I biri i Ramiz Alise: Babai të kujtohet në histori për tolerancën

Oct 10, 2011 | 9:49
SHPËRNDAJE

Arben Alia, djali i ish-presidentit, dje gjate ceremonise mortore

Arben Alia: Nuk jam historian, por përpjekja e tij e vazhdueshme ishte që gjërat të mos shikohen bardhë e zi

Arben Alia, djali i ish-liderit të fundit komunist dhe i presidentit të parë pluralist, ka thyer heshtjen familjare në ditën e tretë të zisë. Si fëmija i vetëm djalë dhe vëllai i dy motrave, Zana dhe Besa, Arbeni ka qenë i zgjedhuri i familjes për të folur diçka për babanë e tyre pas vdekjes.  Një letër e shkurtër me shkrim dore, e cila vjen ekskluzivisht për gazetën “Panorama”. Janë disa fjali të thjeshta në renditje, ku shprehet dhimbja e madhe familjare, ndërsa nuk janë përzier në rolin e babait të tyre në historinë e Shqipërisë. Ndërkaq, për tri ditë me radhë, fëmijët e ish-presidentit janë përpjekur që ta mbajnë sa më larg vëmendjes mediatike fatkeqësinë familjare, duke kërkuar mirëkuptim. Për më tepër, dy prej tyre, Arbeni dhe Besa, janë kthyer nga udhëtime të lodhshme dhe mezi e kanë mbledhur veten nga lajmi i zi; përkatësisht ai nga Franca ku jeton e punon, ndërsa ajo nga Argjentina për shkak të një shërbimi, edhe pse vendqëndrimi i saj është Suedia. Jo më pak e lehtë ka qenë për Zanën, vajzën e Alisë që jeton në Tiranës, së cilës i është dashur të përballet ditën e parë me të gjitha përgjegjësitë familjare, deri në mbërritjen e Arbenit dhe Besës.
Mesazhi
Respekt e falënderime për të gjithë! Në fillim të mesazhit të tij, Arben Alia, djali i vetëm ish-presidentit që ndërroi jetë ditën e premte, përshëndet ata që morën pjesë në ceremoninë mortore, duke e vlerësuar të paçmuar mbështetjen e tyre në këtë ditë të vështirë për familjen Alia. Duke e konsideruar

Femijet e ish Presidentit Ramiz Alia , djali Arben dhe vajzat, Besa e Zana

veten me fat që është rritur nga një baba që i ka ngulitur aq shumë vlera njerëzore e morale, Arbeni thekson se është pikërisht edukimi i të atit që e ka bëtë atë të jetë “njeriu që jam sot”. “Mënyra e tij e veçantë e kthimit të raporteve nga ato mes babait dhe birit në ato të dy shokëve, me kalimin e viteve do të dëshiroja t’i kisha po aq të suksesshme me fëmijët e mi”, thekson djali i vetëm i familjes Alia. Ndërkaq, ashtu si edhe pjestarët e tjerë të familjes Alia, Arbeni heziton prerazi të shprehet për profilin politik të të atit. Sidoqoftë, në asnjë rast nuk i shmanget përgjigjes për dimensionin njerëzor e qytetar të tij, së paku për aq sa perceptohet nga familjarët dhe miqtë e tyre. “Unë nuk jam historian dhe nuk pretendoj të jem shkrues i saj”, thotë Arben Alia, “por në rast se do të dëshiroja një gjë për të cilën Ramiz Alia do të kujtohet, me siguri do të përmendja tolerancën dhe respektin ndaj njerëzve dhe ideve, një përpjekje e vazhdueshme e tij që gjërat të mos shikohen bardhë e zi, por që gjithkush të mundohej të kuptonte e respektonte tjetrin. Dikush ka thënë se jeta e një njeriu është aq e gjatë, sa zgjasin kujtimet që njerëzit ruajnë për të. Kjo përputhet shumë mirë me historinë e jetës së babait: Ai do të rrojë aq gjatë sa do vazhdojnë kujtimet për të dhe vlerat njerëzore që ai u përpoq të transmetojë”.

Dorëshkrimet
Ramiz Alia ka lënë disa dorëshkrime personale, por që nuk do të botohen. Guro Zeneli, ish-sekretari në Presidencën e Ramiz Alisë, thotë se janë disa shënime që ai ka pasur dëshirë që t’ua linte fëmijëve, vetëm për t’i parë, pra rrethit familjar, dhe se nuk i kishte për botim. “Se çfarë janë, unë nuk di ta them, sepse vetëm kaq kemi biseduar”, shprehet ai.

Pëllumb Xhufi: Alia nuk ishte njeriu i gjesteve të forta

Pëllumb Xhufi gjatë fjalimit të lamtumirës

Ashtu siç ishte parashikuar, Pëllumb Xhufi mbajti fjalimin e rastit në varrezat e Sharrës për të ndjerin Ramiz Alia. I zgjedhur nga familja, ai ka bërë një rezyme të Alisë si ish-luftëtar, ish-drejtues komunist dhe si ish-president i parë i pluralizmit shqiptar. “Vlerat intelektuale, morale e njerëzore e sollën Ramiz Alinë, fare të ri, në krye të rinisë komuniste e të formacioneve partizane. Si Komisar i Divizionit V, drejtoi operacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare jashtë kufijve të atdheut”, tha Xhufi. Sipas tij, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Alisë, u zhvilluan shkëmbimet e para me Kosovën, në fushën e shkencës, kulturës e sporteve, duke sjellë më afër dy pjesët e ndara të kombit. Më pas, Xhufi tregoi për arritjet e Alisë kur ishte në krye të sektorit të propagandës, të artit e të kulturës. “Nëse Tirana pati edhe ajo, për disa vite “pranverën” e saj, njëlloj si “pranvera e Pragës”, kjo është padyshim edhe meritë e pamohueshme e Ramiz Alisë”, theksoi ai. Duke vijuar për rolin e Alisë në ndërrimin e sistemeve në vitin 1990, Xhufi u shpreh se “mund të kishte vënë në lëvizje mekanizmin represiv të shtetit, siç dhe ia kërkuan, por nuk e bëri. Përfaqësues i një sistemi të mbyllur monist, i kuptoi aspiratat e të rinjve për një Shqipëri të hapur europiane, i toleroi dhe më në fund i lejoi ato, duke u bërë edhe presidenti i parë i pluralizmit shqiptar. E ruajti dinjitetin e vet e të shtetit që drejtonte edhe në momentet më të vështira: refuzoi me krenari e ashpërsi kërkesat shovene të një kryeministri fqinj, që në janar 1991 gjeti momentin më të vështirë të presidentit Alia për të shkëputur

Ilir e Teuta Hoxha, gjatë homazheve

prej tij koncesione poshtëruese. Nuk ishte, dhe nuk mund të ishte ai, por të tjerë presidentë e kryeministra shqiptarë, ata që patën faqen e zezë të nxjerrin në ankand interesat e vendit. Ramiza Alia nuk ishte njeriu i gjesteve të forta e i toneve të ashpra, siç ishin shumica e drejtuesve komunistë. Ishte i qetë, i sjellshëm, modest, intelektual. I tillë ishte vetë, të tillë e kishte edhe shoqen e tij të jetës, Semiramis, bijë e gjuhëtarit të madh Aleksandër Xhuvani, së cilës Ramizi i qëndroi besnik edhe pas vdekjes së parakohshme në 1985”, u shpreh historiani. Një vëmendje të fundit, por jo nga rëndësia, Xhufi dha edhe për fëmijët e Alisë. “Të tillë, të thjeshtë, të sjellshëm, modestë janë edhe fëmijët e tij, aq shumë të ndryshëm nga modeli negativ i “fëmijëve të Bllokut” që jemi mësuar të dëgjojmë. Këtyre, në radhë të parë, u shkojnë sot ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e babait të tyre të dashur. I qoftë e lehtë toka dhe i paharruar emri”, theksoi ai.

Sheikët
Kanë rënë në sy jo vetëm për veshjen tipike të besimit mysliman, por edhe për faktin se nuk janë larguar asnjë moment nga homazhet, si dhe e kanë përcjellë Alinë drejt Sharrës. Bëhet fjalë për dy sheikë, biznesmenë të fuqishëm të makinave dhe naftës, që sipas informacioneve pranë familjes, kanë ardhur apostafat me çarter nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjithashtu, mësohet se ata dhe Alia janë miq të vjetër dhe vjet kanë kaluar një muaj pushime bashkë në Dubai, ku i ndjeri ka bërë njëkohësisht edhe disa vizita mjekësore.

Shpenzimet: Ish-presidenti, kostoja e funeralit 250 mijë lekë
Duhet të jetë ish-presidenti që i ka “kushtuar” më pak një shteti pas vdekjes. Varrosja e tij ka pasur koston zero në arkën e qeverisë. Zyrtarisht, për ish-udhëheqësin e fundit të regjimit komunist dhe ish-presidentin e parë pluralist pas viteve ‘90, Ramiz Alia, u rezervua një ceremoni shtetërore, por gjithçka lidhur me shpenzimet e varrimit është vënë në llogarinë e familjes. Siç është shuma prej 250 mijë lekësh vetëm për funeralin e djeshëm, pa llogaritur drekën apo përgatitjet e tjera familjare, sipas traditës. Megjithatë, për familjarët kjo është konsideruar si diçka e parëndësishme përpara humbjes së të dashurit të tyre dhe kanë refuzuar çdo dëshirë tjetër nga ana e shumë miqve të tjerë për të kontribuuar për shpenzimet e varrimit. Nga miq pranë familjes, mësohet se një dëshirë të tillë ka shfaqur edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë vizitës ngushëlluese që patën dy net më parë në familjen Alia, por që janë përcjellë me një falënderim dhe mirënjohje nga ana e tyre, pa pranuar ndihmë financiare.

AFRIM IMAJ/ ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura