Imami serb i Prizrenit

Apr 7, 2015 | 14:15
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Pa turp, pa droje, me pafytyrësinë me të cilën të mbështjell gënjeshtra, murrëtyeshëm për të qenë bindës në misionin e tij, njëri prej imamëve të Prizrenit në predikimin e para disa ditëve u bëri një shërbim të madh nacionalistëve serbë. Ai tha që kosovarët duhet t’u jenë mirënjohës otomanëve që i sollën në Kosovë, sepse përpara vitit 1400 në ato troje nuk kishte këmbë shqiptari. A nuk është kjo dogma mbi të cilën është realizuar gjithë gjenocidi dhe racizmi ndaj shqiptarëve në Ballkan!?
Pra, shqiptarët, sipas hoxhë Irfanit, janë ardhacakë, ndaj serbët paskëshin të drejtë kur thonë se na kanë zaptuar mall e gjë dhe, o burra, hajt t’i dëbojmë, me të gjitha mënyrat, me terror, luftë, përdhunime, propagandë e joshje. Serbët pretendojnë: këtu (në Kosovë) kemi manastiret, vetë Graçanicën, eshtrat e Stefan Dushanit, amzën serbe të dhunuar nga shqiptarët dhe imami, tek flet nga vend i shenjtë, u jep të drejtë me pohime të tilla.
Pak gjë më tepër se ai ka thënë Vladan Gjeorgjeviçi në librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. Rreth këso tezash janë vërtitur e vërtiten patrikët e Pejës, ideologu akademik Vasa Cubrilloviçi deri tek Arkani, Millosheviçi e Shesheli. Si ata, Irfan Salihi pak a shumë tha: “ne me osmanlinë kemi qenë një e të pandarë në histori”, domethënë shpata dhe hanxhari otoman kundër popujve të Ballkanit.
Hoxha në fjalë fyeu e kërcënoi të gjithë intelektualët shqiptarë. Kuaj i quajti, sepse ata guxuakan që pushtimin otoman ta quajnë thjesht pushtim si më fatkeqin e historisë sonë. Sipas klerikut, duhet t’u jemi mirënjohës e të devotshëm se pikërisht ata, “osmanlia” – po të përdorim termin e zotërisë, na paskan marrë si bagazh dhe vendosur në tokat pjellore të Kosovës. Para se ata të mbërrinin si “bekim” me duhmën e tyre, i bie që gjithçka atje ishte serbe.
Kjo është një vezë e artë për zërat historikë dhe aktualë, sipas të cilëve Kosova shtet i pavarur është thjesht një tmerr. Për shumë serbë, ky lloj imami është shqiptari ideal, siç ka qenë, siç është dhe siç duhet të jetë.
Imami “ynë” me një gur nuk vret dy zogj, por u jep udhë dy të këqijave.
Nostalgjia për otomanizmin e çon të përkundë djepin e Serbisë.
Me bujari ai derdh sherbet mbi gurmazin e tharë të të gjithë nostalgjikëve të “Babës”, çetave kërcënuese që duan t’i kundërvihen Bashkimit Europian, duke ndjellë neootomanizmin si kundërpeshë dhe strehë.
Kosova “djep i Serbisë” Kosova “vilajet otoman”, por Kosova shqiptare nuk i rri mirë këtij “njeriu të Zotit”.
Mbi këto koncepte janë bërë marrëveshjet e shpërnguljes së mbi 350 mijë shqiptarëve në drejtim të Turqisë si në kohë të krajlit, ashtu edhe të Titos. Renegatët ishin aleatët e atdhemohimit.
Cubrilloviçi në platformën e tij përcaktonte si aleatë në këtë sipërmarrje një pjesë të klerikëve dhe hoxhallarëve, që u rekrutuan nga shërbimet jugosllave. Fatkeqësisht pat nga ata që bënë “më së miri” punën e ngarkuar, por pat edhe klerikë patriotë që u sakrifikuan. Gjëma e këtij akti ka mbuluar me harresë përpjekjen e tyre fisnike.
Të paguar a të kalbur në shpirt, kjo mbetet për t’u sqaruar, por nën autoritetin e petkut të shenjtë u thanë bashkëkombësve: atdheu juaj është Turqia, ndaj të shkojmë atje, Kosova është tokë “haram”.
Ata u prinë karvanëve të ikanakëve.
Tani, në bashkëkohësi, disa klerikë të këtij soji, që shqipen e flasin me aksent arab, pasi na kanë instruktuar si të sillemi me qentë dhe macet, si duhet të dallojmë shenjat e djallit, si t’i trajtojmë kushërirat për t’u martuar me to, si të bëjmë seks, si t’u shmangemi të pafeve etj., po zaptojnë edhe gjykimin mbi historinë. Duan ta ribëjnë atë. Sipas variantit të tyre, historia shqiptarët nuk i sheh më si shqiptarë, por si besimtarë e Zoti na ruajttë nga mistika e tepërt!…
Ngjall habi të madhe kjo metamorfozë. Por koha po e tejkalon habinë në pritje të zemërimit etik që nuk mbërrin. Kleri kosovar deri para pavarësisë shquhej për patriotizmin dhe frymën tolerante që e karakterizonte, duke u shndërruar në një vatër të ndezur të lirisë kombëtare, fakt për të cilin pat fituar shumë admirim. Pas pritjes së madhe dhe fitores po të tillë, papritmas disa syresh kërkuan tjetër horizont. U egërsuan, u bënë radikalë, aq sa për ta miqtë që u dhanë lirinë, po shihen si armiq.
Në vitet ‘70, ’80, ’90 zëri më i spikatur i Kosovës ishin intelektualët e “Rilindjes”, ata të Universitetit të Prishtinës, të Institutit Albanologjik, Akademisë së Shkencave, studentët me protestat e tyre si shenjë emancipimi për krejt Ballkanin e sidomos elitat, të cilat ndriçonin gjithë kombin. Ato krijuan modele të admirueshme për sivëllezërit e tyre në Shqipërinë staliniste, ndërsa sot zëri i hoxhallarëve ekstremistë i mbyt ata, u tund gishtin në fytyrë, i quan intelekt-KUAJ dhe ata heshtin.
Ndaj, të rinj të indoktrinuar e të ushqyer me këso ideologjish përçudnojnë monumentet e Skënderbeut, se ai në gjykimin e tyre “me të drejtë” është “kaur” dhe ka luftuar kundër otomanëve, “bamirësve” tanë.
Të tjerë humanisten e madhe, Nënë Terezën, e thërrasin “putana e Savës” apo Rugovën “shërbëtor i Vatikanit”.
Por ky lloj imami, ky personazh me akses të caktuar publik, i cili urren historinë kombëtare dhe heronjtë e saj, shfaqet si markë e re kleriku “made in Kosovo”, që me çdo kusht e do këtë vend larg Europës dhe sa më pranë Lindjes së Mesme religjioze. Aksesi publik është dëmi publik dhe diplomatik që ata shkaktojnë, se një deklaratë si ajo e imamit të Prizrenit nuk bën asgjë tjetër, veçse justifikon krimet dhe propagandën antishqiptare.
 Dihet se ajo na ka trajtuar dhe paraqitur si mbetje otomane në Ballkan, duke abuzuar me ngjyrat tona fetare “si stërnipa të tyre” dhe dy shtetet tona, si Turqia e vogël dhe e vjetër otomane e Gadishullit. Paradoksi është se shumica absolute nuk ndihet e tillë, ndërkohë që hesht përballë zërave që na duan kështu.
Në këtë kontekst, imami në fjalë emocionalisht mund të konsiderohet si një punonjës i administratës së UDB-së në Prizren, ndaj bashkësia islamike e Kosovës s’ka përse i paguan rrogë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura