“Panorama.al” mëson se Oslon Çutaj, 35 vjeç, i cili u arrestua nga policia e Shkodrës për kultivim droge është vëllai i Vildon Çutajt, që u vra në tetor të vitit të kaluar, bashkë me Klement Pepajn.
Dy personat, Vildon Çutaj dhe Klement Pepaj u vranë nga Danjel Pepaj, i cili vazhdon të jetë në kërkim.
Dhjetë muaj më vonë, policia arrestoi vëllain e Vildonit, i cili kishte mbjellë drogë në zonën përreth banesës së tij. Bashkë me të, në pranga u vu edhe kryeplaku i fshatit Bajzë, Tonin Curaj që akuzohet për shpërdorim detyre.
VRASJA E VILDON ÇUTAJT DHE KLEMENT PEPAJ
Dy të rinjtë fillimisht u denoncuan të zhdukur nga të afërmit e tyre. Pas kërkimeve të kryera, janë gjetur edhe trupat e pajetë të Pepaj dhe Çutaj. Autori i dyshuar për vrasjen e tyre dyshohet se është shtetasi Danjel Pepaj.
Ky i fundit dyshohet t’i ketë qëlluar me armë pas një konflikti të dhunshëm që patën në fshatin Bajzë të Shkodrës, ndërsa kryefjala e këtij sherri ishte vjedhja e një sasie kanabisi.
Për të sqaruar këtë fakt, Danjel Pepaj, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, shkuan të sqaroheshin tek parcelat e kanabisit që kishin mbjellë në mal. Por, sqarimi mes tyre, përfundoi në tragjedi.
Danjel Pepaj u hakmor ndaj Çutaj dhe Pepaj, pasi këta të fundit e kishin dhunuar më parë në fshatin Bajzë. Trupat e pajetë të Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj u gjetën 300 metra larg parcelës me kanabis të mbjellë nga Danjel Pepaj, ndërsa u transportuan në fshatin Vrith nga punonjësit e Policisë disa orë pasi u gjetën.
DEBATI PËR DROGËN DHE DËSHMIA E VILSON ÇUTAJT NË TETOR
Te lokali në Bajzë shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet të kenë dhunuar fizikisht personin tjetër, Danjel Pepaj, duke e akuzuar se i kishte vjedhur një sasi prej 20 kilogramë kanabis sativa, nën dyshimin se e ka korrur pa u treguar atyre dyve.
Në dëshminë e tij, vëllai i Vilson Çutaj ka deklaruar për policinë se ai nuk ka dëgjuar se për çfarë konflikti bëhej fjalë, pasi tre shtetasit e kanë zhvilluar debatin në pjesën mbrapa lokalit.
“Kur kam dëgjuar se po bërtisnin jam ngritur nga lokali dhe kam shkuar për t’i ndarë, por nuk e di për çfarë konflikti bëhet fjalë”, ka deklaruar në atë kohë vëllai i Vilson Çutaj, sot i arrestuar nga policia.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al