“I kënaqur me investimet që po i lë shoqërisë”, Demi: Presim lirimin e magazinave, do bëjmë Partizani ndërkombëtar

Jul 4, 2024 | 8:46
SHPËRNDAJE

Presidenti i Partizanit ka dhënë ditën e djeshme një intervistë për “Nacionale”. I intervistuar nga gazetari Berat Buzhala, presidenti i kuq prek çështje që lidhen me Partizanin, por edhe jetën private. Interesant është fakti se Buzhala figuron anëtar i Këshillit të Administrimit të Partizani Sh.A dhe ka mandat deri vitin e ardhshëm.

demi

PUNA – “Unë po merrem me Partizanin, siç e dini. Na ka ngecur. Presim që miku yt, Edi Rama, të na i lirojë ato magazinat. Shpresojmë që të bëjmë një Partizan ndërkombëtar. Gjithashtu, po merrem me punët e mia të përgjithshme, me disa ndërtime e gjëra të tilla. Këta miqtë e tu kanë bërë rrugë të mira, po bëjnë punë të mira, vetëm Partizanin nuk po e mbarojnë. Të tjerat i kanë bërë pozitive. Tiranën e keni parë sesi është bërë.”

PREJARDHJA – “Unë jam lindur në Tiranë. Familja ime ka ardhur në Tiranë në vitin 1945. Gjyshi im ka qenë nga ata burrat që mezi ka ikur. Thoshte që më mirë të vritemi disa dhe të mos i lëmë tokat. Si përfundim ndenjën nja 6 muaj në Delvinë, më pas u vendosën në Tiranë. Jam me origjinë çame, nga nëna jam me origjinë labe. E kam për krenari që jam çam”.

OLIGARK? – “Unë jam biznesmen i viteve 90-të, as i madh dhe as i vogël. Ruaj atë startin tim konstant. Fytyrën dua ta lë të pastër si baba i tri vajzave që jam. Jam i kënaqur me çfarë kam bërë për veten, por edhe për komunitetin, sepse jam pionier i turizmit në Shqipëri. Hotelin e parë me pesë yje (Butrintin) e kam pasur unë. Spital me pesë yje kam bërë. Po bëj edhe këtë të futbollit, për të cilën nuk e di se çfarë do të thonë kur të përfundojë së bashku me akademinë. Kam bërë për vete, por kam lënë edhe disa gjëra për shoqërinë”, tha mes të tjerash Demi.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura