I zhdukur prej 10 ditësh, mister fati i 26-vjeçarit! I riu nga Kukësi doli për të mbledhur boronica, por nuk u kthye më

Sep 14, 2022 | 12:09
SHPËRNDAJE

Më shumë se 10 ditë nga humbja pa gjurmë e një 26- vjeçari nga fshati Borje i Kukësit, ende nuk dihet asgjë për të. Meledin Adili doli për të mbledhë boronica si çdo ditë, por pasditen e 3 shtatorit nuk u kthye në banesë si zakonisht. Grupe të kërkim shpëtimit nga Kosova dhe banorë të fshatit Borje në Kukës, janë duke kryer çdo ditë kërkime në bjeshkët e malit të Sharrit, ku mendohet se ka humbur i riu.

meledin adili

Atë ditë, Adili doli bashkë me të rinj të tjerë të fshatit, por u nda prej tyre dhe nuk u kthye më. Familjarët e tij nisën kërkimet duke bërë denoncim në polici, por deri më sot çdo tentativë për gjetjen e të riut nuk ka pasur sukses. Nga Kosova, grupet e kërkimit të angazhuar vullnetarisht, shprehen se për gjetjen e Meledin Adilit, kërkohet ndihmë e specializuar me forca të Ushtrisë dhe Policisë. Ndërkohë, bashkëfshatarë të të riut tregojnë detaje nga zhdukja e tij, ndërsa denoncojnë neglizhencën e shtetit në gjetjen e 26-vjeçarit.

“I GJALLË OSE I VDEKUR”

Të afërm të të riut bëjnë apel që të vazhdojnë kërkimet dhe për të gjetur 26-vjeçarin të gjallë ose të vdekur. “Policia ka qenë. Edhe ajo e Kosovës dhe Shqipërisë, Forcat e Ushtrisë së Kosovës, Vullnetarë, Alpinistë, Ekipi i Skive të Kosovës ka qenë. Edhe Policia jonë ka qenë me qen kufiri e dron. Asnjë shenjë e asnjë gjurmë. I gjitha fshati që ditën e parë kemi kërkuar deri në orën 2:30 të natës.

Asnjë shenjë as një sinjal. Është komunikuar me zonën e Maqedonisë së Veriut. Me stanet, postat e Policisë dhe asnjë shenjë. Është kontrolluar edhe zona e Restelicës te ‘Guri I Zi’, por jo me volum të madh. Është kontrolluar në krahun e Tetovës e zonave të tjera malore të Maqedonisë së Veriut. Në bjeshkë ka pasur humbje të personave dhe maksimumi për tri ditë janë gjetur. O gjendet njeriu, o gjendet kufoma. Por si rasti ynë nuk ka bërë vaki. Mos gjetja e asnjë shenje na mban me shpresë që të jetë gjallë.

Ka pasur shumë gjera me vete, bidonin, plastmasën dhe krehrin për mbledhjen e boronicave. Si do që të ishte diçka do të kishte ngelur. Ka pasur raste kur kanë humbur 10 euro dhe janë gjetur mbas 4 ditësh, kur është bërë kërkimi. Është gjetur 10 euro dhe nuk është gjetur njeriu. Ne nuk kemi asnjë shpjegim. Varianti ynë për jetesë është bjeshka. Ne s’kemi punë tjetër. Fshati është pa punë. Edhe një bereqet që e bëjmë nuk ka lekë. Nëse ka shtet të verifikohet telefoni.

Ai ka telefonin me vete. Nëse ka një sistem që mund të gjendet me GPS ose policia të planifikojë diçka. Ka pasur telefonata. Nga vijnë këto telefonata, si vijnë. Ndoshta Policia vepron. Pistat e saj ne nuk i dimë. Ne dimë pistën tonë, e cila është të kërkojmë bjeshkët. Thirrja jonë është që shteti të vë pak dorë. Punën e argatit e vullnetare e bëjmë ne”, thotë Fetah Dalaci, i afërm i familjes Adili.

APELI 

Në kërkimet për gjetjen e të riut është përfshirë edhe Policia e Rajonit të Prizrenit, e cila u ka bërë apel qytetarëve të zonat malore për ndihmë. Për herë të fundit, i riu është parë në vendin e quajtur Zhilibeg, në afërsi të fshatit Brod të Komunës së Dragashit. “Personi i raportuar si zhdukur deri më sot nuk është gjetur, andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse e shohin personin e njëjtë apo di diçka për vendndodhjen e tij të raportojnë Policinë Rajonale në Prizren apo në cilin do stacion të Policisë në Kosovë apo Shqipëri”, thuhet në njoftim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura