I dënoi djalin, kanos prokurorin: Ju doni vrarë, mbroni kriminelët

Feb 10, 2017 | 8:28
SHPËRNDAJE

Kërcënon në sallën e gjyqit prokurorin e Krujës, arrestohet. Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, prokurori Bujar Memia ka paraqitur konkluzionet për shtetasin Muhamet Çangu, 24 vjeç, duke kërkuar masën e dënimit me 8 vjet burg.

fushe-kruje-policia

Por pretenca e dhënë ka shkaktuar reagim deri në kërcënime ndaj prokurorit, nga ana e babait të të akuzuarit, shtetasi Nazmi Çangu, 56 vjeç.

Ai ka pretenduar se masa e dënimit e kërkuar nga prokuroria ishte shumë e lartë, duke pasur parasysh se djali akuzohej për 9 kg kanabis.

“Ti s’ke Zot. Si s’të vjen turp që kërkon maksimalen për djalin tim dhe, nga ana tjetër, për kriminelët kërkoni minimalen. Ju doni vrarë, jeni plehra!”. Kështu është shprehur me tone të larta e kërcënuese 56-vjeçari në sallën e gjyqit, raporton “Panorama”.

“Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, prokurori ka paraqitur konkluzionet për djalin e shtetasit N.Ç., i akuzuar për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, dhe u kërkua dënimi me 8 vjet burgim.

Në përfundim të seancës gjyqësore, shtetasi N.Ç. ka kërcënuar me jetë prokurorin, për shkak se ky i fundit kërkoi dënimin e të birit në bazë të provave”, bëri të ditur Prokuroria pas ngjarjes së ndodhur. Mësohet se menjëherë pas reagimit dhe kërcënimeve ndaj prokurorit, kanë ndërhyrë forcat e sigurisë dhe policia, duke evituar përplasjen fizike.

Sipas Policisë, “Nazmi Çangu, rreth orës 10:30, të një dite më parë, në ambientet e Gjykatës së Krujës, ka kanosur me fjalë 41-vjeçarin me inicialet B. M., banues në Tiranë, me profesion prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë.

Policia ka vënë në pranga autorin e ngjarjes, Nazmi Çangu, 56 vjeç, banues në Verjon, Krujë”. Dosja në ngarkim të shtetasit Nazmi Çangu i ka kaluar Prokurorisë së Krujës për veprime të mëtejshme për veprat penale “kanosja e gjyqtarit” dhe “prodhim dhe shitje e narkotikëve””.

Pas arrestimit, policia ka kryer edhe një kontroll në banesën e Nazmi Çangut, ku iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 76 kg lëndë narkotike e llojit kanabis. Ngjarja për të cilën akuzohej djali i Nazmi Çangut, shtetasi Muhamet Çangu, ka ndodhur më 17 maj të 2016- s.

Policia ka zhvilluar një operacion antidrogë, duke vënë në pranga fillimisht dy persona dhe shpallur në kërkim Muhamet Çangun. Ky i fundit, sipas të dhënave, është arrestuar disa ditë më pas.

“Në kuadër të operacionit të koduar ‘Muzgu’, ditën e djeshme u arrestuan Arben Muça, 35 vjeç, banues në Vorë dhe Amarildo Seferi, 22 vjeç, banues Nikël të Krujës, pasi po në këtë fshat, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Benz’, me targa AA 945 MI, me drejtues Amarildo Seferin, u gjetën rreth 9 kg kanabis sativa.

Sasia e lëndës narkotike me mjetin tip ‘Benz’ u sekuestrua dhe po ashtu edhe një mjet tjetër tip ’Golf’, me targa AA 214 GP, dhe tre aparate telefoni celularë. Ndërkohë është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit M.Ç. 24 vjeç, banues në Nikël, Krujë”, thuhej në komunikatën e vitit të kaluar.

LEONIDHA MUSAJ/PANORAMA

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura