Qendra e fshatit Pëllumbas dhe rruga hyrëse janë transformuar tërësisht duke e shndërruar këtë zonë në një nga pikat më të bukura të eko-turizmit shqiptar që do të tërheqë mjaft turistë vendas dhe të huaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i shoqëruar dhe nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, drejtuesja e USAID për Shqipëri, Catherine Johnson si dhe ambasadorja e Vendeve të Ulëta në Tiranë, Dewi Van de Weerd, mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të një nga ndërhyrjeve më të rëndësishme në kompleksin turistik Pëllumbas që i hap rrugën dhe një faze të re të turizmit të aventurës në Tiranë.
Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se investime të tilla janë një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e këtyre zonave. “Kemi nevojë për njerëz që kur shohin një problem, shohin gjithashtu një mundësi. Pavarësisht se këtu përpara disa muajsh ishte një zonë, e cila vetëm me llaf goje rrifej nga turistët, dikush pa një mundësi. Ndaj, dua të falënderoj gjithë organizatorët për punën fantastike që kanë bërë, duke na ftuar edhe ne të tjerëve që të jemi pjesë e këtij kontributi”, tha Veliaj, teksa shtoi se Bashkia ka ndërmarrë një sërë investimesh të rëndësishme. “Kjo është e disata herë në fakt që ne kthehemi në këtë zonë. Brenda kësaj jave ishim në Mushqeta, përpara pak ditësh ishim në Krrabë për rrugën e Krrabës. Tirana rritet çdo ditë, sot kur të shkoj ora 5 do të jenë regjistruar edhe 60-70 veta në Tiranë. Do të thotë që qyteti e ka të pamundur të vazhdojë të rritet në këtë mënyrë nëse ne nuk shfryhemi në zona të tjera me infrastrukturë, me investime urbane, por sidomos duke inkurajuar njerëzit e zonës ta gjejnë thesarin tek zona e vet”, u shpreh ai.
Veliaj theksoi se fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës në dy vitet e ardhshme do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. “Angazhimi i Bashkisë së Tiranës është që në dy vitet e ardhshme fokusin më të madh ta kemi tek fshati. Besoj se na keni parë nga shkolla në Shëngjergj, tek rrugën në Zall-Herr. Tek investimet që po bëjmë në zonat periferike të Tiranës, sepse besojmë vetëm kur punohet me të njëjtë cilësi si në sheshin “Skënderbej”, si në Pazarin e Ri, si në Pëllumbas, si në Kërrabë, vetëm atëherë mund të themi që qyteti po ecën me të njëjtën cilësi”, tha ai, duke shtuar se ky ritëm pune është mënyra më e mirë për t’ju shprehur qytetarëve seriozitetin në mënyrën se si do të zhvillohet Tirana në të ardhmen. “Dhe ajo që po më rezulton nga ky kontribut i të gjithëve është që ne kemi punuar këtu në Pëllumbas, me qëndrën e fshatit, ashtu si edhe në fshatin Qeha, me të njëjtën cilësi siç është punuar dhe në të qëndër dhe kjo besoj është mënyra më e mirë për t’ju shprehur njerëzve seriozitetin në mënyrën se si do të zhvillohet Tirana në të ardhmen”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni falënderoi kryebashkiaku Veliaj për mbështetjen, ndërsa theksoi se modele të tilla sikurse është qendra turistike në Pëllumbas, janë tregues i modelit të qëndrueshëm të zhvillimit të turizmit që ka zgjedhur Shqipëria. “Është si pjesët e një loje puzzle, që bashkohen edhe japin një model suksesi që mund të përsëritet në bashki të tjera, padyshim edhe mbështetja e jashtëzakonshme e Erionit dhe e të gjithë aktorëve. Ne si Shqipëri e kemi bërë zgjedhjen e duhur, turizëm të qëndrueshëm dhe padyshim të tilla modele e demonstrojnë këtë gjë. Fakti që zyra e informacionit duke bashkëpunuar me biznesin, fakti që 4 bujtina që do të fillojnë punën brenda dhjetorit dhe të tjerat që do të ndërtohen këtu, do e bëjnë jetën tuaj këtu më të mirë. Krijojnë më shumë mundësi punësimi, sjellin më shumë turistë vendas dhe të huaj, e bëjnë më tërheqëse dhe më të bukur Tiranën tonë”, theksoi Gjermeni.
Në fshatin Pëllumbas u inaugurua dhe hapja e zyrës së menaxhimit të turizmit si dhe u prezantuan disa nga gatimet tradicionale të zonës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al