IKSHPK për helmimin në Deçan: Ka indikacione për kontaminim të ujit të pijshëm

Jul 15, 2021 | 16:35
SHPËRNDAJE

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar lidhur me gjendjen në Komunën e Deçanit, pas rasteve të shumta të helmimit të mbi 1 mijë e 500 qytetarëve me ujë të pijshëm.

uji i pijshem

IKSHPK thotë se pas analizave të kryera janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Në mostrat e ujit të marra me datën 12.07.2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes  teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar

Ekipet e IKShPK nga të gjitha rajonet e Kosovës vazhdojnë punën në terren duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik. Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar, nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të rezultojë me rekomandime të reja”.

IKSHPK, krahas raportimit për masat e ndërmarra në terren, ka dhënë edhe 10 rekomandime për qytetarët e Komës së Deçanit, lidhur me përdorimin e ujit.

  1. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitar dhe shëndetësore për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësinë e të dhënave për pacientët;
  2. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitarë dhe mjedisorë në identifikimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit;
  3. Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale, deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës se Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale;
  4. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje te ushqimit;
  5. Pas rikthimit të ujit në rrjet rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri;
  6. Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin dhe të shtojë inspektimin e resurseve ujore, kontrollin e kaptazhave dhe pusetave të ujit dhe në secilin rast individual të intervenohet menjëherë sipas nevojës;
  7. Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe për parandalimin e epidemive hidrike;
  8. Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojn nyjet e kanalizimeve, të gjejnë pikat e dobëta në rrjet, ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike;
  9. Të ndalohet rreptësisht kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit;
  10. Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë në Deçan, nga dita e shtunë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë kërkuar ndihmë rreth 2,000 persona, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.

Një ditë më herët, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se disa mostra të pacientëve të helmuar në Deçan do të testohen jashtë Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura