“Inatin e ke me të tutë”- Replika mes Mediut dhe Gjiknurit në Kuvend, deputeti i PS: E pamundur të negociojmë me një trupë të unifikuar! Kreu i PR: Mbyllja e listave është 80-90%

Jul 26, 2024 | 13:43
SHPËRNDAJE

Teksa në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion diskutohen ndryshimet për Kodin e Ri Zgjedhor, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur në fjalën e tij se opozita ka propozuar koalicione të përbëra, ndërsa theksoi se mbyllja e listave nuk është 25%, por 80-90%.  

Në fjalën e tij, Mediu kritikoi kolegët e opozitës, për të cilët tha se ata si parti e djathtë bazohen në forcën dhe lirinë e individit dhe jo në turmën dhe subjektivizmin.

“Për më keq, ne kolegë të opozitës e quajmë veten të djathë ne, e djathta e bazohet në forcën dhe lirinë e individit dhe jo në turmën dhe subjektivizmin. E djathta e fiton besimin nëpërmjet votës së qytetarëve. Kush jemi ne rraca e preferuar, e ata të rinj të reja që duhet të futën t’i themi prisni se jemi në të vjetrit, ne që duhet të jemi gjithë kohës”, tha Mediu.

Pas fjalës së Mediut ka reaguar dhe deputeti i PS, Damian Gjiknuri, i cili ironizoi duke thënë se “Fatmir më shumë inatin e ke me të tutë”, ndërsa shtoi më tej se Reforma Zgjedhore duhet të ishte gjithëpërfshirëse, por ishte e pamundur të negociohej me një trupë të unifikuar të opozitës.

Pjesë nga diskutimi

Mediu: A nuk është taktikë elektorale, qëllim përftimi në tryeze heqja e mundësisë së koalicioneve të opozitës, duke minuar atë që ju e keni pasur si të drejtë në 2013 kur ishit në opozitë. Çfarë standardi zgjedhor është ky që hiqni një të drejtë që ju e keni pasur, duke i hequr mundësin opozitës të bashkohet kundër qeverisë që nuk e duam.

Nëse i referohemi zgjedhjeve të 2021, nëse nuk do të ishin prishur koalicionet, sot ju do të ishit në opozitë dhe ne do të kishim marrë një mazhorancë tjetër me esape të pastra. Esapet u bënë në tryezë, dhe jo vetëm për qëllimin tuaj të ligë, por edhe për idiotësinë dhe miopinë opozitare e cila duhet të marrë fund. Idiotësinë për të lënë parlamentin që ju të bëni si të doni me Kushtetutën si një vend i botës së tretë. Idiotësinë për të mos hyrë në zgjedhjet lokale duke shkatërruar bazën politike të opozitës, këto bën që erdhëm në këto përfundime. Ndaj ka nevojë për Reformë Zgjedhore dhe jo për marrëveshje të vogla, të cilat e kthejnë Kuvendin në një institucion ku gjendet vendi i punës, dhe jo që deputeti të përfaqësoj qytetarët

Ne kemi propozuar koalicione të përbëra, kemi propozuar që 1/3 të jetë fakultative, opsionale, e hapur, siç e thotë kushtetuta. Kushtetuta thotë që jo më pas se 2/3 ose jo më shumë se 1/3, dhe kjo është e papranueshme dhe në emër të justifikimit të unifikimit. Nuk jemi të unifikuar që ecim në drejtimin e liderishipit të PS. Secila parti ka mënyrën e vet të organizmit dhe kandidimit, këtë ka thënë Kushtetuta.

Për më keq, ne kolegë të opozitës e quajmë veten të djathë ne, e djathta e bazohet në forcën dhe lirinë e individit dhe jo në turmën dhe subjektivizmin. E djathta e fiton besimin nëpërmjet votës së qytetarëve. Kush jemi ne rraca e preferuar, e ata të rinj të reja që duhet të futën t’i themi prisni se jemi në të vjetrit, ne që duhet të jemi gjithë kohës. Si mund të gjeneroj mundësi të reja opozita nëse nuk lejon garën, e të shkoj përpara për një kualitet tjetër politik nëse nuk përfshin njerëz të shquar që mund të japin një frymë tjetër. Prandaj, nuk është 25%  mbyllja e listave është 80-90%.

Gjiknuri: Dakordësia është gjetur edhe me propozimin e ekspertëve të opozitës. Unë e kuptova Fatmir që ti në fjalën tënde më shumë inatin e ke me të tutë, pikërisht këtë vështirësi kam pasur unë në Reformë Zgjedhore se me kë të flisja, se vinte njëri nuk merrte pjesë tjetri, tjetri thoshte çohu nga karrigia se jam unë.

Reforma Zgjedhore duhet të ishte gjithëpërfshirëse por e patëm të pamundur të negociojmë me një trupë të unifikuar të opozitës. Formula është kushtetuese. Ka interesa politik tek sistemi zgjedhor, secili ka interesin e vet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura