, ndaj dhe radiolojat i drejtoi e realizoi me sukses Shërbimi Sekret Shqiptar…
EPILOG
Në këto vite të pas ’90-ës, mes njohjeve të shumta personale dhe të trashëguara nga prindërit e mi, kam takuar e komunikuar me mjaft njerëz, prej të cilëve kam marrë dashuri dhe respekt të pamat edhe në këtë njëqindvjetor të lindjes së tim eti, por njëri prej tyre do të mbetet e veçantë. Ishte komunikimi me 85-vjeçaren Ruta Ded Kola, nga katundi i vjetër i Mirditës, e njohur ndryshe si “Rudina”, e cila në vitet ’50 hodhi bandën në erë bashkë me kullën, si të ishte motra e Oso Kukës, ku fatkeqësisht humbi jetën edhe vajza e vetme e saj.
Pas kësaj drame, Ruta jetoi kohë duke qëndruar dhe u strehuar në gjysmë ilegalitet brenda familjes Pobrati, kur kjo përballonte jetën në “arrati” të Hekuranit, i cili së bashku me shokët e tij luftonte të paralizonte dhe atë pjesë të bandës që mbeti pa u pastruar në kullën e hedhur në erë nga “Rudina”. Më vonë, trimëresha mirditore u kthye pranë familjes, por siç nuk harroi kurrë dramën e fëmijës së vetëm të vrarë nga banditët, ajo njësoj nuk harroi dashurinë dhe mbështetjen e mamasë sime, Ferasetit, e cila veprën e Rutës e quante si të djersës dhe gjakut të vet. Siç nuk harron dot Hekuran Pobratin, për çka ai bëri në emër të detyrës dhe dashurisë për popullin kundër vrasësve të fëmijës së saj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al